Ringritja e ISIS,shmanget duke i mbyllur çdo hapësirë ideologjisë së urrejtjes

Nga Dr.Theodore Karasik “Arab News”

Me ISIS që është shpallur “i vdekur” si një forcë terroriste e organizuar në Sirinë verilindore, baza e grupimit ekstremist e ka braktisur Levantin për të përhapur më shumë kaos. Ne kemi parë që bashkëpunëtorët e ISIS-it, po fillojnë të shfaqen nga Afrika Perëndimore (Boko Haram) në Azinë Juglindore, veçanërisht celulat në Malajzi, Indonezi dhe Filipine.

Libia, Sinai dhe Jemeni janë vende të tjera, ku pjesëtarët e ISIS u larguan nga Levanti. Këta luftëtarë janë akoma aktivë, prandaj ajo që po ndodh tani nuk është fundi i ISIS-it në rajon në vetvete, por vdekja e kancerit fillestar, teksa tani është duke u përhapur në pjesë të tjera të “trupit”.

ISIS e pushtoi Levantin si një tumor. Ai ndoqi rrugët tradicionale të tregtisë, dhe u zgjerua, vetëm për t’u mundur tani së fundmi dhe për t’u çrrënjosur prej andej. Ky model i zgjerimit dhe tkurrjes, do të tentohet sërish. Kështu, idetë e Shtetit Islamik dhe përdorimi i taktikave të dhunshme për t’u angazhuar në zona specifike gjeografike, është duke vazhduar.

Aplikimi i një analogjie mjekësore njerëzore, ndihmon në ilustrimin e ISIS dhe aftësisë së tij, për t’i shpërndarë përkrahësit nga “Kalifati”. Në kulmin e tij, ISIS i shpërndau luftëtarët në zonat kryesore gjeografike, veçanërisht në Libi dhe Azinë Juglindore nëpërmjet Malajzisë.

Aftësia për të shpërndarë luftëtarët e hershëm, ndihmoi në përhapjen e shpejtë të “sëmundjes”, ndaj edhe nëse qeliza origjinale e “kancerit” është shkatërruar, virusi i lëvizjes jeton. Fakti që esenca e ISIS, është e bazuar tek urrejtja, dhe një urrejtje ndaj qytetërimit në veçanti, është i rëndësishëm. Apo edhe mënyra se si udhëzon celulat e tij, ses i synon të destabilizojë autoritetin nëpërmjet akteve të dhunshme, në grupe të armatosura, në celula të vogla, ose ‘ujqër të vetmuar’.

Gjithashtu, përdorimi i medias nga ana e ISIS është i dukshëm, pasi i ushqen të tjerët që janë dakord me një ekstremizëm të tillë. Çështja këtu është se bërthama e grupit kërkon kriza, ose përpiqet të krijojë të tilla.

Ajo që është më e rëndësishme për të kuptuar se çfarë po ndodh me ISIS tani, është ajo që ndodh me grupet e tjera që premtojnë besnikëri ndaj tij dhe udhëheqësit. Me bërthamën qendrore që ekziston ende, duhet të shtrohet një pyetje kyçe:A e pengon mungesa e territorit ISIS-in, të mbajë lidhje me këto grupe?

Jo, fundi i ISIS në këndin verilindor të Sirisë, nuk ka rëndësi. Këto grupime, janë më të interesuara të ndërtojnë rrjetet e tyre lokale, dhe t’u bëjnë thirrje të përjashtuarve që jetojnë në zonën e tyre. Ata shfrytëzojnë ankesat lokale për të hyrë në vende të caktuara, ndërkohë që angazhohen vetë në vepra kriminale.

Ndërkohë, ekziston edhe një pikëpyetje mbi paratë e ISIS. Fakti që dega e saj siriane, ka ende qindra miliona dollarë nëpër duar, është një faktor kryesor për atë që do të ndodhë më pas. Ndaj ekspertët, duhet të angazhohen për t’i gjetur këto para.

Shkatërrimi i territorit fizik të ISIS, nuk ka shkatërruar investimet e tij në ekonominë lokale, dhe ka arsye të besohet se disa asete mund të jenë transferuar në Azinë Juglindore dhe Amerikën Latine. Çështja është sesi këto pasuri, do të mbështesin çdo lëvizje të ardhshme në Levant.

Vala tjetër e ISIS-it, do të rishfaqet në kohën e duhur. Duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë në Siri dhe rrethinat e tij, gjetja e këtyre aseteve është shumë e vështirë. Nëse nuk kapen ato burime, paratë sigurisht që do të devijohen në projekte të tjetra.

Përtej kësaj, Siria është vendi ku ndodh pastrimi i parave, por edhe trafiku i drogës, ku angazhohen bashkëpunëtorët e ISIS në kontinente të tjera, nga ku ata mund të krijojnë rrjetet e tyre të paligjshme të tregtisë.

Dikush mund të argumentojë, se kudo që ekziston një vend që i plotëson kërkesat specifike për të zhvilluar një lëvizje të tillë, ka gjasa të rishfaqet bërthama e ISIS. Në përgjithësi, bashkëpunëtorët dhe pasuesit e ISIS po luftojnë në terrenin që kanë zënë aktualisht, po përpiqen të ndërtojnë fuqinë e tyre dhe të përhapin ndikimin e tyre në nivel lokal.

Ndjekësit e tij, kërkojnë vende të tjera ku ka njerëz që vuajnë çdo ditë, dhe ku urrejtja, e cila mund të marrë forma të tilla si nëpërmjet dhunës, zërit ose hapësirës kibernetike, mund të hedhë rrënjë.

Është e rëndësishme të theksohet se urrejtja është një nxitëse e shkatërrimit social, jo vetëm në aspektin e racës dhe marrëdhënieve etnike, por edhe midis feve. Urrejtja është e madhe, afatgjatë dhe kërkon hakmarrje ose korrigjim. Është e qartë që ajo çon në një ekstremizëm, që shfaqet në një spektër të gjerë sistemesh dhe kulturash besimi, ku lulëzon edhe bërthama e ISIS. Prandaj, duhet t’ja mohojmë këtë hapësirë grupit ekstremist.

Përktheu:Alket Goce

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

4 + 1 =