Toleranca në Kuran

Kurani që në fillim të shpalljes së tij theksoi se njerëzit janë krijuar të ndryshëm për t’u njohur në mes tyre dhe jo për të treguar urrejtje e armiqësi ndaj njëri-tjetrit. Allahu xh.sh. thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli e një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet jush, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që është ruajtur më tepër (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (El Huxhurat, 13) Një nga parimet themelore të besimit Islam dhe dispozita më madhështore me të cilën theksohet liria e plotë e besimit, shprehet në Fjalën e Allahut te Madhërishëm: “Në fe nuk ka dhunë” (El Bekare, 256). Në një ajet tjetër, Kurani thekson qartë se zgjidhja përfundimtare e besimit është çështje private, personale. Thotë Allahu Fuqiplotë: “E ti thuaj: E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë…”. (El Kehf, 29) Parimin e lirisë së besimit apo mosbesimit individual e bën edhe me të qartë ajeti kuranor: “Thuaj: O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që adhuroni ju! As ju nuk jeni adhurues të Atij që adhuroj unë! Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që adhuroni ju! Por edhe ju nuk do të jeni adhurues të Atij që adhuroj unë! Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)”! (El Kafirun, 1-6). Koncepti i tolerancës ndaj besimeve të tjera shtrihet edhe më tej dhe Kurani i porosit qartë myslimanët të jenë tolerantë, zemërgjerë, të mëshirshëm dhe komunikues me pjesëtarët e feve të tjera. Allahu i Lartësuar thotë: “Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira”. (En-Nahl, 125) Kurani jo vetëm që kërkon nga myslimanët tolerancë, mirëkuptim, sjellje të mira e qëndrim korrekt ndaj pjesëtarëve të feve të tjera, por ai shkon edhe më larg dhe nga toleranca kalon në shkallën e njohjes, që është shkalla më e lartë e tolerancës dhe garanci për bashkëjetesë. Judaizmin dhe Krishterimin i njeh si fe monoteiste që kanë librat e tyre të shpallur nga Zoti dhe bashkë me Islamin ato i quan fe qiellore, ndërsa hebrenjtë dhe të krishterët i quan Ehlul-kitab Ithtarë të librit. Kurani famëlartë në një ajet i fton për bashkim me këto fjalë: “Thuaju (o i dërguar): O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos I bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri-tjetrin zota pos Allahut”. (Ali Imran, 64). Përveçqë i njeh popujt e tjerë, Kurani njeh edhe profetët e tyre. Kurani, në të vërtetë, nuk bën kurrfarë dallimi në mes profetëve. Ai i urdhëron myslimanët të besojnë të gjithë pejgamberët duke filluar prej Ademit a.s e deri tek Muhamedi a.s.. Allahu i Madhërishëm thotë: “Ju (besimtarë) thoni: Ne i besuam Allahut, (besuam) atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që u është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm Atij I jemi bindur”. (El Bekare, 136). Duke përmbledhur atë që u tha më lart, e vërejmë qartazi tolerancën e Islamit dhe mund të themi lirisht se Kurani me shprehjet më të shkëlqyera të mundshme, i bëri liritë fetare pjesë fundamentale të besimit Islam. islamgjakova.net

Postime te ngjajshme