Mos i mashtroni njerëzit në emër të fesë!

Reduktimi i fesë së Allahut në profesione të ndryshme për përfitime materiale është denigrim i skajshëm që i bëhet Islamit. Janë të neveritshme tendencat për arsyetimin e këtyre profesioneve duke u thirrë në sunnetin e Pejgamberit. Tjetër është të bësh diçka për hir se ashtu ka vepruar Pejgamberi, e tjetër t’i gjeshë tendencave tua mashtruese mbështetje në sunnetin e Pejgamberit.


‘Rukja’ nuk është profesion, sepse as pejgamberi s’ka qenë rukjexhi. Pejgamberi ka qenë i Dërguari i Allahut që ka respektuar ligjet dhe mësimet e Zotit të tij. Jo rukjexhi përfitabil mbi shpindën e të nevojshmëve për ilaç e ndihmë. Rukja nuk mësohet në shkollë e as nëpër kurse siç bëjnë matrapazët profiterë gjithandej në botën islame. Rukja nuk mund ta zëvendësojë rolin e mjekut e të mjeksisë. Rukjen nuk mund ta bëjnë njerëzit që rrejnë, që mashtrojnë, që i kanë 100 fytyra. Rukjen mund ta bëjnë vetëm njerëzit që kanë zemër të pastërt, të çiltërt. Njerëzit që shquhen me devotshmëri, me përkushtim ndaj mësimeve të Allahut. Njerëzit me kontribute filtantrope. Sepse Allahu nuk e pranon lutjen e gjithsecilit që lutet për kinse shërimin e tjetrit, aq më pak lutjen e mashtruesit. Sepse edhe pranimi i lutjes ka kushte, ani pse obligihemi që kurrë mos t’i ndalim ato e as të humbim besimin tonë në ndihmën e Zotit.


Në fakt, rukja gjenë shtrirje zakonisht aty e atëherë kur mësimet e Islamit nëpërkëmben si është ma zi. Kur shoqëria dështon dhe kur humb busullën e së vërtetës. Kur institucionet relevante profesionale humbin betejen karshi të ligës dhe denigrimeve shoqërore të gjithanshme. Keqpërdorimi i rukjes së Pejgamberit është gjë e shëmtuar. Siç është e shëmtuar përpjekja për përdorimin e traditës së Profetit për përfitime të ulëta. Është ofendim për Pejgamberin kjo që po bëhet. Kjo është metodë për të mashtruar njerëzit që kanë nevojë për ndihmë. Që janë në kërkim të ilaçit e shërimit. Është e vërtetë se Kur’ani shëron. Po çfarë shërimi mund të bësh ti kur mashtron në emër të Kur’anit e në emër të sunnetit të Pejgamberit, o burrë! Ndalni këto matrapazllëqe. Kini frikë Allahun dhe mos bëni turbullina në tokë. Allahu nuk i do zullumqarët…!
Autor : Mustafa Bajrami

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

87 + = 89