Nuk shkon BISMILAHI në fillim të librit e në brendi urrejtja dhe mallkimi

Në fillim të librit e shkruajnë BISMILAHIN kurse në brendi të kundërtën e Bismilahit. Vërtetë është një fakt interesant në mbarë botën muslimane, ku të gjithë pothuajse ngritën dhe duan të mbrojnë me ngulm qe secili libër duhet filluar me BISMILAH. Edhe ashtu ndodh! Secilin libër të çdo fushe qoftë fetare apo shkencore në fletën e parë e shkruajnë dhe e fillojnë me Bislmilah. Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, madhërimi i Emrit të Zotit është diçka që duhet vlerësuar. Por madhërimi në një faqe nuk mjafton, ai duhet të jetë prezent në secilën fjalë, rresht dhe fletë si dhe në tërë librin. Madhërimi i Emrit të Zotit bëhet atëherë kur autori në opinionet e tij të shkruara në libër apo editorialë, nxitë në vlera të respektit, dashurisë dhe drejtësisë për të gjithë. Atëherë kur secili largohet nga gjuha e urrejtjes, dhunës e agresionit, në këtë rast konsiderohet madhërim i Emrit të Zotit.

Të fillosh librin me Emrin e Zotit, kurse në brendi të shkruash gjuhë urrejtëse që shpie në shkatërrim të individëve e shoqërive, është një paradoks që e bëjnë vetëm ata që e përdorin Emrin e Zotit për interesa grupore dhe ideologjike e politike. E me cilën logjikë e fillojnë librin me Bismilah e në mes e fund të librit nuk ka asgjë që thërret në pastërti, ambient të shëndoshë, respekt, nder, kulturë e bashkëjetesë. Cila është ajo logjikë që e pranon një substancë të këtillë me gjuhë denigruese, fyese e me fetva (qëndrime fetare) për mbytje e vrasje kundër gjithë atyre që kanë besim dhe qëndrim ndryshe. Si mund ta kuptojmë prerjen e kokave të njerëzve nga ana e ISIS-it e duke thirrur Emrin e Zotit? A është vërtetë ky vullnet dhe thirrje e Zotit? Assesi!

Emri dhe madhërimi i Zotit bëhet dhe shkruhet në zemrën e secilit që synon mirëqenien, avancimin dhe zhvillimin e lehtësimin e jetëve të njerëzve. Nuk kënaqet Zoti kur dikush ua vështirëson dhe cenon jetën e njerëzve. Ne jemi vërtetë shumë dëshmitarë të mijëra librave që fillojnë me Bismilah, por në brendi trajtojnë tematika fyese e denigruese dhe urrejtëse ndaj shumëkujt. Libra që janë voluminoze e që flasin se si duhet prerë kokën e njerëzve që ndoshta nuk zbatojnë ndonjë mësim fetar, apo edhe libra që në brendinë e tyre të vetmin target kanë se a duhet vrarë dhe si duhet vrarë atë që mendon ndryshe nga ideologjia e të quajturit ISIS. Edhe në këto raste libri fillon me Bismilah, por në realitet sjell në mënyrë të prerë objektivin për luftë, shkatërrim, denigrim, c ‘thurje të familjeve dhe ngërç në trurin e një njeriu të shëndoshë në parim. Fillojeni edhe fjalën me Bismilah por edhe librin fillojeni ashtu, por niseni, vazhdojeni dhe mbarojeni librin me thirrje për të ruajtur nderin e njeriut, jetën dhe shenjtërinë e pasurisë së tij. Lëreni të qetë secilin të ndërtoj jetën e vet dhe të familjes ashtu si e sheh më së miri dhe ashtu si atij i duket se është më mirë.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

88 − 85 =