Paqja përgjigje ndaj terrorizmit

Terrorizmi nuk është dukuri apo fenomen që prodhohet me shkop magjik, as nuk është lodër fëmijësh që blihet në dyqan. Ai ka historinë e vet, lëndën e vet, synimin e vet final dhe instrumentet për realizmin e këtij synimi. Por, terrorizmi ka dhe shkakun dhe pastaj pasojat.


Përpjekja për të prodhuar terrorizëm në mënyrë artificiale, terrorizëm të paqenë mund të tërheq simpatinë e çastit të medieve, të qarqeve të caktuara, por jo në mënyrë afatgjate. Gjithashtu, përpjekja për të gjykuar pasojat e terrorizimit pa analizuar shkaqet që sollën terrorizmin, nuk do të çoj në zbutjen apo eliminimin e terrorizmit. Disa shtete të fuqishme kanë inskenuar raste, kanë etiketuar kundërshtarë për të pasur justifikim para opinionit të gjerë për dhunën e pranishme. Pra, terrorizmi ka histori dhe vetëm pas analizimit të historisë së terrorizmit në mënyrë të gjithanshme mund të hulumtohen edhe shkaqet e pasojat, e jo vetëm pasojat. Përpjekja jonë nuk synon t’i analizojë në tërësi këto dukuri, sepse kjo është temë për një studim të veçantë, por synon të ofrojë ca elemente që mund të çojnë në paqe. Këto elemente janë dashuria, altruizmi, dhembshuria, mëshira kundrejt dhunës, torturës, padrejtësisë, individuale apo kolektive.


Islami si paqe dhe kundër terrorizmit

Islam si shprehje do të thotë paqe dhe është fe e paqes. Islami e rrethon personin me mësime të larta, synimi i së cilave është ta vendos dhe bazojë paqen ndërmjet njeriut dhe Krijuesit të tij, Allahut. Po ashtu, këto mësime synojnë të ndërtojnë paqe edhe ndërmjet njeriut dhe njeriut, dhe ndërmjet njeriut dhe pjesës tjetër në gjithësi, të gjenerojë një sistem etik dhe të drejtë. Nëse e pranojmë se terrorizmi është dhunë, frikësim, zhvatje, torturë sistematike që të arrihet një synim apo më shumë synime politike ose nëse e pranojmë se terrorizmi është mbikëqyrje apo detyrim që të tjerët të detyrojnë diç me dhunë, frikë apo kërcënim atëherë si është e mundur që kjo fe, ky besim të preokupohet me terrorizmin si lëndë, temë, objekt. Pa hyrë më thellë do të themi se Kurani përdorë shprehjen fitne, që në një mënyrë është sinonim i ngatërresave, torturave, shpifjeve, vrasjeve, përndjekjeve, të ndjerit e tjetrit i frikësuar, i përbuzur, i kërcënuar. Kurani thotë: “Fitneja është më e rëndë se vrasja.” Gjithashtu Kurani thotë: “Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e shtrembëta.” Allahu i madhërishëm gjithnjë udhëzon drejt dhe qorton besimtarët që të ruajnë rrugën e drejtë karshi të keqes. Terrorizimi i tjetrit, dhuna sistematike ndaj tjetrit, nënshtrimi i tjerëve ndaj vetes na jep titullin e dhunuesit, terroristit dhe terrorizuesit. Këmbëngulja në dhunë shkakton largimin e dashurisë së Zotit, bekimin e Tij, mëshirën e Tij. Por, Islami nëpërmjet Kuranit dhe hadithit shkon një hap më tutje, duke ndaluar të terrorizohen të tjerët, si antipod për terrorizimin ofron vlerat morale, paqen, mirësjelljen, dhembshurinë, mbëltimin e sjelljeve të mira ndaj të gjithëve, pa marrë parasysh ngjyrat, gjuhët, racat, vendin, mentalitetin: “O njerëz! Ne, me të vërtetë, ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj dhe fise, për t’u njohur (në mes vete). Më i lavdërueshëm tek Allahu është ai që i druan më së shumti Atij. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe asgjë për Të nuk është e fshehtë.” Natyra primordiale e njeriut është në thelb substancë etike dhe shpirtërore që anon drejt të mirës dhe vetëdijes për Allahun, kurse mangësitë dhe skajshmëritë e tij (fuxhur) janë veti aksidentale, të cilat do të ketë mundësi t’i tejkalojë nëpërmjet vepër mirësisë (el-birr) dhe vullnetit intelektual dhe etike. Kjo natyrë primordiale e njeriut buron nga vetë emrat e bukur të Allahut sikurse xhemal (bukuri), e për të cilën veti përcillet nga Abdullah ibën Mes’udi se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën.” Domethënë, Allahu sa është imanent (në krijesat), i ngjashëm dhe afër me to, aq është edhe transcendent, i ndryshëm dhe përtej tyre. Allahu, si burim final i paqes, i tejkalon të gjitha kundërshtimet dhe tensionet, dhe është gjendje e përhershme e qetësisë dhe rehatisë, kurse paqja e vërtetë arrihet “Me kujtimin e Allahut.” Nga një kënd tjetër çështjen e paqes e të dashurisë e kuptojmë qartë. Muhamedi a.s. e përshkruan përmbledhtazi mungesën e altruizmit te njerëzit. Një ditë erdhën tek ai disa beduinë arabë dhe njëri nga ata e pyeti Pejgamberin a.s.: “A i puthë ti fëmijët tuaj”? Ai u përgjigj: “Po”. Ata thanë: “Ne kurrë nuk i puthim.” Pejgamberi a.s. u përgjigj: “Ç’mund të bëj unë nëse zemrat tuaja janë të privuara nga mëshira.” Po ashtu, me një rast tjetër Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush nuk i mëshiron njerëzit, atë nuk e mëshiron Allahu.” Edhe pse shoqëria ku lindi dhe jetoi Muhamedi a.s. ishte e vrazhdë dhe jofalëse, mëshira dhe dhembshuria që ai tregoi gjatë jetës ishte mahnitëse. Nexhat Ibrahimi

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

35 − = 29