Rëndësia e punës në Islam

Puna në Islam ka një pozitë të rëndësishme. Ajo vlerësohet shumë dhe është shkak për përparimin në këtë botë dhe për fitimin e shpërblimeve të Allahut në botën tjetër. Mbi shtatëdhjetë ajete Kur’anore dhe shumë hadithe pejgamberike flasin për rëndësinë e punës dhe vlerën e saj në Islam, duke i treguar qartë besimtarit qëllimin e tij në jetë dhe duke e nxitur atë për punë në mënyrë të prerë.[1] Nga këto ajete do të veçojmë vetëm disa prej tyre. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Thuaj: punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj”.[2] Po ashtu thotë: “…disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë) dhe disa të tjerë do të jenë duke luftuar në rrugën e Tij…”[3] Siç vërehet nga ajetet Kur’anore, punës i jepet përparësi para luftës në rrugë të Allahut. Pothuajse në të gjitha ajetet Kur’anore, puna që kërkohet të veprohet cilësohet me “salihat” të mira, fjalë e cila përfshin çdo gjë që e rregullon jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër, jetën individuale dhe kolektive, si dhe jetën shpirtërore dhe materiale.[4] Në anën tjetër, Muhamedi a.s., lodhjen dhe mundin gjatë kryerjes së punës e ka llogaritur si shlyerës të mëkateve dhe ka thënë: “Kush kalon ditën duke fituar nga dora e tij, ai do të jetë i falur nga mëkatet”.[5] Nëse i hedhim një vështrim jetës së të gjithë pejgamberëve dhe ndihmësve (shoqëruesve) të tyre më të afërt, do të vërejmë se që të gjithë kanë punuar dhe janë ushqyer si rezultat i mundit dhe punës që kanë bërë. Disa prej tyre janë marrë me bujqësi, disa të tjerë me blegtori e të tjerë me ndërtimtari e zejtari.[6] Islami i nxit njerëzit në përgjithësi dhe besimtarët në veçanti për punë dhe kërkim të furnizimit. Në Kur’an thuhet: “Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Tij…”[7] Po ashtu thotë: “Ai ju ka bërë tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë që ju ka dhënë”.[8] Ndërsa Muhamedi a.s. ka thënë: “Askush nuk mund të hajë ushqim më të mirë sesa atë që e ha nga dora e tij”.[9] Lidhshmëria mes punës dhe etikës në këndvështrimin islam është shumë e madhe, sepse vlerat morale dhe etika islame janë ato që orientojnë punën në drejtimin e duhur. Thënë ndryshe, puna e besimtarit është rezultat i besimit të tij, sepse ai është i bindur se suksesi e lumturia në këtë botë dhe në botën tjetër janë të ndërlidhur ngushtë me punën. Allahu ka caktuar rregulla në këtë botë. Ndër ta është edhe rregulli që citon se, njeriu punëtor arrin suksese më të mëdha në këtë botë, pa marrë parasysh fenë dhe besimin e tij. Puna është e ndërlidhur me një vlerë tjetër etike – me shfrytëzimin e kohës. Besimtari njëmend përpiqet që në maksimum ta shfrytëzojë kohën e tij, ngase koha përfshin jetën e tij. Nëse lejon që të humbë kohë pa ndonjë punë të dobishme, ai me këtë ka bërë “vetëvrasje”.[10] Besimtari duhet të bëj llogari për kohën që kalon. Ai e di mirë se koha është kapitali i tij më i shtrenjtë dhe se do të pyetet për jetën e tij, në veçanti për rininë. Omer bin Abdulazizi thoshte: “Dita dhe nata po punojnë në ty, edhe ti puno në to”. Besimtari duhet të ketë frikë që ditët mos t’i kalojnë pa vepruar ose pa prodhuar asgjë. Ai nuk duhet, në asnjë mënyrë, që punën e sotme ta lërë për nesër, sepse dita e nesërme është e ngarkuar me punë të tjera.[11] Islami e nxit besimtarin që të jetë punëtor i zellshëm, ta kryejë rolin e tij në shoqëri dhe të zbatojë urdhrin e Allahut në përparimin e jetës në tokë, ku thotë: “Ai ju krijoi nga toka, ju vuri të jetoni në të dhe ta rindërtoni atë”.[12] Të gjitha parimet dhe vlerat morale që ndërlidhen me etikën e punës, mund të ndahen në tri grupe: natyra e punës, punëtori dhe punëdhënësi.[13]/ foltash.com

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 35 = 36