TË RUAJMË VIJËN TONË AUTOKTONE NË INTERPRETIMIN E MËSIMEVE FETARE

Në vitet 80-ta në Kosovë dhe rajonin tonë përreth , kur ne po mësonim për Islamin, nuk kishte një përplasje të mendimeve rreth tij, siç ka edhe sot. Fillimet e para të sekteve dhe fraksioneve jo tradicionale me frymë islame, të importuara nga Lindja e Mesme, e kryesisht mbi bazën e versioneve interpretuese me natyrë dhe frymë lokale fanatike, konservative, ideologjike e politike, tek ne i hasim në fund të shekullit XX-të, më saktësisht pas viteve të 90-ta, të cilat vazhduan dhe u intensifikuan në fillim të shekullit XXI, gjegjësisht pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Në atë kohë, edhe ne studionim për fraksione të ndryshme fetare në botën islame, mirëpo drejtimi fetar dominues i mësimeve islame, i cili kultivohej dhe praktikohej në mesin tonë deri në fillim të viteve 90-ta ishte i natyrës autoktone dhe urbane, me fjalë të tjera përveç parimeve fetare ishte i rrënjosur edhe mbi urfin- bazën e elementeve të traditës dhe kulturës tonë. Për dallim nga vendet tjera të botës myslimane, shpjegimi ynë fetar dallohej si një version popullor, i cili ishte i hapur ndaj pasuesve të vet, ndaj rendeve të dervishëve dhe ndaj të gjitha besimeve tjera me të cilat bashkëjetonte me to shekuj me radhë, në mesin e shoqërive të ndryshme, sekulare multikulturore dhe multikofesionale. Por, për tjetërsimin e kësaj qasje të matur të mësimeve fetare islame në mesin tonë, e cila fatmirësisht ende vazhdon t`i takon linjës së mesme dhe të moderuar, e karakterizuar me frymë paqësore, përfshirëse dhe jopërjashtuese, qarqe të ndryshme kundër Kosovës dhe kundër aleatëve tanë perëndimor, kanë ndarë dhe vazhdojnë ende të ndajnë mjete të shumta, si një formë e vetme për na shkëputur nga rruga e jonë e hershme e bashkëjetesës paqësore fetare ndërshqiptare, për të na paragjykuar para botës si një shoqëri i cila po pason orientime bashkëkohore ekstreme fetare, dhe si rrjedhojë edhe anti-perëndimore !!!

Prandaj, do të ishte jetike që populli ynë në këtë drejtim të jetë vigjilent, duke u distancuar nga çdo prapavijë e huaj e ngjyrosur me elemente të tilla të natyrës sektare, ideologjike dhe politike fetare të versionit të katapultuar. Do të duhej gjithashtu, që të kihet kujdes i shtuar nga pasimi i verbër i argatëve të paguar në këtë drejtim, të cilët fatkeqësisht, një pjesë e tyre janë të veshur edhe me petkun fetar, me dije dhe pa dije !. E ne si popull, sot dhe në të ardhmen mund të jemi pjesëtarë të besimit Islam dhe praktikues të tij, të krishterimit apo të ndonjë besimi tjetër, por do të ishte në interesin tonë jetikë që asnjëherë të mos jemi të kushtëzuar nga ideologë apo pasues të sekteve dhe fraksioneve, të cilat kanë lindur dhe mund të lindin edhe në të ardhmen , si rezultat i interesave politike, pushtetare, i mentaliteteve dhe fanatizmave lokale dhe ambientale të ndonjë vendi dhe shoqërie të caktuar,e të cilat nuk përkojnë në asnjë mënyrë dhe formë me interesin tonë të përgjithshëm; lokal, rajonal dhe global. Elementi fetar, çfarëdo, dhe nga kushdo që ai mund të vij, i cili ndanë dhe përçan synimin dhe rrugëtimin tonë të përbashkët, le të konsiderohet dhe luftohet nga të gjithë ne si një mikrob brejtës dhe gërryes i uniteti dhe të ardhmes tonë. Besimi në Zot e humb kuptimin e vet, atëherë kur dikush në emër të Tij thirret dhe mbështetet për përulur, poshtëruar e luftuar tjetrin! Padrejtësitë ndaj njerëzve në botë janë të shumta, por nuk ka padrejtësi më të ulët sesa kur dikush lufton tjetrin duke u thirrur në Zot, e të cilit njëkohësisht i beson se është Krijues i gjithë njerëzimit dhe i gjithë Gjithësisë!

Autor: Xhabir Hamiti

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

− 2 = 1