Në 95 vjetorin e Kongresit të I-rë Mysliman Shqiptar

Kongresi xhemi-ati islamie mbledhur ne tirane me 1923
1- Salim Juniku (jurist)

Në 95 vjetorin e Kongresit të I-rë Mysliman Shqiptar[1] 

nga Ali M. Basha

Hyrje

“Flamuri i diturisë islame do të bartet nga njëri brez në tjetrin nga të moderuarit, të cilët e mbrojnë atë nga shtrembërimet e fanatikëve, pretendimet e falsifikuesve dhe keqinterpretimet e injorantëve”.[2]

Drejtimi i organizmave fetare nga kleri i huaj apo atij shqiptar, dhe, jo rrallë, në varësi e në shërbim të qendrave fetaro-politike të huaja dhe madje, armiqësore ndaj çështjes shqiptare, ka shqetësuar Lëvizjen Kombëtare Shqiptare qysh në fillimet e saj dhe më pas edhe shtetin e pavarur shqiptar, që me krijimin e tij. Çështja e mëvetësimit të organeve dhe të organizmave fetare në Shqipëri për pjesën më të madhe të tyre është zgjidhur vetëm pas stabilizimit të shtetit të ri shqiptar.

Kongresi i Parë i Myslimanëve përfaqëson një ngjarje shumë të rëndësishme jo vetëm për jetën fetare, shoqërore të Shqipërisë, por dhe për jetën politike kombëtare të mbarë popullit tonë. E, megjithatë, Kongresi ka qenë lënë në harresë. Mosvlerësimi shpjegohet vetëm me qëndrimin e njohur të shtetit monist ndaj besimeve fetare dhe organizmave të tyre.

Paragjykimet ndaj bashkësisë islame shqiptare, të konsideruar tejet të prapambetur dhe madje dhe ndaj vetë besimit islam, të konsideruar thjesht si trashëgimi e sundimit disashekullor osman, kanë penguar vlerësimin e rëndësisë historike të Kongresit Mysliman Shqiptar të vitit 1923. Ato nuk kanë mundësuar që t’u kushtohet vëmendja e duhur dokumenteve të miratuara prej tij, të njohura deri më tani. Edhe një shikim i shpejtë i tyre, lejon të vërehet karakteri thellësisht kombëtar dhe përparimtar i vendimeve të marra në këtë tubim.[3]

  1. Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar

Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar përfaqëson organizimin fetar mbi baza kombëtare të shumicës mbizotëruese të popullsisë shqiptare. Vlen të theksohet dhe të kihet mirë parasysh se një organizim i këtij lloji është i pari në të gjithë botën islame. Për shkak të ngjarjeve që e pasuan, konkretisht, pas fitores së Revolucionit Kombëtar Turk, ai përfaqëson, gjithashtu dhe një rast unikal në të gjithë historinë e islamit në kohët moderne.

Ky ishte Kongresi i një popullsie myslimane, e cila kishte dale nga një sundim i gjatë i një perandorie ku mbizotëronte sistemi osman i mileteve. Edhe pse tepër liberal, ky sistem qe shumë i rrezikshëm për mbijetesën e njësuar kombëtare të shqiptarëve plurifetarë për shkak të njëjtësimit, sipas politikës perandorake, të fesë me kombësinë. Porse myslimanët në trojet shqiptare nuk e identifikuan veten si turq, por shqiptarë. Mbi bazën e kësaj ndjenje të njësisë etnike, ata nuk i tëhuajësuan bashkatdhetarët e tyre të krishterë. Ata edhe pse në shumicën dërrmuese ishin myslimanë, nuk dëshmuan shenja intolerance, prirje mbizotërimi dhe ca më pak prepotence ndaj bashkëkombësve të vet të besimeve të tjera, pavarësisht se këta ishin në pakicë. Përkundrazi është kjo shumicë myslimane, e cila tolerancën dhe harmoninë fetare midis të krishterëve ortodoksë dhe atyre katolikë, të trashëguar, e ngritën në një shkallë më të lartë, duke e shndërruar në bashkëjetesë fetare dhe kjo pavarësisht se ishte koha kur grindjet në gjirin e krishterimit ishin në modë.

Nga gjiri i përfaqësuesve të kësaj popullsie dolën më 1923 kërkesat për thirrjen e Kongresit Mysliman. Qeveria lejoi mbledhjen e tij për formimin e Këshillit të Myslimanëve.

Shtypi shqiptar i kohës duke vlerësuar lart nismën e marrë, jo vetëm si një ngjarje thjesht fetare apo shpirtërore, theksonte se mbledhja e Kongresit i kapërcente së tepërmi interesat e fushës përkatëse. Për vetë kushtet në të cilat ndodhej vendi ynë dhe vetë organizimi i besimeve fetare në Shqipëri, nisma të tilla, edhe pse në rrafsh fetar, merrnin ngjyresa të theksuara politike kombëtare me rëndësi të veçantë për të ardhmen jo vetëm të myslimanizmës në Shqipëri, por dhe për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe për ardhmërinë e mbarë kombit shqiptar. Me këtë bindje rrethet e besimtarëve myslimanë i hynë punës për organizimin e Kongresit, synimi i të cilit ishte mëvetësimi i Xhamisë shqiptare.

Jehona e mbledhjes së këtij Kongresi në shtyp ishte shprehje e shqetësimeve të rretheve fetare islame, si dhe midis masës së besimtarëve, mbi të ardhmen e bashkësisë islame në Shqipëri, madje dhe të mbijetesës së saj në Europë. Bashkësia islame shqiptare ishte e vetëdijshme se domosdoshmëria e marrjes së masave për organizimin e saj mbi baza kombëtare dhe sa më përparimtare, kushtëzohej, veç të tjerash dhe nga pozita gjeopolitike e vendit tonë.

Pikërisht sepse iu kundërvunë politikës antishqiptare, këta klerikë u ndoqën dhe u persekutuan nga ekspeditat ndëshkimore. Me dhjetëra qenë hoxhallarët që u arrestuan, u rrahën publikisht, u burgosën dhe u internuan, çka nuk kishte ndodhur me klerikët e besimeve të tjera.

Klerikët myslimanë, jo rastësisht u rreshtuan në radhët e para të Lëvizjes Kombëtare. Në këto pozicione ata u gjendën jo vetëm në saje të atdhetarizmit, por dhe në saje të formimit të tyre intelektual, duke dëshmuar një shkallë të lartë vetëdijesimi kombëtar. Këta intelektualë, të arsimuar jo vetëm nga ana teologjike, përfaqësonin në të njëjtën kohë, personalitete të shquara të kulturës islame. Shumë prej tyre qenë njohës të thelluar të kësaj kulture: të gjuhëve të Lindjes, të filozofisë, të moralit, të së drejtës e në mënyrë të veçantë të letërsisë.

Edhe pse nuk qenë shkolluar në Perëndim shumë prej tyre në sajë të kulturës islame, njohjes së gjuhëve arabisht, persisht e turqisht patën mundësinë të njihnin thellësisht, siç thotë Fan Noli, rrënjët e Qytetërimit Evropian: Përlindjen e shkëlqyer të Persisë, që buronte drejtpërdrejt nga qytetaria greko-romane prej së cilës lindi Përlindja arabe, e cila nga ana e saj përmes Spanjës influencoi Evropën medievale dhe gatiti Përlindjen e madhe italiane, nënën e qytetarisë moderne.[4]

Pra, jo rastësisht, dijetarë si ato që u përmenden më sipër, u vunë dhe në ballë të përpjekjeve për organizimin e bashkësisë islame mbi baza, siç e shpallnin dhe vetë kombëtare dhe moderne.

Nën udhëheqjen e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në të cilën këta dijetarë atdhetarë luajtën një rol parësor, popullsia myslimane shqiptare, sikurse mbarë populli ynë, doli nga sundimi i Perandorisë Osmane me identitetin e vet kombëtar të njësuar, të përcaktuar dhe të shprehur pa kurrfarë mëdyshjeje.

Ky identitet, i përcaktuar qartë kombëtarisht, kërkonte dhe impononte dhe një organizim të bashkësisë islame në Shqipëri mbi baza kombëtare. Ky qe një proces, i cili kishte filluar dhjetë vjet më parë nga qeveria e Vlorës e Ismail Qemalit me caktimin e H. Vehbi Agollit, si kryemyfti dhe i Vejsel Nailit si kryekadi të Shqipërisë pa pyetur dhe pa marrë miratimin e Stambollit. Për ta çuar deri në fund këtë proces të nisur që në ditët e para të Pavarësisë shqiptare, u mblodh Kongresi Mysliman Shqiptar.

Vehbi efendi Agolli në fjalën e hapjes të Kongresit theksoi, më 24 shkurt 1923, me të drejtë, karakterin liberal e demokratik të fesë myslimane. Ajo i kishte të hapura portat për diskutimin e lirë të të gjitha problemeve, që i interesonin botës myslimane, sepse siç u shpreh ai fjalë për fjalë, “me ndërrimin e kohës ndërrojnë edhe gjykimet”.

Nismëtarët, organizatorët dhe drejtuesit e këtij kongresi vinin në kuvend me një koncept të qartë dhe të gjerë bashkëkohor përsa u takonte masave dhe vendimeve që do të merrnin.

Kryemyftiu i Shqipërisë, duke marrë parasysh gjendjen fetare të vendit, shtronte para besimtarëve myslimanë detyrën për të vënë mbi gjithçka bashkimin dhe vëllazërimin kombëtar të mbarë shqiptarëve, pa dallim besimi. Porosia e kryemyftiut të parë të Shqipërisë u bë ideja themelore që përshkoi të gjithë punimet e Kongresit, çka u pasqyrua dhe në Statutin e miratuar. Kështu, sipas Statutit, “Detyrat e Këshillit të Sheriatit (Divanit) janë: a)Të sigurojë njisin ndërmjet muhamedanëve, duke respektuar doket, dogmat e tarikateve dhe të shfaqë shpirtin liberal dhe njerzuer të muhamedanizmës, me një zhvillim modern e kombëtar, duke bërë reforma”; b) të ngrejë institute fetare për me nxjerrë imamë, hatiba, vaiza, myftij, myderrizë, shejhë e teologë dhe të përmirësojë medresetë mbas reformave të reja…” Këto ide e kanë udhëhequr gjatë gjithë veprimtarisë së tij Komunitetin Mysliman Shqiptar.

Si pikë referimi të analizës, që bëri në Kongres rreth gjendjes politike, shoqërore dhe fetare të shqiptarëve në kohët më të reja, atdhetari i mirënjohur Vehbi Agolli në fjalën e tij nënvizonte fitoren e madhe historike të shqiptarëve në Kuvendin e Vlorës me Shpalljen e Pavarësisë, të ripohuar, të përforcuar dhe të kurorëzuar dhe një herë me Kongresin e Lushnjës.

Në Statutin e vitit 1923 nuk bëhet fjalë për kurrfarë lidhjeje fetare organizative me Stambollin, as me Kalifatin dhe as me Shejh’u Islamin. Gjithë organizimi dhe funksionimi i kësaj Bashkësie ishte menduar dhe ligjësuar i pavarur prej ndonjë qendre tjetër fetare të huaj, kushdo qoftë ajo.

Synimi i përfaqësuesve të bashkësisë së myslimanëve shqiptarë ishte dhe mbetej sigurimi i “një zhvillimi modern e kombëtar” të fesë islame në Shqipëri. Për vënien në jetë të kësaj detyre jepej direktiva për zbatimin e disa risive, reformave, të cilat nuk do të preknin themelet e besimit islam. Kështu, në dokumentet e miratuar nga Kongresi Mysliman, si detyrë kryesore u përcaktua: “Të siguroj njisjen (bashkimin) ndërmjet muhamedanvet dhe të çfaqi shpirtin liberall Hyr dhe ndërnjerzuer të muhamedanizmës me nji zhvillim modern (aser) e kombtar tuej bamë reforma pa i prekë themelet fetare”.

Hartuesit e Statutit të Komunitetit Mysliman përcaktuan qartë drejtimet për zhvillimin modern, bashkëkohor të Komunitetit Mysliman. Ata qenë të vetëdijshëm, që sendërtimi i kësaj detyre lidhej ngushtë me përparimin e atdheut. Pra, pa u ngatërruar në parcelizimin dhe pronësimin mbi bazën e kritereve gjeografi ke të kulturave universale të Perëndimit dhe të Lindjes, ata u orientuan drejtë në zgjidhjen e detyrave themelore të bashkësisë islame në funksion të përparimit të atdheut të tyre. Duke pasur parasysh kuptimin shqip të fjalës orient, mund të themi, se ata u orientuan pa vështirësi në horizontet e paanë të qytetërimeve e të kulturave në përputhje me gjendjen gjeopolitike dhe gjeofetare të atdheut, duke iu përgjigjur me përgjegjësi dhe në lartësinë e duhur detyrave që qëndronin para tyre.

Me fjalë të tjera, si detyrë kryesore shtrohej që përmes reformave, të cilat nuk preknin themelet e besimit Islam, të sigurohej zhvillimi modern dhe kombëtar i bashkësisë islame. Me këtë rrugë, nënvizohej në dokumentet e Kongresit, do të dëshmohej karakteri liberal dhe njerëzor, human i këtij besimi.

Detyrë parësore e Këshillit të Lartë të Sheriatit shtrohej, gjithashtu, përmirësimi i arsimit fetar mbi baza kombëtare shqiptare dhe moderne, siç thuhej shprehimisht, “mbas reformave të reja”, “simbas shekullit të sotshëm”.

Një vend i veçantë iu dha masave, që do të merreshin për zhvillimin e mësimit të fesë, duke përgatitur libra e tekste për predikime fetare në gjuhën amtare, të hartuara dhe të përgatitura në përputhje me kërkesat e kohës. Zhvillimi i arsimit fetar do të bëhej sipas kërkesave bashkëkohore, siç thuhej në Statut, “simbas shekullit të sotshëm”.

Nga jehona, që pati në shtyp dhe nga vendimet e marra në Kongres del plotësisht e qartë, se gjithë shqetësimi i delegatëve, që morën pjesë në të, ka qenë vënia e organizimit dhe e funksionimit të Bashkësisë Islame Shqiptare mbi baza kombëtare dhe sa më bashkëkohore. Kongresi sanksionoi me statut karakterin etnik shqiptar të përbërjes së Këshillit të Lartë të zgjedhur prej tij.

Lajmi për vendimin kryesor të Kongresit – për shkëputjen e xhamisë shqiptare nga Shejh’ul Islami, u prit kudo me miratim dhe entuziazëm të theksuar nga gjithë opinioni publik shqiptar, pavarësisht nga besimi. U përshëndet nga të gjithë banorët e vendit tonë, duke u shndërruar në një festë të vërtetë. Në to u bënë lutje fetare në gjuhën shqipe, duke zbatuar aty për aty vendimin e Kongresit. Ky lajm i rëndësishëm u përshëndet dhe me të shtëna artilerie.

Me vendimet e Kongresit bashkësia islame shqiptare u shkëput, tashmë edhe juridikisht, nga qendra e saj botërore në Stamboll, plot një vit më parë se ajo të abrogohej nga Mustafa Qemali.

Në faqet e revistës “Zani i Naltë”, duke e vlerësuar Kongresin si “Një hap (drejt) përparimit”, arsimtari veteran Sheuqet Muka uronte, që këto vendime të çoheshin më tej në kongresin e ardhshëm të myslimanëve shqiptarë. Ky urim mbetet një porosi edhe për të sotmen dhe të ardhmen e bashkësisë islame në Shqipëri.

Si përfundim, mund të thuhet, se Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar sanksionoi pavarësinë e bashkësisë islame në Shqipëri. Ai hapi, siç del nga jehona e tij, dritën jeshile për emancipimin e myslimanëve shqiptarë. Këtë dëshmoi në vijim qëndrimi miratues i kësaj bashkësie ndaj legjislacionit të ri civil të Mbretërisë Shqiptare.

Kongresi programoi shqipërimin e veprave fetare islame, duke mos përjashtuar edhe vetë Librin e Shenjtë “Kur’anin”. Një masë e tillë shënonte aso kohe një hap të madh përpara për të gjithë botën myslimane. Në realizimin e kësaj detyre u angazhuan teologë të mirënjohur, fetarë dhe laikë. Midis tyre shquhet mbi të gjithë kleriku atdhetar Hafiz Ibrahim Dalliu.

Përballë përpjekjeve, që u vërejtën në ato vite për organizimin e një komiteti panislamik në Shqipëri, krijimi i Bashkësisë Islame Shqiptare mbi baza kombëtare dhe i organit të saj të pavarur nga një qendër e huaj e jashtme, shënon një sukses shumë të madh jo vetëm për atë kohë, por dhe për të ardhmen, për vetë fatet e kësaj Bashkësie dhe të bashkëjetesës me vëllezërit e krishterë.

Vendimet e Kongresit të Parë Mysliman Shqiptar dhe masat e përpjekjet për vënien e tyre në jetë bënë që abrogimi i Kalifatit një vit më vonë në Turqi, të kalonte pa ndonjë reagim negativ, siç mund të mendohej, apo dhe siç ndodhi në vende të tjera islame, qoftë dhe në Ballkan.

Vendimet e Kongresit Mysliman në mars 1923, ashtu sikurse dhe vendimet e Kongresit Bektashian të Prishtës në janar 1922 dhe të Kongresit të Kishës Ortodokse në Berat në shtator 1922 i vunë organizmat fetare të masës dërmuese të popullsisë shqiptare në vendin tonë, organizativisht dhe administrativisht, mbi baza kombëtare jashtë ndikimeve politike të huaja të dëmshme, apo dhe të rrezikshme. Me këto vendime viheshin në jetë idealet e rilindësve tanë, në radhët e të cilëve militonin aktivisht dhe klerikë të këtyre besimeve, për sigurimin e bashkimit dhe vëllazërimit kombëtar të mbarë shqiptarëve pa dallim besimi.

Qëndrimet pozitive të mbajtura nga organet klerikale myslimane dhe nga shtypi shqiptar i kohës, janë shprehje të një mendësie moderne mbarëpopullore, që kishte përfshirë të gjitha masat myslimane të vendit dhjetëra vjet më parë. Pavarësisht nga zikzaket e pashmangshme dhe pavarësisht nga ritmet që i imponuan, bashkësia islame prirej dhe priret drejt qytetërimit dhe përparimit dhe ka ecur dhe vijon të ecë pa u ndalur në këtë rrugë.

Në Kongresin e Parë Mysliman Shqiptar u dëshmua katërcipërisht tubimi i një bashkësie me identitet kombëtar të përcaktuar dhe të shprehur prej kohësh, me një përfytyrim të qartë bashkëkohor për zhvillimin e saj dhe të Atdheut. Rëndësia e mëvetësimit të xhamisë, për vetë përmasat e këtij akti historik, i kapërcen caqet e historisë sonë kombëtare.

Të ndriçuar nga idetë e Përlindjes Myslimane dhe të epokës së sotme, Bashkësia Islame Shqiptare do të vijojë të dëshmojë karakterin liberal e demokratik të fesë islame. Edhe sot e kësaj dite mbetet e qartë për të gjithë se ajo i mban të hapura portat e ixhtihadit, për diskutimin e lirë të të gjitha problemeve, që i interesojnë botës myslimane. Nisur nga porosia e Haxhi Vehbi Dibrës, që “me ndërrimin e kohës ndërrojnë edhe gjykimet” mbetet detyrë e pasardhësve të tij për ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të konceptit kombëtar dhe modern të organizimit dhe të zhvillimit të Komunitetit Mysliman.

Detyra që shtroi Kongresi i pare Mysliman Shqiptar para organeve të tij dhe të gjithë besimtarëve të bashkësisë islame shqiptare për sigurimin e “një zhvillimi modern e kombëtar” të fesë islame në Shqipëri mbetet në rend të ditës. Në radhë të parë, shtrohet detyra për ruajtjen dhe përforcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Të vetëdijshëm se qytetërimi i sotëm është fryt i gjithë zhvillimit historik të njerëzimit, në të cilin qytetërimi islam ka dhënë një ndihmesë të veçantë, nuk kemi pse i frikësohemi rrjedhave integruese evropiane.

Vetëm mbi bazën e një zhvillimi kombëtar dhe modern, Komuniteti Mysliman do të vijojë të dëshmojë, siç kërkonte Statuti i pare i tij, karakterin liberal dhe njerëzor, human të Islamit. Nisur nga kjo, detyrë parësore e tij mbetet zhvillimi i arsimit fetar mbi baza kombëtare shqiptare dhe moderne, “simbas shekullit të sotshëm”, sipas kërkesave të shekullit XXI.

Mbetet detyrë e dorës së pare edhe në ditët tona shqetësimi i delegatëve të Kongresit për organizimin dhe funksionimin e bashkësisë islame shqiptare mbi baza kombëtare, sa më bashkëkohore. Vijimi konsekuent i rrugës së hapur nga Kongresi për emancipimin dhe organizimin përparimtar të bashkësisë islame shqiptare, nuk do ta pengojnë teorizimet gjoja shkencore rreth të ashtuquajturit identitet evropian të shqiptarëve, të cilat shpërfillin identitetin tonë kombëtar. Qëndrime të tilla nuk mund ta ç’orientojnë Komunitetin Mysliman, aq sa të pengojnë angazhimin e tij në përpjekjet e popullit tonë për t’u integruar në Evropë.[5]

  1. Ideja për mbledhjen e Kongresit I-rë të myslimanëve të Shqipërisë

“… fetë e përhapura në Shqipëri nuk mund të ushtronin ndonjë ndikim të madh në orientimet e opinionit publik dhe të kulturës mbisunduese. Cilatdo që të ishin opsionet personale të eksponentëve të tyre në zë, bashkësitë fetare shqiptare në periudhën midis dy luftërave i ndihmuan (ose iu nënshtruan) në forma të ndryshme patriotizmit prepotent dhe hegjemon nga pikëpamja ideologjike. Nuk kishte vend për të mbajtur qëndrim pro ose kundër – zgjedhja në njëfarë mënyre ishte e detyruar, po të mos doje të cilësoheshe si heretik i besimit nacionalist. Nacionalizmi i përshkonte bashkësitë fetare, duke ndeshur vetëm në kundërshtimin e ndonjë pakice, madhësia e së cilës nuk duhet mbivlerësuar”.[6]

 

Mbledhja e një Kongresi të myslimanëve të Shqipërisë ka qenë dëshirë konsensuale e shprehur vazhdimisht nëpër qarqet islame. Për mënyrën e organizimit të këtij kongresi ka pasur mendime të ndryshme dhe është bërë edhe një lloj përgatitje nga vetë prijësit myslimanë. Por çështja u shty për shumë shkaqe – vendi ishte i okupuar, nuk gjendej zgjidhje ekonomike për zhvillimin e punimeve të Kongresit dhe për probleme të tjera si: zgjedhja e delegatëve, koha, vendi etj.

Që në vitin 1917 Myftiu i Shkodrës, H. Xhemal Naipi i dërgon H. Hafiz Isuf efendi Kelmendit “Rregulloren mbi zgjedhjen e delegatëve për Kongresin e Xhema’ati Islamijes”. Votimi do të bëhej me zgjedhës të dytë. Do të kishin të drejtë vote të gjithë myslimanët, që do të ishin në moshën 21 vjeçare[7].

Kryeministri i kohës, Ahmet Zogu, me 7 dhjetor 1922, nis dy shkresa në Gjyqin e Naltë të Sheriatit. Nëpërmjet shkresës së parë kërkon mendimin e Gjyqit të Naltë, si edhe për dikasteret e tjera të vendit që, “për t’u dhënë të gjitha zyrave të shtetit një formë moderne, duke siguruar shpejtësinë e mirëvajtjen e veprimeve zyrtare në mënyrën e dëshiruar, veprim që do të jetë i pari hap i përparimit të Atdheut, të njoftohemi me anë të një raporti studimor se ç’masa mendon ai gjyq mbi organizimin e përgjithshëm e mbi përparimin e asaj ministrie e të degëve a të direksioneve të varura prej saj, duke pasur në kujdes gjithnjë ekonominë”[8], kurse nëpërmjet shkresës tjetër, kërkon që “për të pasur mundësi, që të merren pastaj masat e duhura për t’i dhënë asaj dege një gjallëri e një përmirësim në mënyrën e dëshiruar, jeni të lutur që, nëpërmjet një raporti e të një projekti të posaçëm, të na jepni mendimet dhe mënyrën mbi formimin e Xhemijeti Islamijes”[9].

Gjyqi i Naltë i Sheriatit me 16 dhjetor 1922 njofton Kryeministrinë se “Zyra e Ilmijes ndjen gëzimin më të madh dhe paraqit falenderimet e Kryesisë për formimin e Xhema’ati Islamijes. Formimi e aplikimi i rregullës së xhema’ateve në atdheun tonë, është një punë me rëndësi, sepse forma kombëtare e shtetit është një pengim për qeverinë që merret me çështje fetare në Shqipëri, ku ndodhen elementë të ndryshëm. Prandaj, për të siguruar mirëvajtjen dhe përparimin e parimeve të larta myslimane, është një gjë e domosdoshme organizimi i xhema’atit, të shtyrë prej nevojës, që po ndihet dhe në qarkun dijetar (Ilmijes). Për vërtetim ju paraqesim Statutin e Xhema’atit, duke u lutur që të keni mirësinë e të na urdhëroni përfundimin e tij”[10]. Me qarkoren e datës 16 dhjetor 1922 Gjyqi i Naltë i Sheriatit njofton rrethet për këtë porosi. Bashkëngjitur me shkresën që shpreh gëzimin e Degës së Ilmijes për këtë iniciativë të qeverisë, pranon se në një vend ku aplikohen disa besime fetare, organizimi i tyre është më i drejtë me xhema’ate.[11]

  1. Dinamika e organizimit të Kongresit të I-rë

Këshilli i Naltë i Sheriatit relacionet e veta me shtetin shqiptar mbi varësinë e tij (merbutijet), i ka prerë dhe quhet një zyrë indipendente, e lirshme në veprim për mbrojtjen e të drejtave fetare të elementit të vet, si dhe për përparimin e lulëzimin në çdo pikëpamje, prandaj kjo kryesi ju njofton se dhe këshillat e xhema’atit janë të lidhura drejtpërsëdrejti me Këshillin e Naltë të Sheriatit dhe për çdo çështje e marrëveshje që të kenë nevojë, janë indipendente në qarkun e vet, duke mos pasë kërkush të drejtë kundërshtie e pengimi në detyrat përkatëse të tyre”.[12]

Gjyqi i Naltë i Sheriatit i drejtohet Kryeministrisë dhe e njofton se, me që e shikon të nevojshme një këshill (kongres – A. B.) të myslimanizmës (Xhema’ati Islamije), për të cilin është folur e kërkuar herë pas here verbalisht edhe nga ana e popullit mysliman, ka caktuar që të bëhet një mbledhje për formimin e këshillit në fjalë me 20 shkurt 1923. “Me këtë rast e njoftojmë të lartën Kryeministri dhe kërkojmë prej saj të na ndihmojë, duke u dhënë urdhërat e duhura të gjithë prefekturave e nënprefekturave që të zgjedhin rregullisht nëpërmjet bashkive nga 1 person e ta dërgojnë në Tiranë”, përfundon shkresa.[13]

Kryesia e Këshillit të Ministrave dërgon vendimin e vet të datës 29 janar 1923 për dhënien e lejes Gjyqit të Naltë të Sheriatit për të bërë mbledhjen e përgjithshme me 20.II.1923[14]. Ministri i Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu, me një telegram sekret njofton Prefekturën Elbasan se i jepet leje Gjyqit të Naltë të Sheriatit për të bërë mbledhjen e përgjithshme me 20.II.1923 për fomimin e Këshillit të Naltë Mysliman, Xhemijeti Islamije, e lypur shumë herë prej popullit mysliman. Lajmëroni në këtë mënyrë të gjitha zyrat kompetente për këtë veprim. Nëse shihet e nevojshme për shkoqitje, merruni vesh me kryetarin e Gjyqit të Naltë të Sheriatit.[15]

Edhe vetë Këshilli i Naltë i Sheriatit me qarkore njofton prefekturat e nënprefekturat se “me 20 shkurt 1923 do të bëhet në kryeqytet një mbledhje e përgjithshme prej delegatëve myslimanë për formimin e Xhema’ati Islamijes. Me këtë mbledhje çdo prefekturë do të dërgojë një përfaqësi, e cila do të zgjidhet nga përfaqësuesit e krahinave të lagjeve myslimane, të cilët do të jenë zgjedhë me anë të pleqësive të tyre dhe mandej do të votojnë nën kontrollin e bashkive. Delegatët, që do të dërgohen këtu do të jenë që të dinë me shkrue e me këndue mirë gjuhën zyrtare e të kenë dijeni të plota ashtu dhe besimtarë feje e me morale të mira. Zgjedhjet të bëhen me një shpejtësi të madhe që t’ia mbërrinë mbledhjes në kohën e caktueme. Çështja e shpenzimeve u njofohet më vonë.”[16]

Me telegramin e datës 11 shkurt 1923, Myftiu i Përgjithshëm njofton prefekturat e nënprefekturat se “me që koha e mbledhjes së përgjithshme për formimin e Xhema’atit Mysliman u afrua tepër, zgjedhjet e përfaqësuesve që do të dërgohen këtu, të bëhen vetëm nga ana e bashkive me një shpejtësi të madhe me konditat që ju kemi treguar”.[17]

Ministri i Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu me datë 11 shkurt 1923 u dërgon një qarkore shifër zyrave vartëse me këtë përmbajtje: “Jeni të lutur të përpiqeni në mënyrë legale që delegatët, që do të zgjidhen për me marrë pjesë në mbledhjen e përgjithshme të myslimanizmës të jenë patriotë dhe pak a shumë liberalë”[18] dhe një ditë më pas shton: “Nuk është e domosdoshme, që delegatët të jenë hoxhallarë, vetëm duhet të jenë patriotë dhe pak a shumë liberalë”[19]. “Me qenë se shumica e delegatëve nuk mundën me u mbledh, mbledhja do të hapet me datë 24.II.1923”[20].

Pastaj vazhdojnë urdhrat e njëpasnjëshëm telegrafi kë në lidhje me emrat e personave që duhet të zgjidhen delegatë për në Kongresin Mysliman. Prefektura e Dibrës urdhërohet: “Si delegatë për në mbledhjen muhamedane, që do të bëhet këtu, zgjidhni zotërijtë Vehbi, Myfti i Përgjithshëm dhe Salih Vuçiternin”.[21]

Po atë ditë Prefektura e Kosovës porositet: “Si delegat për në mbledhjen e përgjithshme muhamedane, që do të mbahet këtu, zgjidhni Qamil Balën, Halim Gostivarin dhe Osman Nikolicin”.[22] Kjo është praktika e zgjedhjes së delegatëve për këtë Kongres, pra me që supozohej se kryetari i bashkisë është zgjedhur nga populli edhe delegatët mund të zgjidheshin nga kryetari i Bashkisë. Në ato vende ku nuk ekzistonte ky institucion, zgjidheshin nga mbledhja e kryepleqve. Më në fund, mbasi listat ishin grumbulluar në Gjyqin e Naltë të Sheriatit, ky ia përcjell Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke i bërë edhe konfirmimin zyrtar, se cilët ishin zgjedhur: Xhemal Naipi – Pukë; Qerim Buzmadhi – Mallakastër; Sheh Xhemali – Lumë; Rasim Sulejmani – Has; Salim Luniku – Gramsh; Hafiz Musa Haxhi Aliu – Librazhd; Ali Koka – Kurvelesh. Këta janë zgjedhur në ato vende ku nuk ka bashki. Ndërsa delegatët e zgjedhur në vendet ku kishte bashki kanë qenë: Veli Kallapodhi – Delvinë; Abdurrahim Tepelena – Tepelenë; Reshat Kokalari – Gjirokatër; Salih Hamza – Përmet; Shaqir Hoxha – Korçë; Ali Galipi – Libohovë; Qerim Fuga – Berat; Abdurrahman Fehmiu – Fier; Sheh Ibrahim Karbunara – Lushnje; Muharrem Mullaj – Elbasan; Haxhi Jusuf – Kavajë; Hafiz Ali – Durrës; Ahmet Rustemi – Shijak; Banush Hamdiu[23] – Pogradec; Ibrahim Xhindi[24] – Vlorë; Halit Rroji[25] – Shkodër; Halim Gostivari[26] – Kolonjë; Ihsan Leskoviku – Leskovik; Mehmet Pengili[27] – Krujë; Qamil Bala[28] – Kosovë; Vehbi Dibra – Dibër; Salih Vuçiterni[29] – Zerqan; Muhtesin Këlliçi – Tiranë; Dervish Aliu – Skrapar; Major Emini – Bilisht.

I dërgohet Ministrisë së Punëve Brendshme lista e delegatëve të Kongresit për t’u paguar udhëtimi dhe kthimi, sipas dëftesave, si dhe dijetat nga 20 shkurti deri me 13 mars nga 10 fr. ari në ditë. Delegatëve që banojnë në Tiranë si dhe delegatëve që janë deputetë, nuk do t’u paguhet gjë.[30]Ministria e Punëve të Brendshme njofton telegrafisht zyrat e veta vartëse se “shpenzimet që do të bëhen prej delegatëve, që kanë me marrë pjesë në mbledhjen e përgjithshme të myslimanizmës duhet të paguhen prej bashkive të vendit, siç u paguan edhe delegatët e popullit ortodoks”.[31]

Gjyqi i Naltë i Sheriatit njofton Dervish Himën, kryetar i shoqatës “Djelmënia Dibrane”, se vendi i mbledhjes do të jetë ndërtesa e klubit në fjalë, e cila ndodhej në rrugën e Dibrës, prandaj lutet që “të merren masat e duhura për këtë rast-ndërtesa të stoliset e të rregullohet sikurse duhet, duke u shënuar posaçërisht vendi nga ku do të flasin delegatët, vendet e dëgjuesve, të sekretarisë, të gazetarëve, që mund të jenë të pranishëm, si dhe të përfaqësuesit të Qeverisë. Mbledhja do të kryesohet nga Dervish Hima dhe do të vazhdojë sa ta lypë nevoja”[32].

Myftiu i Përgjithshëm njofton delegatët, që me datë 21.II.1923 do të bëhet një mbledhje private në ndërtesën “Djelmënia shqiptare” për Kongresin, firmosin marrjen e njoftimit 19 delegatë.[33]

Nga ana e Qeverisë, Ministri i Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu, me datë 24. II.1923 cakton të deleguar z. Qerim Çelo, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme[34].

[1] Titulli nga redaksia.

[2]. Muhamedi (a.s.), sipas Jusuf Kardavit, Rizgjimi islam ndërmjet kundërshtimit dhe ekstremizmit. Logos-A, Shkup 1417/1997:10.

[3] Ky artikull është marrë nga libri “Rrugëtimi i fesë Islame në Shqipëri” (1912-1967) të autorit të ndierë z. Ali Musa Basha, botim i vitit 2011.

[4]. F. S. Noli, f. 206.

[5]. Shpjegime të tjera mbi dinamikën e punimeve të Kongresit, vendimet e marra nga Kongresi dhe jehonën e tyre etj. Shiko: Ali M. Basha. Islami në Shqipëri gjatë shekujve. Tiranë, 2000:119-139.

[6]. Roberto Morozzo Della Rocca. 1994:13.

[7]. AQSH, Fondi 482; viti 1917; dosja 4.

[8]. Po aty, viti 1922, dosja 8, fleta 45.

[9]. Po aty, fleta 47.

[10]. Po aty, fleta 48.

[11]. Statuti i Xhema’atit Mysliman të Shqipërisë: 1) Në kryeqytet ekziston një Kadi el Kyda (kryegjykatës) si përfaqësues (Mymes’sil) i xhema’atit mysliman e i gjyqeve sheri. 2) Nën kryesinë e Kadi el Kydat-it do të jetë edhe një këshillë diktues për të shqyrtuar gjykimet e duhura prej gjyqeve sheri. 3)Nën kryesinë e Kadi el Kydat-it do të jetë edhe një këshillë e shehelerëve. 4) Në qendrat e prefekturave dhe të nënprefekturave me rëndësi, me titull naib (prokuror), do të ndodhet

një kryetar me kompetencë gjykatësie (Ifta) pranë të cilit do të gjenden shkrues e sherbetorë, sa ta lypë nevoja. Në qendra të mëdha, ku mjaftojnë të ardhurat, ka për t’u emëruar nga një myfti për t’u marrë vetëm me çështje fetfaje. 5) Në gjyqet sheri vërehen proceset mbi testamentet (vasijet), kurorëzimet, shkurorëzimet, rida, nefeka (shpenzimet apo detyrimet materiale), mefkute (objektet e humbura), vakëf, miras (trashëgimi), tahriri terhaqate të jetimëve. 6) Vendimet e gjyqeve sheri, që marrin formë të prerë, përmbarohen nga zyra e përmbarimit të drejtësisë. 7) Në çdo nënprefekturë do të formohet një trup xhema’ati, i zgjedhur sipas rregullores së posaçme, i cili ka për detyrë të shikojë çështjet përkatëse në fe. Ky trup konsiderohet një degë person moralit e mvaret në qendrën e Xhema’atit Mysliman, që kryesohet prej Kadi el Kydatit. 8) Në qendër do të jetë një drejtori e Përgjithshme e Vakfeve, e cila do të jetë e lidhur te Kadi el Kydatin dhe në nënprefektura do të emërohen nëpunësa të nevojshëm për të rregulluar të ardhurat e vakfit. Vakfet e teqeve e të zavijeve rregullohen si përpara, por Drejtoria e Përgjithshme ka të drejtë drejtimi mbi këto vakfe. 9) Shejhët, atët (dedetë), të tarikateve të shenjta, për respektim të hierarkisë e për dekretim secila degë varet te i pari i vet. Imamët, hatibët (kurrah) e katimet e tjera si këto, dekretohen prej kadi el Kydat-it. 10) Nuk do të mund të vishet askush me rrobat e hoxhallarëve, apo të shehelerëve pa marrë lejen e duhur. 11) Këshilli Qendror për hatibët e vaizët do të trajtojë në gjuhën zyrtare, hytbe e prediksione (predikime), sipas shekullit të sotëm e sipas nevojave kombëtare. 12) Përveç masave, që do të merren për përmirësimin e medreseve të para (medresei talije), që gjenden, do të themelohet edhe një universitet (Medrese Alije), ku do të mësohen gjuhëra të ndryshme, duke i dhënë rëndësi literaturës e historisë kombëtare. Mënyra e formimit të këtij universiteti, e pranimit të nxënësve të tij, caktohen me një rregullore të posaçme. 13) Mësimet fillore të nxënësve myslimanë do të jenë në kompetencë të çdo xhema’ati mysliman. 14) Rrogat e nëpunësve, të shërbëtorëve të gjyqeve sheri e të vakëfeve të qendrës së përgjithshme e të rretheve paguhen siç janë treguar në rregulloren e posaçme. 15) Një herë në dy vjet do të bëhet në kryeqytet një mbledhje e përgjithshme prej xhema’ateve myslimanë të qarqeve, ku do të bisedohet themelimi e forcimi vëllazëror i njësisë kombëtare. Mënyra dhe kompetenca e kësaj mbledhjeje dëftohet me një rregullore të posaçme. 16) Përderisa të bëhet mbledhja e përgjithshme vazhdon forma ditore (sheqli ilm) e tashme. 17) Pikat e këtij Statuti ndryshohen (tadil) në mbledhje të përgjithshme me 2/3 e votave të saj. Tiranë 13.XII.1922.

Vërtetohet: Myfti i Përgjithshëm: Vehbi d.v. (AQSH. Fondi 163, viti 1923, dosja 44). Projektstatut, i përgatitur si bocet për në kongres.

[12]. AQSH. Fondi 482, viti 1923, dosja 1, fleta 11.

[13]. Po aty, fleta 2.

[14]. Po aty, dosja 4, fleta 3.

[15]. AQSH. Fondi 125, viti 1923, dosja 125, fleta 1.

[16]. AQSH. Fondi 152, viti 1923, dosja 291.

[17]. AQSH. Fondi 125, viti 1923, dosja 125.

[18]. AQSH. Fondi 152, viti 1923, dosja 31.

[19]. Po aty, dosja 31.

[20]. AQSH. Fondi 482, viti 1923, dosja 4, fleta 10.

[21]. AQSH. Fondi 152, viti 1923, dosja 31.

[22]. Po aty.

[23]. Deputet i Pogradecit.

[24]. Deputet i Vlorës.

[25]. Deputet i Shkodrës.

[26]. Deputet i Kolonjës.

[27]. Deputet i Krujës.

[28]. Deputet i Kosovës.

[29]. Deputet i Zerqanit.

[30]. AQSH. Fondi 482, viti 1923, dosja 4, fleta 15.

[31]. Po aty, fleta 8.

[32]. AQSH. Fondi 482, viti 1923, dosja 4, fleta 11.

[33]. Po aty, dosja 4.

[34]. Po aty, dosja 4, fleta 41.
/Zani i Nalte/

 

Postime te ngjajshme