Tre gratë spanjolle të ISIS-it: “U mashtruam nga bashkëshortët,duam të ikim që këtej”

Nga Natalia Sancha “El Pais”

“Ne duam të ikim prej këtej. Ata nuk mund të na dënojnë më, për t’u kujdesur për familjen dhe fëmijët tanë në Shtetin Islamik”. Kështu shprehen Jolanda Martinez, Luna Fernandez dhe Lubna Miludi, tre shtetase spanjolle që udhëtuan me bashkëshortët e tyre në Siri në vitin 2014, dhe që i kanë mbijetuar rënies të të ashtuquajturit Kalifat i Shtetit Islamik në fortesën e fundit në Baguz, një oaz në kufirin lindor mes Sirisë dhe Irakut.

Ato folën për “El Pais” në një barakë brenda kampit sirian Al Hol, ku mbahen në kushte të rrezikshme dhe jo higjenike, së bashku me 73.000 njerëz të tjerë, 92 për qind prej të cilëve janë gra dhe fëmijë. Të tre spanjollet, po kujdesen për 15 fëmijë të mitur.

Burri i njërës prej tyre, që është gjithashtu spanjoll, po mbahet i burgosur në një burg kurd. Bashkëshortët e dy të tjerave, kanë vdekur në luftë. Në total, 19 spanjollë dihet se iu bashkuan Kalifatit, ose lindën në të, dhe i kanë mbijetuar kolapsit të tij.

Banoret nga Madridi, Jolanda Martinez, 34-vjeçe dhe Luna Fernandez 32-vjeçse, kanë nga 4 fëmijë secila. Fernandez, është aktualisht shtatzënë me fëmijën e saj të pestë, dhe po kujdeset edhe për 4 fëmijë të tjerë, të cilët ajo thotë se i përkasin një çifti maroken që banonte dikur në Spanjë, dhe që më pas humbi jetën në ferrin, që ishte shndërruar muajt e fundit Baguz.

Që të dyja shprehin dëshirën e tyre, për t’u rikthyer në Spanjë. “Nëse Spanja mund të më nxjerrë nga këtu, unë dua të dal sa më parë. Por nuk mund të më ndajnë nga fëmijët e mi!”- bërtet Fernandez. Edhe Martinez, ndan shqetësimin e saj.

Ndërkohë Lubna Miluda, me prejardhje marokene, është shtetasja e tretë spanjolle në këtë kamp, ​​dhe ajo është këtu me 3 fëmijët e saj. Në burgjet e mbrojtura nga milicia kurde dhe forcat aleate nga koalicioni ndërkombëtar, ka një të burgosur spanjoll.

Ai quhet Omar El Harshi, lindur në Marok, dhe i martuar me Martinez. Kjo e fundit, thotë se ai u dorëzua një muaj më parë. Që të treja gratë, pohojnë se burrat e tyre i mashtruan për t’i sjellë këtu në Siri, se iu premtuan një pushim ose një jetë të re në Turqi 5 vjet më parë, pastaj u detyruan të kalonin ilegalisht në mes të natës në territorin sirian, të kontrolluar nga ISIS.

Ata thonë se burrat e tyre, ishin “thjesht punonjës të Shtetit Islamik, dhe nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në luftë”. Ato tregojnë se në një moment, planifikuan të largoheshin nga Kalifati, por iu tha se duhet ta iknin pa fëmijët e tyre. Ndaj, asnjëra prej tyre nuk provoi të largohet.

Gratë kanë kaluar pak më shumë se një muaj në robëri në këtë kamp, i cili është shndërruar në një mini-kalifat femëror, ku duke reflektuar për atë që ndodhi në radhët e luftëtarëve të ISIS, gratë më radikale xhihadiste, po përpiqen të marrin kontrollin e zonës.

Ato banojnë në pjesën më të largët të kampit. Midis dhjetëra mijëra grave të veshura me të zeza, del papritmas del një grua me rroba shumëngjyrëshe dhe pa niqab. “Unë jam tani pjesë e kufar (jo-besimtarëve), pas mbaj në kokë vetëm një shami”- thotë duke qarë Geilan Su, me origjinë nga Trinidad Tobago, teksa tregon shenjat e rrahjes nga ekstremistet.

Në një nga zonat e këtij kampi, janë rreth 10.000 të huaj të mbyllur me fëmijët e tyre, ku 65 përqind e banorëve janë të mitur. Pjesa tjetër janë sirianë dhe irakianë. Aty ka grupe të ndryshme nacionalitetesh, me tunizianet që anë më të dhunshmet.

“Nëse shkon atje, rrezikon të rrihesh ose të therresh” – paralajmëron një nga rojet e stacionuara në hyrje. Milicitë kurde, kanë dërguar përforcime të reja në kamp, për të mbajtur nën kontroll atë që duket si një “tenxhere me presion”, që është gati të shpërthejë.

Përktheu:Alket Goce

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

75 − = 68