Puna e mirë apo qëllimi i mirë?

Ne mund të themi secilën natë para gjumi që nesër kam qëllim-nijet të bëj një vepër të mirë si p.sh.; të jap lëmoshë, të ndihmoj një nevojtarë apo të kontribuoj në një organizim që është në të mirën e shoqërisë, lagjes apo edhe individit. Kjo që thuhet para gjumi mund të ketë qëllim të mirë e qëllimin e di vetëm Zoti. Por çka nëse nuk e realizojmë një qëllim të mirë. A shkruhet vepër me lëvdatë apo mbetet vetëm qëllim?!

Nganjëherë njerëzit e gjejnë qetësinë e kinse qetësimit të ndërgjegjes dhe e mjaftojnë veten me thënien e Muhamedit a.s: Veprat çmohen sipas qëllimit.

Bazuar në këtë hadith të cilin shumë shpesh e keqpërdorin disa për të arsyetuar veprimet e këqija se kinse qëllimi ishte i mirë, krijohet përshtypja e dembelisë dhe jo aktivitetit. Që është edhe më e keqja, edhe luftërat e vrasjet midis pjesëtarëve të një besimi i mbështesin jo rrallëherë edhe në këtë thënie se kinse qëllimi ishte i mirë por nuk doli ashtu. Qëllimi mund të ketë qenë i mirë, por veprimi vrasës dhe gjenocidi nuk mund të mbështetet në këtë thënie të urtë profetike. Të vrasësh njerëz e të cenosh sigurinë e shumëkujt në emër të fesë, nuk arsyetohet assesi me asnjë koncept apo tekst Kur’anor apo edhe praktikë profetike.

Në historikun e besimtarëve Islam kemi raste të shumta të luftërave midis tyre. Për të neutralizuar historinë, disa i quajtën si beteja me qëllim të mirë, ndërsa harruan mbytjet e dhjetëra mijëra njerëzve. Koncepti i vrasjes assesi nuk mund të gjendet në Kuran e as të arsyetohet me kinse qëllimin. Zoti i Madhërishëm ka thënë: “Punoni, se punën tuaj e sheh Zoti, i dërguari i Tij dhe besimtarët…Tevbe 105. Kurani ka thirrur në punë e angazhim të dobishëm për ruajtjen e mirëqenien e njerëzimit. Punët e dobishme që u shërbejnë njerëzve pa dallim besimi. Qëllimi dhe jo puna nuk kanë vlerë dhe nuk duken. Të kesh qëllim të mirë e jo punë nuk është njësoj sikur të kesh edhe qëllimin e mirë të pasuar me veprën e mirë.

Zoti i di qëllimet-nijetin, por e sheh dhe e do punën e dobishme. Njerëzit përfitojnë nga puna e individit e jo nga qëllimi i tij, sado që qëllimi ka rëndësi por ai mbetet i fshehur kurse puna e mirë duket e shihet. Fundja, para Zotit njerëzimi do të dal i vetmuar me shpresë në punën e dynjasë por dhe në mëshirën e Zotit. “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar. Dhe se mundi i tij më vonë (ditën e gjykimit) do të shihet Nexhm 39-40.

Postime te ngjajshme