Vlera e pendimit, Zoti është falës.

“O ju që keni besuar, pendohuni tek Zoti me një pendim të sinqertë, në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’ju shpjerë në xhenete nën të cilat rrjedhin lumenj ..”.
(Et-Tehrim: 8).

Thirrje e bekuar për secilin mëkatar nga (Gafurri Rrahim) Mëkatfalësi, i Gjithëmëshirshmi., që t’i drejtohen Atij me sinqeritet, e të kërkojnë nga i Gjithëmëshirshmi faljen e mëkateve dhe pastrim nga to. Këtë thirrje Allahu s.v.t. ua drejton robërve të vet që i besuan, me thirrjen më të ëmbël në Kuran:”O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë.”

Në këtë thirrje demonstrohet dëshira e Tij për t’ia falë robit çdo mëkat e gabim, që e ka bë qoftë me qëllim, qoftë pa qëllim, nëse ai është i gatshëm për një gjë të tillë.Por shtrohet pyetja: si bëhet pendimi (teubja) i vërtetë?Përgjigjja: Pendimi i sinqertë, i cili është përmendur në ajetin e sipërm, bëhet në saje të këtyre kushteve, siç vijojnë:

1. Çrrënjosja e mëkatit, për të cilin ke vendosur të pendohesh me plot sinqeritet, se këtë e bën e bën vetëm për Allahun s.v.t.
2. Mos me u kthye më kurrë në atë mëkat prej të cilit je penduar.
3. Me ndie keqardhje për mëkatin që e ke bërë në të kaluarën.E nëse mëkati ka të bëjë me ndonjë njeri tjetër, të cilit i ka hak, atëherë ia kthen hakun dhe lirohet nga e drejta e tij. Ky është kushti i katërt.
Nëse besimtari bën pendim të sinqertë, duke i përmbushur kushtet e lartpërmendura, s’ka dyshin se Allahu s.v.t do ta pranojë me gëzim pendimin e tij.

Më pas, besimtari, i cili e bën një pendim të tillë ai duhet lirohet nga kompleksi i mëkateve dhe gjynaheve që i ka bërë më parë, çfarëdo qofshin ato, dhe të jetë i bindur se tashmë është një person i ri tek Allahu s.v.t. dhe duhet të bindet se pendimi është rruga e pejgamberëve a.s. dhe se nuk ka njeri që nuk gabon, e as besimtarë, e të mos kërkojë falje nga Falësi i Gjithëmëshirshëm.Duhet ta dimë se i pari që ka bërë teube (është penduar) është Ademi a.s. dhe bashkëshortja e tij Hava a.s. Kjo ndodhi menjëherë pas mëkatit të bërë, me rastin e ngrënies prej pemës së ndaluar.

Ja se ç’thotë Kurani famëlartë për këtë: “E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin), Ai është Mëshirues dhe pranues i pendimit”. (El-Bekare: 37).Ndërsa fjalët që i pranoi nga Allahu s.v.t. ishin:
“Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë (i dëmtuam) vetvetes sonë, në qoftë se nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!”
(El-Earaf: 23).

Shikoji mëshirën dhe butësinë e Gjithëmëshirshmit që ka ndaj robërve të vet. Nuk mjaftohet me falje të mëkateve, por edhe ua dikton atyre se si të pendohen! Kjo është një kurajë dhe mbështetje shumë e madhe për besimtarët që mos të turpërohen që të bëjnë pendim (teube) nga mëkatet që i kanë bërë dhe ende gjenden në to. Sepse, kur e dimë fort mirë se pejgamberët a.s. kanë gabuar dhe kanë bë teube, ti si njeri i rëndomtë mos u ngushto nga kjo, sepse nuk ka njeri pa gabime.Transmetohet nga Ebu Ejubi r., kur i ishte afruar vdekja, kishte thënë: Kam qenë duke e fshehur një gjë prej juve që e kam dëgjuar nga Resulullahu s.a.v.s., e kam dëgjuar duke thënë: Sikur ju mos të bënit mëkate, Allahu do të krijonte krijesa që bëjnë mëkate e më pas ua fal atyre – mëkatet.Allahu gëzohet me teuben e robit të Tij më shumë se sa është gëzuar i zoti i devesë së humbur në mes të shkretëtirës, i cili nga gëzimi ka thënë:

O Zot, ti je robi im dhe unë jam zoti yt!Enes ibën Maliki transmeton se si i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: Allahu gëzohet më shumë për robin i Tij kur ai pendohet, se sa ndonjëri prej jush, i cili është mbi devenë e tij në një vend të hapur, dhe për një çast i shpëton dhe i ikën prej tij, duke marrë me vete ushqimin dhe ujin e tij. Dhe pasi humb shpresën për ta gjetur, kthehet tek pema për të pushuar nën hijen e saj i pashpresë për ta gjetur dhe, përderisa ishte kështu, papritur deveja paraqitet para tij, me shpejtësi e kap për freni e më pas nga gëzimi i madh thotë: o Zot! Ti je robi im, e unë jam zoti yt. Gabon nga gëzimi i madh.Ajo që e dëshmon këtë është se prej emrave të bukur të Allahut s.v.t është edhe emri (Et-Tevab) falës i shpeshtë i mëkateve të njeriut. Le t’i dëgjojmë disa shembuj nga Kurani Kerim që e dëshmojnë këtë proces.

I Lartmadhërishmi thotë për Ejupin a.s.: “Sa rob shumë i mirë ishte ai dhe i kthyer te Zoti. (Sad: 44). Po ashtu thotë edhe për Dudin a.s.: “Dhe rikujtoje robin Tonë Daudin, të fuqishmin (në fé e trup), vërtet ai gjithnjë i drejtohej Allahut. (Sad: 17). Po ashtu thotë edhe për Sulejmanin a.s: “Ne Daudit ia falëm Sulejmanin, rob shumë i mirë dhe shumë i kthyer nga Zoti. (Sad: 30).- Prej cilave mëkate mund të bëjmë teube (të pendohemi)?I Lartmadhërishmi thotë në Kuran: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai fal shumë dhe është mëshirues!”. (Ez-Zummer: 53).Ndërsa ajeti kuranor: “Është e vërtetë se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, e pos këtij (mëkati), të tjerat i fal atij që dëshiron. (En-Nisa: 116). Ky ajet tregon se Allahu s.v.t. ia fal mëkatet atij që dëshiron, nëse vdes pa u penduar, në qoftë se mëkati i tij është diç tjetër pos idhujtarisë (shirkut), i lartësuar është Ai, mëshirën e të Cilit nuk mund ta kufizojë asgjë!-

Pas një pendimi të sinqertë, do të jemi prej atyre xhenetlinjve të ngritur në nivele të larta. Dëgjoni se ç’thotë Pronari i xhenetit:“Ndërsa besimtarëve të ruajtur xheneti u afrohet krejt afër. Kjo është ajo që u premtohej për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë. Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer tek Ai me zemër të sinqertë. (U thuhet) Hyni në të, të shpëtuar, sepse kjo është dita e përjetshme. Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë”. (Kaaf: 31-35).Por, ka diçka edhe më tepër për ata që bëjnë pendim të vërtetë. Ajo është: “Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Zotit ua shndërron të këqijat në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë”. (Furkan: 70).Pra, veprat e këqija ua shndërron në të mira! Ky ajet ka ardhur pas numërimin të mëkateve më të mëdha që mund t’i bëjë njeriu: “Edhe ata që pos Zotit, nuk lusin zot tjetër dhe nuk e mbysin njeriun që e ka ndaluar Zoti, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsakush i bën këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Zoti ua shndërron të këqijat në të mira. Zoti është mëshirues, ndaj Ai fal shumë”. (Furkan: 68-70).E tërë kjo ndodh ngase i Madhi Zot. i do të penduarit dhe ata që pastrohen, siç njofton në Kurani Kerim:“Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme”. (el-Bekare: 222).Sepse gjërat nuk maten me peshoren e kilogramëve, por me vullnetin e zemrës e të shpirtit dhe me qartësinë e pozicionit se nga dëshiron të pozicionohet robi, nga e mira apo nga e keqja. Dhe në atë moment që njeriu, apo më mirë të themi robi i Zotit, vendos ta përkrahë të mirën, të votojë për të mirën kundër së keqes në luftën mes tyre, atëherë nuk kërkohet diç tjetër pos një pastrimi të shpirtit dhe të zemrës me anë të pendimit të sinqertë.

Kurse ato që kanë ndodhur më parë prej mëkateve, sado të mëdha të jenë, nuk çojnë peshë te i Gjithëmëshirshmi. Ngase tek Ai peshë ka vetëm sinqeriteti dhe vendosmëria e brendshme e robit se cilën po e zgjedh? Atë që e ka pelqyer Zoti apo atë që e ka urryer. Ndërsa vepra është vetëm një dëshmi për atë që fshihet brenda robit. Ajo që është më thellë në shpirtin dhe në zemrën e njeriut është më me peshë sesa puna e dukshme tek Zoti, i cili i di si të dukshmen ashtu edhe të fshehtën. Për arsyen që aty fshihet realiteti njeriut, aty fshihet vlera e tij, aty fshihet pesha e tij dhe aty qëndron personaliteti i njeriut. Dhe aty përfundon dëlirësia e ndërgjegjes së tij.Pra, mu këtu qëndron arsyeja se pse Zoti i do të penduarit dhe ata që e pastrojnë thellësinë e shpirtit të tyre dhe brendësinë e zemrës. Kjo është arsyeja se pse veprat e dukshme nuk mund të rezistojnë përballë vlerave të brendshme. E posa të rregullohet brendësia e robit dhe kur e mira dhe ajo që e pëlqen Zoti gjen vend dhe mbështetje në thellësinë e shpirtit të tij, atëherë shndërrimi i veprave të këqija në të mira është një proces fare i ligjshëm nga ana e Krijuesit Fuqiplotë. Kjo është bërë mese e ditur përmes porosive të shumta nga Pejgamberi i mëshirës a.s. se punët vlerësohen sipas nijetit: Zoti nuk i shikon pamjet tuaja, por i shikon zemrat tuaja.Në fund e përmbyllim temën duke bërë thirrje që pendimi i sinqertë të ndodhë sa më shpejt, pa u vonuar fare, dhe se pendimi duhet bëhet prej çdo mëkati, qoftë ai i madh, qoftë i vogël. Ky është vendim unanim i dijetarëve.

dr. Lulzim Esati

#foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

8 + 1 =