Siguroj shtetin shqiptar se do të shërbej si njeri i Zotit dhe si shqiptar i mirë

Bujar Spahiu – Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqiperisë!

Ju, sot më keni nderuar, por njëkohësisht më keni vënë përpara një vështirësie të madhe. Unë i lutem Zotit të më nderojë dhe të më bëjë të mundur të jem i drejtë në këtë detyrë kaq të vështirë.

Të nderuar anëtarë, ju lutem shumë edhe juve, lutuni për mua, lutjuni Zotit, që të ma bëjë më të lehtë këtë barrë.

Të nderuar përfaqësues të Komiteti Shtetëror për Kultet, ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë proces!

Unë siguroj shtetin shqiptar nëpërmjet jush se, do të shërbej në këtë detyrë me përkushtimin e një njeriu të bindur ndaj Zotit dhe do të bëj përpjekjet e mia maksimale të jem një shqiptar i mirë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nën lidershipin tim, do të ruajë traditën e paraardhësve të mi të nderuar. Do të jetë puna ime parësore ruajtja dhe forcimi i harmonisë e dialogut ndërfetar në Shqipëri.

Të nderuar përfaqësues dhe partnerë ndërkombëtarë!

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë kontribues i paqes, harmonisë dhe dialogut në vend. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të jetë në pararojë të luftës kundër çdo lloj ekstremizmi.

Ne si myslimanë jemi përgjegjës përpara Zotit për përhapjen e paqes dhe dashurisë, jo vetëm midis besimtarëve tanë, por për përçimin e paqes dhe dashurisë ndërnjerëzore.

Të dashur besmitarë dhe besmitare myslimanë të Shqipërisë!

Unë nga sot, nuk do ta ndiej veten si kryetari juaj, por do të jem, me ndihmën e Zotit, shërbëtori besnik i Kur’anit Fisnik dhe traditës profetike. Na takon më shumë neve, së bashku, t’i përkushtohemi punës, të cilën na urdhëron Allahu (xh.sh.) në Kur’anin Fisnik për të çuar në zemrën e çdo njeriu mesazhin paqësor të Islamit. Na takon më shumë ne që t’i dedikohemi detyrës së madhe që kemi përpara.

Feja jonë është feja e paqes dhe e shpresës! Vendi ynë ka nevojë për më shumë paqe dhe shpresë. Ne, me ndihmën e Zotit do të punojmë për t’i dhënë rinisë, të varfërve, jetimëve, të moshuarve më shumë paqe dhe shpresë.

Të dashur besmitarë dhe qytetarë të vendit tim, të përpiqemi që secili prej nesh, të vendosë një balancë midis kësaj bote dhe Ahiretit (botës së përtejme).

Të balancojmë vrapin drejt kapitalit financiar në kurriz të kapitalit moral.

Të bëhemi më humanë, të rendim vetëm pas hallallit. Të ndajmë nga pasuria jonë për të varfërit, jetimët, të moshuarit, të sëmurët.

Të ruajmë dhe të forcojmë familjen, familja është vlera e shoqërisë tonë, familja është traditë profetike, ta ruajmë atë.

Vëllezër dhe motra besimtarë, t’i lutemi Zotit të na forcojë besimin.

Besimi në Zot është i vetmi besim që nuk zhgënjen!

Çdo lavdërim i takon Allahut, Zotit të botëve!

Të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Sunduesit të Ditës së Gjykimit.

O Allah, vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë,

Na udhëzo në rrugën e drejtë, na udhëzo në rrugën e atyre të cilët i ke begatuar me besimin dhe adhurimin vetëm ndaj Teje.

Amin!

Burimi: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

67 − = 61