Pyetësi: Ku e kam vendin në botën tjetër?

Është e vështirë të dihet fati i njerëzve në të ardhmen e sidomos në botën tjetër. Këtë çështje askush nuk e ka në dijeni përveç Zotit të madhërishëm.
Normalisht që njerëzit që jetojnë në këtë botë, dhe i shmangen dhunës, padrejtësisë dhe shtypjes së njerëzve, kanë një të ardhme të ndritur, sepse prej gjërave që Zoti i do është edhe parimi i paqes, drejtësisë dhe mirësjelljes me të gjithë.
Shkelja e nderit të njeriut e dinjitetit të tij është prej mëkateve të mëdha, shkelja e pasurisë së tij, pasurisë së jetimit, të varfërve dhe kategorive që janë të sprovuar nga mirësitë e botës, janë elemente që të ardhmen e njeriut e tregon Kurani. Të tillët nuk janë miq të Zotit. Shtypësit, dhunuesit dhe ata që nëpërkëmbin të drejtën e njeriut për jete, mendim të lirë dhe siguri, normalisht që Kurani ka treguar të ardhmen jo të mirë të tyre në botën tjetër.
Por çështja se kush e di vendin e secilit, na sjell problematikë në këtë kohë, sepse njerëzit nuk e kanë autoritetin, dijen dhe kontrollin mbi botën tjetër. Njerëzit nuk e kanë të mundur të qartësojnë vendin e askujt në xhenet apo xhehenem.
Është çështje sekrete dhe në dijeninë vetëm të Zotit, sunduesit të gjithësisë e sunduesit të ditës së gjykimit.
Secili nga ne e njeh veten dhe është më se e nevojshme kujdesi për veten, fjalën, mendimin e punën dhe veprën.
Fjala e mirë ka shpërblim, mendimi i mirë e vepra e mirë ka shpërblim te Zoti.
Zoti është i kënaqur kur njeriu bën mirë, flet mirë dhe pajton njerëz dhe ofron njëri me tjetrin.
Zoti nuk është i kënaqur me njeriun që shkakton kaos, mërzi e dhunë mbi bazën e fesë.
Vlera e njeriut është e lartë, vullneti i tij për t’u përcaktuar në çështje të besimit është i garantuar nga Zoti.
Secili duhet ta bind veten që të mos ndërhyjë në çështjet e tjerëve, secili duhet të shikoj veten dhe të përpiqet të jetë i mirë me veten, familjen, shoqërinë dhe rrethin.

foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

2 + 2 =