Model bashkëjetese

Kjo histori flet për bashkëjetesën dhe tolerancën fetare në një familje egjiptiane dhe e tregon Amër Halid i cili thotë:

Gjendesha në një takim me publikun dhe tema për të cilën po fliste ishte humanizmi, kjo vlerë e cila bashkon të gjithë fetë dhe të gjithë njerëzit. Pasi përfundova ligjëratën time, mu afrua një vajzë e cila më tha:”Quhem Lejla dhe doja të të tregoj historinë time, e cila ka të bëjë me temën për të cilën folët sot. Im atë është mysliman, ndërkohë që ime më është e krishterë. Babai dhe nëna janë ndarë dhe që atëherë unë jetoj në shtëpinë e prindërve të mamit, pra gjyshërve të mi, të cilët janë besimtarë të krishterë. Kur mbusha shtatë vjeç, gjyshërit nga mami më thanë:”Lejla, ti je myslimane nga babai dhe e krishterë nga nëna. Ne nuk të detyrojmë të marrësh fenë tonë me zor, por ajo që do të bëjmë, është që në shtëpi do të japim mësime mbi krishterimin, kurse për të mësuar fenë islame, do të të çojmë në një shkollë fetare myslimane. Kur të rritesh, mund të zgjedhësh cilën fe të duash.”

Kështu, në shtëpi mësoja fenë e krishterë, kurse në shkollë mësoja mbi fenë islame. Shkoja herë në kishë dhe herë në xhami. Pasi mbusha dymbëdhjetë vjeçe, vendosa të zgjedh njërën fe, zgjodha të jem myslimane. Shkova tek gjyshi dhe gjyshja dhe u thashë:”Unë kam zgjedhur të mbaj islamin si fenë time.” Ajo që më bëri përshtypje, ishte përgjigja e tyre:”Ne jemi dakord me zgjedhjen tënde Lejla!
Më e bukura është se edhe sot e kësaj dite, është gjyshi ai që më zgjon për namazin e sabahut. Ai vjen tek krevati im, më përkëdhel kokën dhe më thotë:”Zgjohu falu Lejla!”
Kurse gjatë Ramazanit, dy gjyshërit e mi nuk hanë drekë, por presin derisa të çel iftar unë dhe të hamë bashkë të gjithë, pasi duan që edhe pse me fe të ndryshme, të jemi një familje në gjithçka tjetër.”


Perktheu dhe pershtati: Elmaz Fida

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

− 2 = 5