Sa ka vlerë agjërimi pa sinqeritetin, besnikërinë dhe peshoren?!

Agjërimi i Muajit Ramazan është një nga shtyllat e fesë Islame e që ngërthen në vete elemente të shumta të virtyteve të larta etike dhe njerëzore. Vetëm agjërimi, apo largimi nga ushqimi, pija dhe dëshirat epshore, nuk do të arrinte efektin poqese besimtari agjërues nuk do të kishte elementet e rëndësishme që ndërtojnë jetën dhe personalitetin e njeriut në raport me Zotin.

Ramazani ka mesazhin e respektit ndaj Krijuesit por edhe e bën besimtarin të ketë virtyte dhe cilësi që e vlerësojnë jetën dhe dinjitetin e njeriut. Në Kuran dhe në mësimet e të Dërguarit Muhamed a.s, ne mësojmë që ai thërriste për bujari dhe vet ishte më bujari. Thërriste në butësi dhe durim në sprova dhe vet ishte i tillë. Muhamedi a.s, thërriste në vazhdimësi për ruajtjen e gjuhës dhe largimin nga shprehjet e kota dhe e liga. Ai ishte në nivelin e lartë të edukatës e moralit. Sepse Kurani e mësoj bukur. Ai edhe para ardhjes së Kuranit shquhej me besnikëri, sinqeritet dhe devotshmëri si dhe në sjellje të shkëlqyera me të gjithë. Në Ramazan veç se shtonte thirrjet për bujari, butësi, sinqeritet dhe kujdes në peshore.

Kurani jo vetëm që qorton por edhe tërheq vërejtjen që adhurimi ndaj Zotit, me namaz e agjërim, duhet të pasohen edhe me sinqeritet e besnikëri ndaj njerëzve. Këto janë virtyte të nalta të një besimtari e që janë dhe duhet të jenë vlera të njerëzimit. Askush nuk do të mund të ketë dobi ndaj vetes vetëm me adhurim formal. Adhurimi dhe sjellja janë të pandashme me njëra tjetrën. Besimtari mund të jetë namazli dhe agjërues, por krahas kësaj ndoshta nuk ka sinqeritet, besnikëri dhe nuk ka kujdes në peshore. Në rast të këtillë vështirë që ka arritur efektin e shëndetshëm të agjërimit, namazit e lutjeve.

Lutjet dhe adhurimet duhet gjithsesi të përcillen me bujari, butësi, sinqeritet e devotshmëri reale e praktike. Namazi dhe agjërimi fuqizojnë anën shpirtërore por edhe e përgatisin njeriun edhe në sjellje dhe marrëdhënie të bukura me të gjithë. Ndaj të forcojmë anën shpirtërore dhe atë praktike, duke e bërë veten të kujdesshëm në raport me të gjithë. Fundja, adhurimet kanë objektivin e qartë; Largimin nga e keqja, e liga dhe e dëmshmja.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

19 − = 16