Organi më i lartë fetar për fetva- dekrete fetare ka publikuar qëndrimin e tij ndaj festave të fundvitit

Në prag të vitit të ri, organi më i lartë fetar për fetva- dekrete fetare në Egjipt ( Darul-iftai) në faqen zyrtare në facebook, ka publikuar qëndrimin e tij ndaj festave të fundvitit me titullin : “ A lejohet të festohet me pjesëtarët e besimit të krishterë si dhe a lejohet urimi i tyre për ditën e vitit të Ri. “?
Përgjigjja ishte si vijon:
Myslimanët besojnë në të gjithë pejgamberët dhe profetët e Zotit, duke mos bërë asnjë dallim mes tyre, dhe njëherazi ata ju gëzohen edhe ditëve të lindjes së tyre, të cilat kur i festojnë i festojnë në shenjë falënderimi ndaj Zotit për begatinë dhe të mirat e dërgimit të tyre si udhëzues, dritë dhe mëshirë për qenien njerëzore.
Ditët e lindjes së pejgamberëve janë ndër begatitë më të mëdha të Zotit për njerëzimin. Me fjalë tjera, ditët e lindjes së të përzgjedhurve të Zoti janë ditë të paqes për gjithë njerëzit e botës. Këtë fakt e ka sinjalizuar edhe Kurani në shumë ajete brenda kopertinave të tij.
Në lidhje me profetin Jahja në Kuran shkëpusim: “ Paqja qoftë për të ditën kur lindi, ditën kur do të vdesë dhe ditën kur do të ringjallet”. Ndërsa lidhje me Isaun lexojmë : “ Paqja qoftë mbi mua ditën kur linda, ditën kur do të vdesë dhe ditën kur do të ringjallem përsëri”.
“ Paqja qoftë për Ibrahimin”
“Paqja qoftë për Nuhin”
“Paqja qoftë për Musain dhe Harunin”.

Kështu që, nëse ky është qëllimi i të gjithë profetëve dhe të dërguarve pra ( PAQJA), atëherë shpërfaqja e gëzimit për ta, si dhe falënderimi i Zotit për dërgimin e tyre përmes aktit të festimit është veprim legjitim –sheriatik, bile është formë prej formave të afrimit dhe shpërfaqjes së gëzimit dhe falënderimit të begative të Zotit.
Në përmbledhjen e Buhariut tregohet se si i dërguari Muhammedi a.s. përmes agjërimit ka festuar ditën e shpëtimit të Musait nga Faraoni.
Historia e trashëgimisë së Muhammedi a.s. tregon se ai, pas shpërngulje së tij në Medine i kishte vërejtur hebrenjtë të cilët po agjëronin ditën e “ashures”.
Me këtë rast ai atyre u ishte drejtuar me fjalët: “ Kjo është një ditë madhështore, është ditë në të cilën Zoti e ka shpëtuar Musan dhe e ka përmbysur ushtrinë e Faraonit, prandaj kjo ishte edhe arsyeja pse Musai e kishte agjëruar këtë ditë. Unë kam më shumë përparësi ta dua Musain se sa ata. Nga ky moment i dërguari e kishte filluar agjërimin e kësaj dite si dhe kishte porositur për agjërimin e saj.
Ky solidarizim i të dërguarit të Zotit Muhammedit a.s. me ditën e shpëtimit të Musait (a.s) nuk ishte konsideruar partneritet me besimin e hebrenjve, i cili është i kundërt me besimin predikues të Islamit.
Prandaj, festimi i lindjes së Isaut(a.s.) është veprim legjitim rreth të cilit nuk ka ndonjë pengesë fetare, ngase është vetëm shprehje e gëzimit për të, dhe në të njëjtën kohë është nderim i të dërguarit Muhammedin a.s., i cili në lidhje me të ka thënë: “ Unë jam më i afërti nga ju me Isaun- birin e Merjemes, si në këtë e njashtu edhe në botën tjetër, ndërsa mes meje dhe tij nuk ka ndonjë pejgamber tjetër”.
Gjithashtu, urimi i bashkëkombësve jo mysliman për një festë të tillë si dhe të tjera, me të cilët bashkëjetojnë myslimanët, është një e drejtë legjitime e cila nuk bie në kundërshtim me parimet fetare, e në veçanti, nëse në mes tyre ka ndonjë lidhje familjare, shoqërore, fqinjësore ose ndonjë lidhje tjetër njerëzore, e sidomos kur myslimanët nga pjesëtarët e feve tjera përshëndeten me rastin e festave të tyre islame.
Në lidhje me këtë ne në Kuran shkëpusim:
“ Nëse përshëndeteni me përshëndetje, kthejeni atë me ma të mirë, ose refuzojeni fare”.
Kjo, në asnjë mënyrë nuk do të thotë të pajtohesh me formën e besimit të tyre, e cila është në kundërshtim me besimin e Islamit, por përkundrazi është veprim i drejtë dhe i mirë të cilin e do edhe Zoti.
” Zoti nuk ju ndalon juve që ndaj atyre të cilët nuk ju luftojnë në emër të fesë, nuk ju nxjerrin nga shtëpitë tuaja, që ndaj tyre të jeni të mirë dhe të drejtë. Zoti vërtetë i donë të drejtit”.
Ky ajet kuranor vendos parimin e bashkëjetesës dhe njëherazi sqaron, se lidhja me pjesëtarët jo mysliman, mirësia ndaj tyre, lidhja me ta, shkëmbimi i dhuratave si dhe mirësjellja në përgjithësi; të gjitha janë të preferuara dhe të mbështetura fetarisht.

Shqipëroj nga arabishtja
Xhabir Hamiti

Postime te ngjajshme