Papa në Emiratet e Bashkuara Arabe,për të kremtuar diversitetin dhe tolerancen fetare

Nga Dr.Sulltan Ahmed Al Xhaber “Gulf News”

Kur shenjtëria e tij, Papa Françesku, të mbërrijë në Abu Dhabi javën e ardhshme, kjo do të jetë vizita e parë e zhvilluar ndonjëherë nga një papë në Gjirin Arab. Ndërsa është realisht një ngjarje historike, ajo është gjithashtu një testament i fuqishëm i vlerave të vjetra të pranimit, bashkëjetesës, gjithëpërfshirjes, tolerancës dhe humanizmit, që qëndrojnë në themelin e ekzistencës së Emirateve të Bashkuara Arabe.

Që nga themelimi i Emirateve të Bashkuara Arabe, janë ruajtur të drejtat dhe liritë e të gjitha besimeve, sekteve dhe besimeve. Kushtetuta jonë, mbron lirinë e shprehjes shpirtërore, dhe ndalon në mënyrë të prerë çdo lloj forme diskriminimi, të bazuar tek feja apo raca.

Papa Françesku, do të gjejë një vend, ku mbi 1 milionë të krishterë, e praktikojnë fenë e tyre pa asnjë pengesë, krahas popullatës myslimane në shumicë. Në mbarë Emiratet e Bashkuara Arabe, mbi 40 kisha i mirëpresin besimtarët për lutje, ngjitur me xhamitë, apo tempujt hindu, sikh dhe budistë. Pranimi i të gjitha feve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, është shprehje e përkushtimit të lidershipit tonë ndaj një shoqërie të hapur, e cila mirëpret njerëz që përfaqësojnë mbi 200 kombësi dhe etni për të punuar, jetuar dhe  zhvilluar brenda kufijve tanë.

Ky qëndrim bujar ndaj të tjerëve, është një parim thelbësor i vlerave tona, një karakteristikë kyçe e kulturës sonë, si dhe një shtyllë themelore e vizionit të “babait” tonë themelues Sheik Zajed bin Sultan Al Nahjan.

Ai e kuptoi se si vendi i tij, ashtu si vetë rajoni, do të përfitonin nga ndërtimi i urave të bashkëpunimit, dhe krijimi i lidhjeve kulturore me bashkësinë ndërkombëtare. Kjo filozofi, mbështeti një politikë të jashtme, që synon të krijojë partneritete të qëndrueshme, të cilat promovojnë prosperitet në mbarë botën, bazuar në respektin e ndërsjelltë.

Dhe kjo pasqyrohet nga një politikë e brendshme, e cila i trajton në mënyrë të barabartë kulturat e ndryshme. Nën këtë frymë, kur në ishullin Sir Bani Jas u gjetën në vitin 1992, reliket e një manastiri të krishterë të shekullit VII, Sheik Zajed, këmbënguli që ajo të ruhej si një trashëgimi e historisë së përbashkët shpirtërore, dhe një simbol i fuqishëm i harmonisë së sotme ndër-kulturore.

Emiratet e Bashkuara Arabe, vendosën fillimisht marrëdhëniet diplomatike me Vatikanin në vitin 2007, dhe që atëhere raportet me Kishën Katolike vetëm sa janë forcuar. Një vizitë e nivelit të lartë në Vatikan, u zhvillua në vitin 2016 nga Sheiku Muhamed bin Zajed Al Nahjan, Princi i Kurorës i Abu Dhabit dhe zv/komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Pastaj, vitin e kaluar, Sheik Abdullah bin Zajed, Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar, i dorëzoi ftesën zyrtare Papa Françeskut për të zhvilluar vizitën e tij historike në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjatë vizitës së tij, e cila do të përfshijë edhe një meshë publike, Papa do të takohet me Sheik Ahmed Al Tajb, Imamin e Madh të Al-Azharit dhe kryetarin e Këshillit të Pleqve Myslimanë.

Duke bërë bashkë udhëheqësit shpirtërorë të besimeve sunite dhe katolike, ky takim do të dëshmojë një angazhim të përbashkët për parimet e respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës paqësore. Duke ardhur në vendin tonë në “vitin e tolerancës”, vizita e Papës ndihmon në përcaktimin e asaj që nënkuptojmë me këtë term.

Kjo vizitë, përforcon qasjen e gjithëpërfshirjes aktive të Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe na kujton se toleranca nuk është një gjendje pasive, porse ajo kërkon një veprim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm. Është i njëjti parim, që vendos në qendër të vëmendjes tonë pasjen e një shoqërie më të drejtë, ku balanca gjinore brenda institucioneve tona kryesore po realizohet, duke e pasur një prioritet kryesor.

Pikërisht në këtë kontekst, duhet ta shohim ngjarjen historike të javës së ardhshme. Duke e mirëpritur Papa Françeskun, ne po u dërgojmë një mesazh të gjithë atyre që jetojnë mes nesh, pavarësisht nga besimi apo kultura, që duhet jo thjesht të ndihen të pranuar, por të mirëpritur si pjesëmarrës aktivë dhe të kremtojnë kontributin pozitiv që vetë ata japin në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Emiratet e Bashkuara Arabe, janë forcuar nga diversiteti i komuniteteve, që kanë zgjedhur ta bëjnë vendin tonë shtëpinë e tyre. Në përqafimin e këtij diversiteti, Emiratet e Bashkuara Arabe do të vazhdojnë të përparojnë, të japin një ndikim pozitiv në të gjithë rajonin, si dhe të nxisin bashkëjetesën paqësore në nivel global.

Shënim:Dr. Sulltan Ahmed Al-Xhaber, është Ministër i Shtetit i Emirateve të Bashkuara Arabe

Përktheu Alket Goce

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

9 + 1 =