Pse gratë,janë arma sekrete e terrorizmit

Nga Martine Zeuthen & Gayatri Sahgal “BBC”

Kur gratë bëjnë lajm për shkak të terrorizmit, fokusi ka qenë më shpesh tek roli i tyre si viktima, ose si aleate të mundshme në kundërshtimin e këtij kërcënimi. Në fakt në shumë raste, gratë që marrin pjesë dhe mbështesin ekstremizmin, janë anashkaluar.

Kjo ndryshoi kur adoleshentja e arratisur Shamima Begum, u përshkrua si “vajza model” e Shtetit Islamik, pasi u gjet në një kamp sirian refugjatësh. Katër vjet më parë, ajo u largua nga Britania e Madhe me dy miq për t’ju bashkuar ISIS, por ajo pretendon se aty ishte “vetëm një shtëpiake”.

Megjithatë, Ministri i Brenshëm i Mbretërisë së Bashkuar ia hoqi nënshtetësinë, duke thënë:”Nëse rikthejmë terroristët, do të kemi pasoja”. Rasti i Begum, ka ngritur një numër pikëpyetjesh, rreth pjesëmarrjes aktive dhe të vullnetshme të grave në ekstremizmin e dhunshëm, si në rradhët e ISIS, ashtu edhe tek grupe të tjera.

Analizat sugjerojnë se 17 për qind e rekrutëve ekstremistë në Afrikë janë gra, ndërsa studime të veçanta kanë treguar se 13 për qind e rekrutëve të huaj të ISIS në Irak dhe Siri, janë gra. Shifrat e sakta mbeten të paqarta, dhe mund të jenë shumë më të larta.

Një numër studimesh të tjera, kanë hetuar rolin që luajnë gratë në organizata si ISIS dhe Al-Shabab, një nga grupet më ekstremiste në Afrikë. Hulumtuesit intervistuan gra, që kishin qenë direkt ose indirekt të përfshira me aktivitetet e Al-Shabab, për të zbuluar se si ishin rekrutuar ato, dhe se çfarë ndikimi që ka pasur tek to aktiviteti i dhunshëm ekstremist.

Puna u krye nga akademikë në Kenia, të cilët ishin në gjendje të përdornin përvojën e tyre të gjatë dhe rrjetet brenda komuniteteve, për të identifikuar ato që janë në rrezik për t’u radikalizuar. Rolet e luajtura nga gratë, ndryshojnë nga grupi në grup.

Gratë në Al-Shabab, kanë mbajtur kryesisht role më tradicionale, si bashkëshorte të luftëtarëve, dhe ndihmuese. Ato bëhen ndonjëherë skllave seksuale. Por mund të ndihmojnë edhe në tërheqjen në organizatë të anëtarëve të rinj.

Një studim në Kenia, zbuloi se gratë ishin joshur nga të tjerët me premtimin e një pune, mbështetjes financiare dhe këshillimit. Për shembull, Hidaja (emri i saj i jo i vërtetë), rrobaqepëse, ishte rekrutuar nga një klient që u ofrua të investonte dhe zgjeronte biznesin e saj.

Ajo u bind dhe udhëtoi në një rajon kufitar, prej nga ku u kontrabandua në Somali. Brenda ISIS, gratë zakonisht rekrutohen veçanërisht në internet, dhe luajnë një rol aktiv në projektimin e besimeve të grupit.

Në rastin Shamima Begum, rekrutimi i saj mund të shihej nga ISIS si një fitore propagandistike, pavarësisht nga sugjerimi i saj se nuk kishte bërë asgjë më shumë në Siri, se sa të kujdesej për burrin dhe fëmijët e saj. Nën ISIS, gratë lejohen të shërbejnë si mjeke dhe punonjëse të kujdesit shëndetësor, me kufizime të caktuara, ndërsa grupi ka një forcë policore morale të përbëra vetëm nga gra.

Kohët e fundit, teksa grupimi ekstremist e ka humbur territorin e tij në Irak dhe Siri, i ka vendosur gratë në rolet kryesore, duke përdorur gazetën e tij Al-Naba, për t’iu bërë thirrje grave të tjera t’i bashkohen xhihadit, duke publikuar një video vitin e kaluar, që tregonte disa gra që luftonin në Siri.

Në Somali, ku Al-Shabab po përpiqet të krijojë një shtet islamik të qeverisur nga ligji i Sheriatit, janë parë raste të grave të angazhuara në vijën e parë të frontit ose si luftëtare kamikaze. Mbi 5 për qind e sulmeve të Al-Shabab midis viteve 2007-2016, është kryer pikërisht nga gratë.

Ky është rasti edhe në pjesë të tjera të Afrikës, si Nigeria, ku grupi militant islamik Boko Haram ka përdorur gratë si bomba vetëvrasëse. Ka një numër faktorësh që nxisin rekrutimin e grave në këto grupe. Në një farë mase, duket se ajo që i motivon burrat funksionon edhe për gratë, siç është tërheqja nga një ideologji radikale, apo përfitimet financiare.

Megjithatë, janë përdorur edhe taktika që synonin veçanërisht gratë, të tilla si tërheqja nga kthimi në role tradicionale gjinore. Për shembull, një nga studimet tona tregoi se rekrutuesit e Al-Shabab, shfrytëzonin pasiguritë e disa grave të reja myslimane, të cilat kishin frikë se arsimi i lartë do të vononte perspektivën e tyre të martesës.

Të tjerat, duket se janë tërhequr fillimisht nga premtimet për një vend pune, para dhe mundësi të tjera. Megjithatë, dallimi i motiveve të tyre është i vështirë. Shumë nga gratë e intervistuara, pohojnë se ishin rekrutuar kundër vullnetit të tyre.

Ekzistojnë një numër mënyrash rehabilituese për ish-luftëtarët që kthehen, por pak prej tyre synojnë veçanërisht gratë. Politikëbërësit dhe shërbimet e sigurisë, duhet të marrin përsipër trajtimin e çështjeve specifike mbi grate, që janë larguar tashmë nga organizatat ekstremiste.

Për shembull, shumë prej tyre do të kenë pasur fëmijë me luftëtarë që tashmë kanë vdekur ose rezultojnë të zhdukur, ndërsa të tjerat do të kërkojnë këshillime për traumat që vijnë nga përdhunimi dhe sulmet seksuale që kanë përjetuar.

Është e rëndësishme, që kur të angazhohen mbi rolin e grave në ekstremizmin e dhunshëm, qeveritë t’i trajtojnë këto çështje. Kjo do të kërkojë një kuptim më të mirë se si diferencat gjinore, e nxisin përfshirjen e grave në këto grupime, dhe ndikimin e veçantë që ka kjo në jetën e tyre.

Nga ky proces, do të përfitonin komunitetet e tyre, duke menaxhuar rrezikun që ato paraqesin, dhe duke ndihmuar në parandalimin që më shumë gra, të bëhen pjesë e grupeve ekstremiste.

Përktheu:Alket Goce

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

8 + 1 =