VLERA E NJERIUT SIPAS ISLAMIT

Zoti xh. sh., që është Krijuesi i gjithçkaje, njeriut i ka dhuruar si bakshish e mirësi shumë do veçori e aftësi që s ’ ia ka dhënë asnjë krijese tjetër. Po kështu, edhe shumë krijesa të tjera i janë lënë në shërbim njeriut që ai t ’ i shfrytëzojë ato. Zoti ynë, prej njeriut të cilit i ka dhënë kaq shumë të mira e mundësi, kërkon iman (besim), ibadet (adhurim) dhe shukër (falënderim). Nderi i njeriut matet me njohjen dhe besimin e Zotit, kurse vlera e tij matet me adhurimin dhe respektimin e Zotit si dhe me posedimin e një morali të mirë e të lartë. Sepse njerëzit më të vlefshëm e më të lartë Kur ’ ani i përshkruan kështu:

“O njerëz! Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë në kombe e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Padyshim se më i nderuari prej jush tek All-llahu është ai që i frikësohet dhe i përkushtohet më së tepërmi All-llahut (në besimin e pastër islam). Vërtet që All-llahu është i Gjithëdijshëm, i Gjithënjohur”, (el-Huxhurat:13).

Pra, njerëzit janë të barabartë nga aspekti se janë të krijuar prej një babe dhe një nëne, Ademit dhe Havës a.s. Prandaj është e pavend të mburren me prejardhjen e tyre. Sepse përparësia e vërtetë është devotshmeria, pra sa ne i frikohemi dhe i druhemi Krijuesit tonë i Cili na sheh çdo punë dhe sjellje tonën. Sipas kësaj, feja Islame nuk e shikon ngjyrën, gjuhën, racën, kombin, fisin, pasurinë, vendin apo pozitën që ka njeriu, porse i shikon sjelljet dhe punët e njeriut dhe sipas kësaj edhe i vlerëson ata. Zoti në Kur ’ an thotë:

“Thuaju (o Muhammed): ‘Zoti im as nuk do të kujdesej për ju, sikur të mos ishte lutja (duaja) juaj (drejtuar Atij)”, (el-Furkan:77).

Muhammedi a.s. në një hadith të tij thotë: “Zoti nuk shikon fytyrat tuaja dhe pasurinë tuaj, por punët dhe zemrën tuaj”.

Feja Islame i ka ndaluar të gjitha punët dhe sjelljet nënçmuese, si: poshtërimin e njeriut, përqeshjen, ngjitjen e llagapeve, bartjen e fjalëve të kota prej njërit te tjetri, rrenën, mashtrimin dhe gjithçka tjetër që nuk është e drejtë dhe e ndershme.shkruan; mr. Rejhan Neziri

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

− 1 = 5