Sjelljet e tyre neveritin edhe shejtanët!

“Urrejtja ndaj një populli, që iu pat penguar nga xhamia e shenjtë, të mos ju shtyjë të silleni armiqësisht kundër tyre. Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini dro dënimit të All-llahut, se me të vërtetë All-llahu është ndëshkues i fortë”. [Kurani: El-Maide: 2]

Kjo është porosia e Allahut të Madhërishëm, që kapë formën e urdhrit të prerë, që synon vendosjen e normave etike e juridike përmes të cilave muslimanët detyrohen që ta ndërtojnë shtetin e tyre në përputhje me parimet që i ka zbritur Allahu në Kuran, e që janë: dhënia përparësi paqes para luftës, faljes para hakmarrjes, të mirës para të keqes, të lehtës para të vështirës, etj.
Kjo është platforma që duhet ta ndjek muslimani për ndërtimin e personalitet të tij. Por, assesi nuk guxon që të nxitet nga urrejtja që ka ndaj një populli. Për arsye se nxitja nga urrejtja shkakton humbjen e kontrollit dhe shpesh herë shkakton edhe verbim, të cilin personi në fjalë as që ka mundësi ta hetojë derisa të përfundojë në ndonjë krim apo tragjedi që nuk ka kthim mbrapa. Për këtë edhe ka ardhur paralajmërimi nga Allahu i Lartëmadhërishëm për çdo musliman që merr veprime në bazë të urrejtjes, se atë ka për ta dënuar ashpër dhe ka për ta ndëshkuar fortë! Këto parime e norma të cilat janë përmendë shpesh në librin e Allahut, janë në fuqi si në paqe ashtu edhe në luftë. Dhe karakteristikë e veçantë e këtyre parimeve është se ato nuk pranojnë përjashtim në asnjë rrethanë. E nëse dikush mendon se kjo bie në kundërshtim me rregullën: “çdo rregull ka përjashtim”, në u themi atyre se nëse e shkoqisin me vëmendje këtë rregull do mësojmë që kjo normë vlen edhe për rregullën në fjalë. Kështu që nëse e praktikojmë këtë rregull në vetë vete, del që edhe nga kjo rregull duhet të përjashtohet diçka. Dhe duke u nisur nga kjo vijmë në përfundim se duhet të ketë rregulla që nuk kanë përjashtim, dhe ato janë parimet për të cilat folëm më parë! Muslimanët i morën seriozisht këto rregulla, dhe nuk lejuan në asnjë rrethanë që veprimet e tyre të bien ndesh më to. Duke e monitoruar sjelljen e tyre në dritën e këtyre parimeve të shenjta të Kuranit, ata arritën që të lënë gjurmë të përhershme në vendet ku ata sunduan. Jo vetëm kaq por edhe kur jetonin si individë në shtetet e huaja bënë mrekullira me sjelljet e tyre!
P.sh: tregtari musliman që bënte tregti në Indonezinë pagane, duke e respektuar parimin e shenjët “Pasuria e tjetrit është haram” , arriti që tërë këtë vende paganë ta bëjë musliman, që sot është vendi më i madh në botë me muslimanë. Këtë sjellje të shkëlqyer e mbollën edhe në Andaluzi- Spanjë për 8 shekuj, kur i hapën dyert e shkencës për student nga mbarë bota deri në Kinë. Kështu vepruan edhe në Afrikë, Azi dhe Evropë.
Pas një sundimi me shekuj, muslimanët u tërhoqen nga këto vende, dhe sot i gjejmë të gjitha këto vende ashtu siç kanë qenë me gjuhën e tyre kulturën dhe fenë, pa u prekur fare. Kjo ndodhi ngaqë muslimanët e morën praktikën e tolerancës dhe kulturën e faljes nga i dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. i cili kur e hapi Mekën, iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë: “shkoni që të gjithë se ju jeni të lirë-të falur”. Këto fjalë ia drejtoi atyre që përgjatë trembëdhjetë viteve sa jetoi në Meke, e kishin torturuar me lloje të ndryshme të torturave e pas emigrimit të tij në Medine nuk u ndalën duke e luftuar deri në hapjen e Mekës, duke i shkaktuar Pejgamberit dhe muslimanëve humbje si në pasuri edhe në shumë njerëz.

Megjithatë, Pejgamberi i mëshirës të cilin e kishte dërguar Allahu xh.sh. Mëshirë për të gjitha botët, tërë këtë zullum e shpagoi me tri fjalë: ( idh-hebu fe’entumu tullaka- shkoni se nga tani jeni të lirë! E shumë e shumë qëndrime e sjellje të tjera që i mësuan nga ai. Muslimanët patën sukses gjeneratë pas gjeneratë, dhe sunduan tri kontinentet, edhe pse ishin të pakët në numër fitoren e kishin të sigurt. Kështu vazhdoi deri sa qëndruan besnik ndaj parimeve të librit të tyre por, gjërat u përkeqësuan kur filluan të mos jenë serioz me këto parime. Ndërsa sot, gjejmë individë që në emër të flamurit të Muhamedit hedhin bomba në njerëz të pafajshëm, e kjo nuk po ndodhë në front, por në vendet civile si aeroporte stacione të trenave etj.

Çka po mbysin?
Ata po mbysin njerëz të pa fajshëm, pleq, gra dhe fëmijë!! I mbysim ata që nuk lejohen të mbytën në asnjë rrethanë qoftë edhe në luftë! Vallë; a thua këtë janë të denjë për ta ngritur flamurin e Muhamedit! Assesi, sjelljet e tyre neveritin edhe shejtanët!

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

84 − = 82