Sunnet i profetit është drejtësia e jo gjerësia e gjatësia e rrobave

Pranimi i gabimit është hap drejt mbarësisë kolektive, është hapi më i madh që mund ta bëjnë ndjekësit dhe ideatorët e pamjes e dukjes, e veshjes, ecjes dhe lëvizjeve të njerëzve. Duke u thirrur se po e ruajnë dhe zbatojnë praktikën profetike në veshje, ecje, ngrënie, kanë anashkaluar krejtësisht kuptimin e traditës apo sunnetit profetik që është drejtësia, morali, kultura dhe sjellja me të gjithë. Muhamedi a.s është veshur me veshjen e popullit të tij të asaj kohe dhe ka ngrënë ushqimin që ka qenë në atë kohë. Ai ishte modest dhe asnjëherë nuk e veçonte dhe as mbizotëronte veten para tjerëve. Udhëtonte me mjetet e asaj kohe me të cilat udhëtonin të gjithë, përdorte mjekësinë e asaj kohe që ishte e njëjta për të gjithë sepse ai nuk kishte mësuar mjekësinë dhe nuk ishte mjek. Pra ashtu edhe siç e përshkruan Kurani, ai ishte njeri por i veçuar nga Zoti me mesazhin e thirrjes së njerëzve në besim, drejtësi, adhurim, punë, dije, ruajtje të farefisit, ruajtje të familjes, kujdes për jetimin, të varfrin, të gjorin, të sëmurin dhe për fuqizimin e dashurisë njerëzore. Ai mësonte njerëzit ta duan njëri tjetrin, sepse Kurani e njoftoj që njeriu është krijesa më e bukur e Zotit në tokë. Ai u thoshte njerëzve që të jenë të drejt, të ruajnë pasurinë, nderin, jetën dhe familjen secili, sepse siç e mësoj Kurani këto janë elemente të shenjta. Nisur nga kjo, ne themi që të ndaleni nga shpjegimet formale e t’i qasemi bërthamës, nevojës dhe rëndësisë së gjërave prioritet dhe shumë të rëndësishme që i cekëm më lart. Veshja, ngrënia, ulja, udhëtimi, mjekësia, gjumi, ëndrrat janë tematika që nuk i takojnë diskutimit dhe rëndësisë së madhe të asaj kohe. Mbesin gjëra vetëm historike e jo dispozita e norma fetare Islame. Ka skaduar afati i mendimit të atyre që jetojnë me trurin e shekujve të mëparshëm. Ata duhet të qartësojnë rrugën sepse është së pari interes i tyre dhe më pas edhe i shoqërisë. Pra të pranosh se je gabim është një hap i madh drejt ndryshimit.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 76 = 77