Vlera e paqes në Islam..!

Që nga emri që Zoti ka zgjedhur për fenë tonë “Islamin” e kuptojmë sa e rëndësishme është paqja. Rrënja e emrit “islam” është “selim” (paqe). Përshëndetja që Zoti ka përligjur për ndjekësit e Islamit, është “Esselamu alejkum (paqja qoftë mbi ju). Kjo përshëndetje, në thelb është një lutje për jetë të paqtë dhe të lumtur për tjetrin.Pasi iu dha shpirti Ademit (a.s.), Zoti e urdhëroi të shkojë te një grup melekësh dhe t’i përshëndesë me fjalët: “Esselamu alejkum!” Mandej të presë se çfarë do t’i thonë ata, pasi kjo do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve të tu. Shkoi Ademi (a.s.) dhe u tha melekëve: “Esselamu alejkum” Melekët ia kthyen: “Ve alejkum selam ve rahmetulla”Përshëndetja islame, është një urim që tjetri të jetojë në paqe dhe harmoni me veten dhe të tjerët. Përshëndetja me fjalët “mirëmëngjesi, mirëdita, ç’kemi, mirëmbrëma etj…” janë të mira, por nuk përcjellin të njëjtin mesazh si përshëndetja islame. Prandaj, askujt nga të rinjtë e të rejat myslimane të mos i vijë zor kur përshëndetet me selam, përkundrazi.Zoti thotë në Kuran: “Kur të hyni në shtëpi, të përshëndetni njëri-tjetrin me përshëndetje të mirë e të bukur nga Allahu.” (Nur, 61)Me të hyrë në shtëpinë tënde, në ambientin familjar, mbushe atmosferën me përshëndetje e buzeqeshje. A ka më bukur se kur të hysh në familje, të urosh dhe të dëshirosh jetën e paqtë dhe të lumtur për të gjithë familjarët?Kur dikush e praktikon këtë në shtëpi, Zoti i jep bereqet atij dhe familjes.Muhamed tha: “Sa herë që të hysh në shtëpi, përshëndeti me selam familjarët, sepse është bereqet si për ty dhe për ta.”Vetë thelbi i namazit, është pikërisht përjetimi sa më thellë i paqes që të fal. Nëse je në gjendje lufte me veten, vuan dhe nuk je i qetë, merr abdes. Mandej fillon e falesh, lexon Kuran, bie në ruku dhe më pas në sexhde. Kur vjen koha të qëndrosh ulur, lexon dhe lutesh me fjalët: “…Paqja qoftë mbi ty, o i dërguari i Allahut, mëshira dhe bereqetet e Tij. Paqja qoftë dhe mbi ne dhe robërit e ndershëm të Zotit…” Për të dalë nga namazi, jep selam një herë në krahun e djathtë, mandej në të majtin. Menjëherë, lutesh me fjalët: “O Zot! Ti je paqja dhe prej Teje buron paqja, i lartësuar qofsh, o i Gjithëpushtetshëm dhe i Madhërishëm.”Kurse hazreti Aliu thoshte: “O Zot! Ti je paqja, prej Teje buron paqja dhe te Ti kthehet sërish paqja. Prandaj, na e mbush jetën me paqe dhe na e fal vendin e paqes.”Vetë xheneti, që simbolizon shpërblimin e punëmirëve, është emërtuar si “shtëpia e paqes”.“Allahu i thërret njerëzit për në Shtëpinë e paqes…” (Junus, 25)Vetë Zoti i lartësuar e ka emërtuar xhenetin me këtë emër. Ai nuk e emërtoi “shtëpia e hyrive” as “shtëpia e pallateve” edhe pse ato nuk mungojnë. Edhe përshëndetja e banorëve të xhenetit, do të jetë me selam (paqe).“Përshëndetja e tyre do të jetë “Selam” dhe lutja e tyre e fundit “Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botëve!” (Junus, 10)“Paqe!” do të jetë fjala prej një Zoti Mëshirëplotë.” (Jasin, 58)“Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!” (Zumer, 73)“Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh, por vetëm fjalët “Paqe, paqe!” (Vakia, 25-26)Dashuria e myslimanëve për Profetin (a.s.), manifestohet dhe në përshëndetjet dhe salavatet që i dhurojnë herë pas here. Salavati është një lutje dhe përshëndetje për të dërguarin e Zotit (a.s.), ku themi: “O Zot! Përshëndete të dërguarin Tënd me paqe…”Bazuar në këtë, Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që më përshëndet me salavat, Zoti do t’ia kthejë me dhjetë syresh.” Sa herë që të ndihesh në konflikt me veten, bjer në salavat mbi Profetin (a.s.).Të gjithë të dërguarit që ceken në Kuran, shoqërohen me përshëndetje paqeje dhe sigurie.“Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” (Saffat, 109)“Paqja qoftë me Nuhun ndërmjet gjithë krijesave!” (Saffat, 79)“Paqja qoftë mbi Musain dhe Harunin!” (Saffat, 119)Profeti Isa (a.s.) u lut: “ Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur,në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 33)Megjithatë, Islami vazhdon të akuzohet si fe e dhunës, e ekstremizmit dhe e terrorizmit.Kur humbet paqja shpirtëroreZakonisht, njeriu e humbet paqen shpirtërore, kur vepron gjëra në kundërshtim me parimet dhe bindjet e tij. Kur sjelljet e tua janë në drejtim të kundërt me bindjet, atëherë e humbet paqen shpirtërore. Nëse beson se gënjeshtra është haram dhe e dënueshme, megjithatë vazhdon të gënjesh e të mashtrosh, nuk mund të jesh në paqe me veten.Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Të folurit drejt është qetësi, sakaq gënjeshtra është dyshim.”Nëse i ke hyrë dikujt në hak dhe e di që i ke bërë padrejtësi, edhe pse e di që padrejtësia është haram dhe e dënueshme, nuk mund të jetosh në paqe me veten.“Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi, pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (En’am, 82)Në çastin që e di se i ke bërë padrejtësi dikujt, dije se e ke humbur paqen shpirtërore. Paqja nuk është diçka që të instalohet nga jashtë, ajo gjendet brenda në zemër. Profeti (a.s.) ka thënë: “Në trupin e njeriut gjendet një organ, nëse ai është në formë, i gjithë trupi do të jetë në formë dhe nëse ai prishet, i gjithë trupi prishet. Ky organ është zemra.” Paqja është diçka e brendshme, që ka të bëjë me zemrën, dhuratë prej Zotit. Adhurimet, besimi, salavatet mbi Profetin (a.s.), leximi i Kuranit dhe ritet e ndryshme, e pasurojnë paqen. Njeriu e humbet këtë paqe, në çastin kur vepron në kundërshtim me besimin e tij, moralin, bindjet, vlerat dhe edukatën familjare.#Foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

− 2 = 7