Muaji i pendimit

Imam Gazaliu, me një rast kështu kishte menduar dhe i kishte këshilluar bashkëkohësit e tij:

“Thesari im është jeta ime. Kur të përfundojë jeta ime do të zhduket kapitali im dhe unë më nuk do të mund të fitojë. Kjo ditë që fillon është një ditë e re. Allahu i Plotfuqishëm, më ka nderuar mua duke ma dhënë shansin që të jetoj edhe sot. Nëse do të më vdiste, natyrisht, se do të dëshiroja që të më kthente përsëri në këtë botë që të bëj vepra të mira. O njeri, ti tash, këtë mëngjes mendo se ke vdekur dhe je kthyer vetëm për një ditë. Prandaj sot, kurrsesi mos ju afro mëkateve dhe largohu nga mosbindja! As rastësisht, asnjë moment të kësaj dite mos lejo që të kalojë kot!”

Me siguri, një njeri i cili nuk e shfrytëzon atë që ka në thesarin e tij, e që është koha e tij që i është dhuruar në këtë botë, ai njeri do të pendohet shumë. Për ata që bindjen dhe bamirësinë e kanë shtyrë për nesër, ja se çka thotë Allahu i Plotfuqishëm:

“Ata, në të, do të thërrasin (duke bërtitur): “O Zoti ynë, nxirrna (prej zjarrit), do të bëjmë vepra të mira, e jo si ato çfarë kemi bërë”. (Atyre ju thuhet): “Vallë, a nuk u kemi dhënë Ne jetë juve, aq sa që të mendohet për të – ai që don të këshillohet, e juve madje, u pat ardhur paralajmëruesi. Andaj, shijoni (dënimin). E, për zullumqarët nuk ka kurrfarë ndihmësi!”  (Fatir, 36)

Në këtë botë, çdo ditë vijnë dhe nga ajo largohen me mijëra njerëz. Fytyra e vërtetë e dynjasë është tranzicioni, dhe për të, Allahu i Plotfuqishëm thotë se ajo ekziston për shkak të provimit, i cili na pret të gjithë neve: “Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju sprovuar se cili prej jush është më vepërmirë.” (el-Mulk, 2)

Mufesirët thonë se, së pari është përmendur vdekja e pastaj jeta, për shkak se jeta e vërtetë, është ajo që ndodh pas vdekjes.

Në suren el-Ankebut, i Plotfuqishmi  konfirmon: “Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër përveç se argëtim dhe lojë. E, me të vërtetë, jeta e botës tjetër është jetë. Sikur ta dinin ata këtë!” (el- Ankebut, 64)

Se si do ta jetojmë atë jetë të vërtetë, të përjetshme në ahiret, ne e përcaktojmë me këtë jetë të shkurtër të kësaj bote. Atje do të jenë të suksesshëm, ata që këtu janë të vetëdijshëm për armiqtë, dhe të cilët, atyre ju kundërvihen me sukses. Dy janë armiq të njerëzve, të cilët duhet t’i mposhtim, për të pasur sukses, ata janë: shejtani dhe pasioni i njeriut.

Xhelaludin Rumi, trupin dhe pasionin e njeriut e krahason me kafshën për kalërim. Ai thotë: “O njeri, ke hip në mjetin e hipjes të quajtur trup dhe je nisur rrugës për në ahiret. Me vendosmëri merri frenat në duart e tuaja dhe kështu ec për në xhenet. Nëse lejon që të udhëheq pasioni, do të shkatërrohesh.”

Njeriun gjatë jetës mund ta udhëheqë zemra, pasioni dhe arsyeja e tij. E kanë pyetur Pejgamberin (savs): “Kush është i mençur?” Dhe ai është përgjigjur: “Njeri i mençur është ai që e sundon pasionin e tij dhe punon për atë që vjen pas vdekjes.”

Ne jemi në muajin rexheb, kurse Pejgamberi (savs), ka thënë: “Rexhebi është muaji i Allahut, shabani është muaji i Pejgamberit të Zotit, kurse ramazani është muaji i umetit.”

Pejgamberi (savs), ka bërë lutje: “O Zot, na beko rexhebin dhe shabanin, dhe na mundëso që ta presim ramazanin.”

Ky muaj ka një vend shumë të rëndësishëm në mesin e muajve, është njëri nga muajt e shenjtë, dhe mufesirët thonë: “Shpërblimi për veprën e mirë që bëhet në këtë muaj, është dukshëm më i madh se sa për të veprën e mirë që kryhet në një muaj tjetër, dhe natyrisht, edhe dënimi për mëkatin që bëhet në këtë muaj është më i ashpër.”

Pejgamberin (savs), e kanë pyetur: “Pse muaji rexheb është muaji i Allahut?”Pejgamberi (savs), është përgjigjur:  “Kjo është për arsye se në këtë muaj, Allahu i Plotfuqishëm është shumë falës.”

I mençur, në mesin tonë, është ai që e kontrollon veten dhe nuk i tejkalon kufijtë e vendosur nga Allahu i Plotfuqishëm. Ndodh që një njeri e mashtron pasioni dhe ia turbullon mendjen, por sikur që ekziston koha më e përshtatshme për mbjellje, koha më e përshtatshme për korrje, po ashtu ekziston edhe koha më e përshtatshme për pendim dhe tevbe, për ndryshim të vetvetes (për të mirë). Më ka ndodhur. Kam bërë gabim. Shejtani, ky armik i përbetuar më ka josh. Kështu piva alkool. Ai më mashtroi dhe injorova detyrimin tim ndaj Allahut. Ai më mashtroi dhe shkova në vende të haramit. Më mashtroi…

Në këtë muaj, Allahu i Plotfuqishëm është shumë falës dhe Ai këtë muaj e ka quajtur muaj të Tij, në mënyrë që ta shprehë afërsinë dhe gatishmërinë e Tij për të na dhënë mundësi të re. Jeta jonë, koha që na është dhënë në këtë botë, është kapitali i vetëm që mund ta marrim me vete në ahiret.

Mos e shtyni tevben!

Mos e shtyni ndryshimin e vetes!

Shpëtojeni veten!

O njeri, nuk ka asnjë mënyrë, që ta shikosh thesarin dhe të shohësh se edhe sa ditë kanë mbetur, e që sot të lëshohesh dhe t’i neglizhosh obligimet.

I mençur, në mesin tonë, është ai që punon për atë që vjen pas vdekjes. “Jeta e ahiretit është jetë e vërtetë – thotë i Plotfuqishmi.

Ky muaj, rexhebi, ka filluar me një natë të madhe, Lejletu Regaib. Dhe ajo është nata e dëshirave dhe lutjeve.

Vallë, cila është dëshira e besimtarit, e njeriut?

Që të shpëtojë dhe të jetojë i lumtur në dynja.

Pejgamberi (savs), thotë se njeriu është në gjumë, ndërsa kur vdes ai zgjohet. Kjo mund të kuptohet edhe në mënyrën se vetëm atëherë kuptohet rëndësia e besimit dhe veprave të mira.

Kur të shohë se me vete asgjë nuk po merr me përjashtim të veprave, dhe se atëherë mund të mbështetet vetëm në veprat e tij, njeriu do ta kuptojë më në fund se sa i rëndësishëm ka qenë besimi i sinqertë, namazi, agjërimi, sadaka, fjalët e mira, dashuria, mos bërja zili, mirësjellja ndaj prindërve, sjellja e mirë me fqinjët etj.

Ne jemi në muajin rexheb. Rexhebi është muaji i Allahut, por edhe ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. Le ta shfrytëzojmë ketë muaj për pendim, sepse në të Allahu i Plotfuqishëm fal shumë. Ditët e këtij muaji le t’i shfrytëzojmë për të bërë vepra të mira, sepse në këtë muaj veprat e mira shpërblehen më shumë.

Dhe, le të largohemi gjithmonë nga mëkatet, e posaçërisht në këtë muaj të shenjtë, sepse edhe mëkatet e kryera në këto ditë, ndëshkohen më ashpër!

O Zot, na beko rexhebin dhe shabanin dhe na mundëso që ta presim ramazanin! Amin!

Izet ef. Čamdžić; preporod.com

Përshtati: Miftar Ajdini

 

Postime te ngjajshme