Puna në islam

Transmeton Enes ibn Maliku nga Pejgamberi (a. s.) se ka thënë: “Nëse informoheni se është duke ndodhur kiameti, ndërsa në dorën e ndonjërit prej jush ndodhet një farë, të cilën ka vendosur ta mbjellë, nëse ka mundësi le ta mbjellë pa u çuar, le ta mbjellë, sepse edhe për të do të shpërblehet” (Umdetul-kari’i)

Fjalët e lartpërmendura të mësuesit të njerëzisë disa nga njerëzit shumë vështirë i kuptojnë, disa janë mahnitur nga këto fjalë, kurse disa të tjerë janë frikësuar nga vdekja. Adhuruesit e denjë ndoshta kanë pritur që i dërguari i njerëzisë në ato momente do të udhëzonte botën në lutje ndaj krijuesit Absolut, në pastrimin e trupit dhe shpirtit që t’i përgatiste ata për dhënien e llogarisë në ditën që do të zgjasë sa pesëdhjetë mijë vite të kësaj bote para madhërisë së Allahut fuqiplotë. Madje, shumë shokë të tij kishin pritur që ai për këtë moment t’u thotë: Kërkoni falje tek Allahu për lëshimet tuaja dhe luteni Atë sinqerisht, që të vdisni si myslimanë! Këto fjalë ndoshta do të ishin një lloj kurimi për zemrat e plagosura, si dhe kurajë e shpresë për disa njerëz! Nuk është aspak çudi nëse dikush do të mendonte kështu, sepse ato janë momente kur edhe nëna do ta hedhë foshnjën e saj nga gjiri, shtatzëna nga frika e asaj dite do ta lindë fëmijën para kohe, kurse burrat do të vrapojnë si të dehur për të gjetur strehim! 
Mirëpo, fjalët që na i tha i Dërguari (a. s.) as që do të na kishte shkuar mendja ndonjëherë deri atje, sepse urdhëron mbjelljen e një peme, frytet e së cilës do të vilen pas disa viteve, ndërsa shkatërrimi i botës vetëm se është duke ndodhur! Nëpërmjet këtij teksti të pamposhtur dhe të paplakur asnjëherë Muhamed Mustafaja (s.a.v.s.) na mësoi se në këtë botë jemi dërguar që të mbjellim e jo të shkulim, sepse filozofia e mbjelljes në Islam është zhvillim dhe përparim, ndërsa filozofia e shkuljes është rrënim dhe shkatërrim. 
Këtë fjalë të madhe ka mundur ta thotë vetëm mësuesi i njerëzisë, ai i cili është i udhëzuar nga Allahu (f. p.) dhe po me këtë udhëzim i ushqen edhe të tjerët. Ai është shembull të cilit nuk mund t’i gjendet asnjëherë rival në historinë botërore. Ai me këto fjalë na mësoi se fati i botës tjetër arrihet me aktivitetet e ndryshme të kësaj bote. Ato faktikisht nuk janë dy botëra të ndryshme, përkundrazi është një botë, fillimi i së cilës është këtu në këtë botë, ndërsa vazhdimi i saj në botën tjetër. Kjo është një rrugë në të cilën drejt vlerësohen të gjitha aktivitetet pozitive të njeriut, qofshin ato shpirtëroremorale ose ekonomiko-materiale. Qëllimi i jetës është një, ndërsa rrugët e saj mund të jenë të ndryshme. 
Vlerat e parimeve islame janë të qarta-ashtu siç nuk mund të ekzistojë trupi pa shpirtin, po ashtu edhe punët ekonomike nuk mund të mbijetojnë pa botën e ritualeve ose e kundërta. Atëherë kur rrugët e ahiretit dhe të kësaj bote do të bëhen një, ato së bashku do të ndikojnë dhe do të veprojnë në ekzistimin e interesit të përbashkët. Këto dy interesa lundrojnë së bashku në zonat e tyre, ashtu siç lundrojnë me miliona yje në qiell secili në rrugën e vet dhe asnjëherë nuk ndeshen njëri me tjetrin! Allahu (f. p.) për këtë bashkim ka sinjalizuar qartë në Kuranin famëlartë: “Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangut atë që të takon nga kjo botë dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit.” 
Këtu janë potencuar aktivitetet e njeriut që përbëjnë një rrugë të përbashkët e që e bëjnë atë të lumtur në këtë dhe në botën tjetër. 
Transmetohet nga Enesi (r.a.) se ka thënë “Çdo njëri prej jush që mbjell një pemë dhe nga frytet e saj më vonë ushqehen shpezët, njeriu ose kafshët, tërë ajo për mbjellësin do të llogaritet si mëshirë e veçantë (Atij i shkruhet si sadaka).” 
Ahmedi ngjashëm me këtë transmeton nga Ebu Ejub Ensariju nga Pejgameri (a. s.) se ka thënë: “S’ka njeri që mbjell pemëe që Zoti (f. p.) të mos i caktojë shpërblimin sipas numrit të fryteve që do t’i japë ajo pemë.” 
Islami ka urdhëruar ithtarët e vet në punën maksimale në fushën e ngritjes materiale, duke dashur që kjo të jetë bazë e botës tjetër. Derisa popujt myslimanë i praktikuan këto parime islame, ata me të vërtetë përparuan në të gjitha fushat e aktiviteteve njerëzore. Stabiliteti ekonomik dhe produktiviteti i lartë i punës është baza e tërë jetës në përgjithësi dhe mu ky është kushti i ngritjes së forcës jetësore dhe i ekzistimit të çdo shoqërie.
Islami, në dallim nga të gjitha sistemet që pa kjo botë, propozon punën në formën më të vështirë të saj, sepse sipas tij puna është baza e çdo kulture. Në Islam nuk ka Festë të radhitur me disa ditë jo pune, manifestimi në Islam mund të zgjasë vetëm disa orë, madje edhe festat në Islam vetvetiu e mësojnë njeriun se ai duhet të jetë punëtor! 

”Dijetarët më afër pejgamberëve” 
Në Kuranin famëlartë Allahu fuqiplotë thotë: “Dhe natën ua bëmë mbulesë. Ndërsa ditën e bëmë për gjallërim (për punë).” ( Nebe’e 10-11) 
Pejgamberi (a. s.) thotë: “Tregtari i sinqertë, i drejtë dhe solidarizues në ditën e gjykimit do të jetë i barabartë me dëshmorët, të cilët për të mirën e shoqërisë sakrifikuan edhe jetën.” 
Puna është baza e ndërtimit të ardhmërisë së vetë njeriut. Se sa mësuesi i njerëzisë e ka vlerësuar punëtorin, shihet nga ky hadith: “Një ditëi Dërguari i Allahut (f. p.), duke qenë ulur nëshoqërisë bashku me disa shokë, aty kaloi një djalë i ri i cili ishte ngritur herët dhe ngutej për të shkuar në punë. Sahabët thanë: “Ku është ai fat që ky djalë i ri të ngutet për në punën e tij në emër të Zotit (f. p.)! Atëherë Pejgamberi (a.s.) tha: “Mosthoni ashtu” dheshtoi: “Nëse ai del për të punuar që të mos t’ia shtrijë dorën askujt, kjo është në emër të Allahut; nëse ai del për të punuar për t’i ushqyer prindërit e tij, fëmijët e vegjël dhe anëtarët tjerë të familjes, konsiderohet se ka dalë në emër të Allahut; mirëpo, nëse dalja e tij ka qenë për sy të botës, atëherë ai konsiderohetse ka dalë nëemërtë djallit.” (Sunen el-Kubra Bejhekiu)
Në një rast tjetër ai tha: “Allahu e do besimtarin punëtor me profesion dhe që mban familjen etij dhe nuk e do atë qëështëi papunë…” Itifah zadatul mutekijn e Zubejdit. 
Nga kjo që prezantuam kuptojmë se puna është themel i mëshirës në këtë botë dhe fat e lumturi në botën tjetër. Mësuesit të njerëzisë atij të cilit iu mundësua një kodër me ar, kulltuqe mbretërore, ai nuk e pranon asnjërën, por ngjitet për pune dhe punon punët më të rënda fizike. Nga punëtorët e parë në ndërtimin e xhamisë Kuba vet ai ishte i pari. Ai ishte simbol i aktiviteteve njerëzore. Besimtarët duhet ndjekur po këtë rrugë dhe të gjithë së bashku duhet punuar për të mirën e shoqërisë, si dhe për të mirat personale. 
Pejgamberi (a. s.) thotë: “Më mirë për besimtarin do të jetë të marrë litarin të shkojë në njëluginë përtë prerë dru dhetishet ato dukefituar prej tyre qoftë edhe sa një sa’a grusht hurma, sesa t’ia shtrijë dorën dikujt.” (Ahmedi) 
Llukman Hakimi e këshillon birin e tij: ”O bir im, shpëto nga varfëria me punë të sinqertë dhe të lejuar, sepse varfërinë e ndjekin tri gjëra: dobësia e besimit dhe e vetë moralit të tij, stagnimi i kulturës shpirtërore-morale dhe rënia e karakterit njerëzor.” 
Omeri (r. a.) thotë: “Asnjëri nga ju të mos e pret fatin e tij duke qenë ulur e duke thënë: o Zot, më pasuro! Ju shumë mirë e dini se prej qielli nuk bie as ar, as argjend.” 
Në një rast e pyetën themeluesin e Medh-hebit Hanbeli, Ahmed ibni Hanbelin, dhe i thanë: “Ç’thua për atë njeri i cili tërë ditën e kalon në shtëpi ose në xhami dhe thotë nuk do të punoj asgjë, sepse fatin ma ka caktuar Allahu?!” Ahmed ibni Hanbeli u përgjigj: Ai është njeri ahmak i çmendur (domethënia origjinale e shprehjes arabe ahmak në gjuhën shqipe do të thotë: njeri i cili tenton të ecë në atë rrugë që nuk ecet). 
Një njeri i urtë kishte thënë: “Kur të lutesh, lutu me duar në parmendë, sepse atëherë Zoti (f. p.) do ta bekojë mundin tënd!” Isai (a. s.) e pyeti një adhurues se ç’punonte? Ai i tha: I lutem Allahut! Kush të mban në aspektin material?, e pyeti Isai (a. s.). Vëllai im, i tha adhuruesi. Ndërsa Isai (a. s.) ia ktheu: “Vëllai yt është adhurues më i mirë se ti.” Islami urdhëron në çdo lloj pune që është e drejtë, qoftë ajo fizike ose intelektuale. Pejgameri (a. s.) tha: ”Dijetarët do të jenë me gradë më afër pejgamberëve”. 
Në një rast tjetër Ai tha: “Vdekja e njëfisi të plotëështë humbje më e vogël sesa vdekja e një dijetari.” Myslimanët kur bazoheshin në këto platforma të punës në Islam ishin pionierët e shkencës, kulturës, diturisë dhe civilizimit. Rrugët dhe rrugicat e metropoleve islame ishin të shtruara me granit, ndërsa veprat e autorëve peshoheshin dhe paguheshin në barasvlerë të peshës së arit. Një pjesë e madhe e detyrimeve islame direkt është e lidhur me punën dhe aspektin ekonomik, sepse po nuk ekzistoi kjo, vjen në pyetje realizimi i po këtyre konditave fetare islame siç janë: namazi, qoftë ai në shtëpi ose në xhami, sepse ato duhet t’i ndërtojë dikush, vizita e shtëpisë së Allahut (f. p.), Haxhi, dhënia e Zeqatit, SadakatulFitri, therja e Kurbanit etj. 

Punëdhënësi në Islam 

Sipas parimeve islame, rreptësisht është e ndaluar puna e cila dëmton anëtarët e shoqërisë, si dhe puna e pamëshirshme që bën ta robërojë njeriu-njeriun, sepse puna e tillë lëviz nga vendi paqen ndërnjerëzore. 

Duke marrë parasysh të gjithë faktorët socialë që mbretërojnë në një shoqëri, pagat e punëtorëve në Islam duhet të jenë adekuate me punën e kryer, madje nëse ka nevojë edhe të stimulohen, e në asnjë rast t’i merret haku atij, duke e konsideruar punëdhënësi punëtorin si kafshë, madje punëdhënësi të merret vetëm me profitin personal, duke tubuar kapitalin të cilit nuk ia jep hakun në emër të Allahut (f. p.), por atë e bën në emër të interesit personal, ose në emër të syve të botës. Allahu (f. p.) në Kuranin famëlartë thotë: “Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit), që ka tubuar pasuri dhe që atë e ruan të mos i pakësohet. E mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm. Jo, të mos mendojë ashtu, se ai patjetër do të hidhet në Hutame. E çka di ti se ç’është Hutame? Është zjarri i Allahut, i ndezur fort, që depërton deri në loçkë të zemrës. Ai i mbyll ata, ua zë frymën. Ata janë të lidhur në pranga të njëpasnjëshme.” (El-Humeze: 1-9)
Imam Gazaliu thotë : “Çdo akt që qytetarëve u sjell dëm material ose moral, paraqet dhunë dhe padrejtësi, sepse e drejta islame në asnjë rast nuk lejon që njerëzit të dëmtohen.” 
Njeriu duhet çdo anëtari të shoqërisë t’ia dëshirojë atë që ia dëshiron vetvetes, dhe çdo hap i cili do t’i dëmtonte ata ose do të krijonte tek ata mërzi ose mosdisponim, është i ndaluar dhe duhet t’i iket asaj. 
Në të kundërtën e kësaj, në Islam është kusht që dinari i çdokujt të vlerësohet. Disa dijetarë islamë kanë thënë: “Ai i cili ia shet tjetrit një produkt për një dërhem, ndërsa ai produkt në treg kushton pesë dërhem dhe sikur ai këtë produkt do ta kishte blerë për vete, ai atë nuk do ta paguante mbi një dërhem, ai ka shkelur mbi normat e sinqerta dhe të ndershme të sheriatit islam, dhe ai nuk ia dëshiron shoqërisë atë që ia dëshiron vetes së tij”. 

Disa rregulla të veçanta

Në Islam ekzistojnë disa rregulla të veçanta që kanë të bëjnë me profitin, mallërat dhe prodhimet, sepse në shkencën e ekonomisë ekziston një dallim i madh mes mallit dhe prodhimit: 
– Nuk guxon që produkti të teprohet në lavdërim dhe të përmenden kualitete që në fakt ai produkt nuk i posedon; 
– Produktit në fjalë nuk ka të drejtë besimtari t’ia fshehë mangësitë të cilat i posedon ai; 
– Nuk guxojmë të propagandojmë me çmime të cilat, në fakt, ato produkte nuk i meritojnë; 
– Maksimalisht të orvatemi në peshimin sa më të drejtë të produkteve, saqë në peshore nuk guxon të ketë as pluhur i cili do të ishte në dëm të vetë konsumatorit. Kjo ishte ajo që e praktikoi mësuesi i njerëzisë gjatë kohës kur ai merrej me tregti dhe kjo është puna në Islam, ndërsa në praktikën e përditshmërisë sonë raportet me punën nuk janë kështu. Pikërisht për këtë është i nevojshëm aktivizimi dhe angazhimi i anëtarëve të shoqërisë tonë në kapjen për pune dhe ndjekjen e këtyre parimeve islame të cilat i përmendem në pika të shkurtra, sepse i Dërguari (a. s.) tha: “Ruhuni dhe mos e bëni veten tuaj porsi të vdekurit që nuk punojnë…” (Bejhekiu) 
Ndërsa një njeri i urtë kishte thënë: “Ose puno të kesh, ose zhduku të mos jesh!” Ne vetë jemi krijuesit e fatit tonë dhe vërtet kemi mjaft mundësi për përparim të shpejtë, për jetë më luksoze se kjo që jemi duke e jetuar, por duhet edhe më shumë të inkuadrohemi në aktivitetet shoqërore, ashtu që të gjithë së bashku të punojmë për progresin mbarëshoqëror, sepse vepra gjykohet nga frytet, kurse njeriu nga puna. 



Rexhep Ziberi
Kryetar i Shoqatës së Ulemave pranë BFI në RM

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

49 − 45 =