Mohimi i çdo mendimi tjetër është një arsye që shfaq ekstremizmin

“Mendimi im është i gatshëm që më është dhënë nga ata që menduan para meje dhe s’kam asnjë arsye që unë të mendoj kur kam diçka të gatshëm”.

Kështu mund të konkludojmë fillimin e rrugëtimit të një individi drejt ekstremizmit të dhunshëm. E përse tjerët janë të obliguar të ndjekin mendimin e gatshëm qoftë i kaluar qoftë i tashëm?
Me çfarë arsye dikush është i detyruar që të ndjek një mendim për çështje të ndryshme, të dikujt që ka menduar. Secili njeri ka dhuratën nga Zoti mendjen që duhet përdorur dhe vu në funksion. Asnjë njeri nuk do të merret në pyetje nga Krijuesi se përse ka ndjek apo nuk ka ndjek mendimin e tjetrit. Po Zoti e do atë që krijon mendim dhe e bën veten mendimtarë dhe me vizion.
Llojllojshmëria e mendimeve të shëndosha që është në favor të njerëzimit, është begati dhe se vullneti i Zotit ishte dhe është i përhershëm, që njerëzit të dallojnë në mendime, opinione dhe synime. Tendenca për të imponuar mendimet sidomos të kohëve të shkuara, mentalitetit të kaluar dhe rrethanave të tjerëve, është tendencë që e bëjnë të ashtuquajturit “kujdestarë të Zotit” në tokë.
Nëse një njeri pa dallim besimi apo fraksioni e medhhebi, qenka fetarisht i detyruar të mos mendoj me trurin e vet, atëherë ku mbetet vullneti i Zotit që krijoi të gjithë me mendje dhe logjikë të ndryshme, besim e bindje të llojllojshme. Problemi i ekstremizmit nuk qëndron në mësimet Islame, por qëndron si mungesë e të lejuarit të mendimeve tjera, shkencave, artit, filozofisë etj. Të përdorësh mendimet e të kaluarës në emër të fesë duke imponuar çdo gjë tjerëve, është jo vetëm çmenduri, por edhe rrugë drejt ekstremizmit dhe shtypjes së vullnetit të Zotit.
Zoti secilit nga ne na dha mirësinë e mendjes dhe të menduarit. E përse ne të ndjekim mendim të gatshëm që na vjen si gojëdhënë edhe nëse gojëdhëna është e saktë. Mendimet e kaluara i takojnë të kaluarës dhe ndoshta ishin të mirë se ardhura për atë kohë dhe atë vend, por jo edhe për sot e nesër. Bota e mendimit dhe logjikës po lëviz me hov të vrullshëm drejt avancimit dhe rregullimit të jetës dhe mirëqenies së njerëzve. Të mendosh dhe të përpiqesh të ndërtosh veten bazuar në ata që nuk janë të kohës dhe rrethanave tona, është sikur të themi; do ecim para por duhet të kthehemi prapa. Popujt e të kaluarës i takojnë të kaluarës, ata përgjigjen për vete, kurse ne përgjigjemi për veten tonë. Ne nuk përgjigjemi dhe nuk pyetemi për veprimet e të kaluarve, ashtu si edhe ata nuk llogariten për veprimet e kohës dhe të ardhmes .

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

1 + 4 =