Natyra e pastër (fitra) nuk mund të ndryshohet, por mund të dëmtohet

dr. MILAZIM KRASNIQI
Duke u ndjerë i dëshpëruar, i pafuqishëm dhe i parëndësishëm, njeriu dorëzohet para agresionit të medies, fillon ta konsumojë në mënyrë jokritike, bile edhe në mënyrë joetike, duke mos çarë kokën që ta dallojë të vërtetën nga e pavërteta, ose të drejtën nga e shtrembëta. Pra, bëhet viktimë, ngatërrohet keqas në rrjetin e saj.
Kontigjentet e këtilla të lexuesve/konsumuese të produkteve mediale, janë në rritje në gjithë botën. Këto kontingjente tashmë janë të varur nga loja e medieve, siç është i varur një narkoman nga tutori i tij, i cili e furnizon me doza droge në mënyrë periodike, por duke e mbajtur vazhdimisht në pasiguri dhe në presion. Mund të thuhet edhe se ky “homo medialis” sot për sot është i varur nga informatat që ia servojnë mediet, siç varen konsumatorët e metropoleve nga produktet e gatshme në markete, për të cilat mund të mos kenë ide se si e ku e nga kush janë prodhuar. Bile ata që janë më të trullosur, as afatin e skadencës nuk ua shikojnë produkteve, veçse i marrin ashtu si janë, natyrisht me me rrezikun real që të helmohen prej tyre. Një shumicë e produkteve mediale afatin e skadencës e kanë vetvetiu të kaluar, sepse ato vetëm përsëriten në variacione të ndryshme, ose vetëm raportohen si gjoja ngjarje, pa e pasur fare rëndësinë e ngjarjes. Është një lojë cic mic e medieve me lexuesin e hutuar, është një manipulim me paaftësinë e homo medialisit (ose digjitalisit), për ta kuptuar hilenë.
Kur të hartohet historia e këtij lexuesi/publiku, mund të zbulohen shumë deformime që kanë ndodhur tashmë në psikikën dhe në shpirtin e tij. Xhovani Sartori ka prognozuar në mënyrë pesimiste se nën ndikimin e medies, mund të ketë edhe ndryshime gjenetike në njeriun. Nuk besoj se mund të ketë ndryshime gjenetike, jo vetëm nga shkaku i medies, po as shkaku i ndonjë faktori tjetër social a kulturor. Bindja ime e plotë është se natyra e pastër njerëzore, (fitra) ashtu si është e krijuar, është rezistente ndaj të gjitha formave të agresioneve dhe presioneve, që i bëhen nga veprimtaria njerëzore, duke përfshirë këtu edhe veprimtarinë agresive e terrorizuese mediale. Natyra e pastër e njeriut, e programuar për një krijesë që është e mandatar si mëkëmbëse e Zotit në Tokë, nuk mund të sfidohet nga aktiviteti i veprave të njeriut, sepse në atë rast do të sfidohej vepra e Krijuesit. Do të krijohej hamendja se mos ajo natyrë e pastër e njeriut është e krijuar me ndonjë defekt. Ndërsa, e vërteta është se ajo natyrë është e krijuar pa asnjë të metë dhe është programuar që të jetë e aftë ta realizojë mandatin e mëkëmbësit të Zotit në Tokë. Pra, natyrshmëria në të cilën njeriu është i krijuar (fitra), mbetet e pacenuar, deri në fundin e kësaj bote, përveç nëse Krijuesi vendos ndryshe.

foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

5 + 2 =