Të dëshmojmë në vepër, kryeveprën Kur’anore, PAQE.

Mbarë besimtarët e besimit Islam kanë hyrë në muajin e madh të Ramazanit. Muaj Ramazan, fillimi i shpalljes së Kur’anit. Mesazhi i parë Lexo. Zoti i Madhërishëm i shpalli të përzgjedhurit të Tij Fjalën e parë Lexo, duke i kumtuar atij që për njerëzimin Paqja është zgjedhur fe. Thirrjet e Kur’anit dhe praktika profetike, janë dëshmia më e mirë të cilën duhet marr model për ndërtimin e raporteve paqësore dhe respektit midis njerëzve. Lexo e mëso, studio dhe analizo, janë porosi të arta që ndërtojnë ardhmëri dhe personalitet në shoqëritë njerëzore. Pasiqë Islami në thelbin e vet është paqe e dashuri, dhe se mbarë ligjëruesit shpjegojnë këtë, atëherë përse të kuptohet ndryshe sot Islami. A është shpërfillje dhe shmangje nga Kur’ani apo është projekt për devijimin e substancës Kuranore dhe profetike. Ishim dëshmitarë të ngjarjeve të dhimbshme që rezultuan me dhunë e vrasje në emër të Islamit paqësorë. Këtë e bën grupe ideologjike që frymëzuan grupe ekstremiste dhe radikale siç ishte Nusra dhe Isis. Këto dy organizata cenuan thelbin dhe substancën paqësore të Islamit. Ndaj kësaj duhet reaguar me një zë. Heshtja përballë këtyre elementëve nënkupton pajtimin. Kushdo që pajtohet me dhunën dhe terrorin duke heshtur, ka bërë shkelje ndaj paqes Islame dhe praktikës së shkëlqyer të Muhamedit a.s. Të mos lejohet assesi kapja dhe kidnapimi i Islamit nga ata që dhunën e shohin esencë të fesë. Kjo është dukur qartë në dekadën e fundit. Thirrja e Ramazanit është Paqe, dije, besim, respektim të prindërve, farefisit, bonjakëve, të sëmurëve dhe atyre që janë të gjorë e në vetmi. Ramazani është solidaritet dhe fuqizim i paqes shpirtërore dhe lidhjeve me Zotin. Zoti e do njeriun e dashur, bamirës, të butë dhe me objektiva që dërgojnë në mbarësinë e jetës së njerëzve. Fundja të gjithë jemi të vetmuar para Zotit, në ditën kur përgjigjemi për veprimtarinë tonë. Le të jetë veprimtaria jonë e shkëlqyer dhe me gjurmë pozitive. Të dëshmojmë në vepër kryeveprën Kur’anore PAQE. #foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 49 = 50