Metodat e mposhtjes së zemërimit

Identifikimi i arsyeve që e nxisin dhe e këndellin zemërimin bëhet me qëllim të mënjanimit apo zbutjes së vetë zemërimit. Nga ky aspekt, në momentin kur nxehet gjaku, është farz, obligim i domosdoshëm, që njeriu të lëvizë me kujdes e me mençuri, në mënyrë që të mos ia lejojë zemërimit kontrollin mbi vetveten. Për këtë kërkohet përmbajtja dhe respektimi i pikave në vazhdim:

1. Të mendojë se çfarë të mirash, çfarë bereqeti dhe begatie sjellin në këtë dhe në botën tjetër mundja dhe mposhtja e hidhërimit, falja, durimi, butësia etj. Një njeri që ka dëshirë dhe lakmon të përfitojë nga begatia e këtyre virtyteve, me këtë përsiatje, në masë të madhe, do ta ketë zbutur sasinë dhe dendësinë e hidhërimit.

2. Ta frikësojë vetveten me dënimin e Zotit. Në moment të zemërimit njeriu duhet t’i thotë vetvetes: “Fuqia dhe forca e Zotit kundrejt meje është më e madhe se forca ime kundrejt këtij personi që më ka acaruar. Në qoftë se unë sot e bëj atë që më thotë zemërimi, nesër në botën tjetër, kur do të kem shumë nevojë për faljen dhe butësinë e Zotit, edhe Zoti mund të jetë i ashpër ndaj meje e të mos ma falë”.

Në një nga librat e mëhershëm Zoti ka thënë: “O njeri, kur të zemërohesh me dikë kujtomë Mua, që edhe Unë të të kujtoj kur të zemërohem me Ty dhe mos të të shkatërroj edhe ty me ata që e meritojnë këtë”.

Thuhet se në kohërat më të lashta nuk kishte asnjë udhëheqës që pranë vetes të mos kishte një njeri të urtë. Kur mbreti zemërohej apo acarohej me dikë, urtari ia lëshonte në dorë një letër, në të cilën shkruante: “Ki mëshirë ndaj të ngratit! Ki frikë nga vdekja! Kujtoje botën tjetër!”. Mbreti e lexonte atë përsëri e përsëri derisa t’i kalonte zemërimi.

3. Ta frikësojë nefsin (egon) e vet me pasojat e armiqësisë e të hakmarrjes, me përpjekjen e kundërshtarit për t’iu kundërvënë e për t’ia prishur rehatinë. A ka mundësi që të zihesh e të acarohesh me dikë dhe aty të mos lindë armiqësia, të mos lindë ndjenja për hakmarrje, të mos lindë ideja se si t’ia prish planet e rehatinë tjetrit? Prandaj, a ia vlen i gjithë ky zahmet?

4. Të mendojë për shëmtinë e formës së tij në momentin e zemërimit. Kështu, në momentin e zemërimit ta kujtojë se çfarë forme të shëmtuar, si të një qeni të tërbuar apo të një egërsire, mund të ketë ky që e ka kapluar zemërimi e tërbimi. Po ashtu të kujtojë se një njeri i qetë, i matur dhe i urtë i ngjanë një pejgamberi, një njeriu të lartë, të madh e të ngritur. Pasi t’i kujtojë të dyja këto gjendje, atëherë le ta lërë veten të lirë. Nefsi i tij le të vendosë pastaj nëse dëshiron t’u përngjajë qenve, egërsirave dhe njerëzve të ulët, apo dëshiron t’u përngjajë pejgamberëve dhe njerëzve të ngritur e të mëdhenj. Në qoftë se i ka mbetur akoma ndonjë dromcë arsyeje, mendjeje në kokë, ai do ta zgjedhë të dytën.

5. Të mendojë rreth arsyes, sebepit, që e thërret atë në hakmarrje; të mundohet ta diktojë arsyen që e pengon atë të mos e mposhtë zemërimin, ngase secili zemërim ka ose duhet të ketë një arsye, një shkak. Për shembull, shejtani i pëshpërit në vesh: “Në qoftë se tani lëshon pe, njerëzit do të mendojnë se ti je i dobët, i paaftë; njerëzit do të nënçmojnë dhe do të tallen me ty …”. Këto pëshpëritje atij mund t’i vijnë edhe nga njerëzit, miqtë e shokët e këqij. Në këtë moment njeriu i arsyeshëm duhet t’i drejtohet vetes me fjalët: “Mos e dëgjo shejtanin e mallkuar! Mos i dëgjo njerëzit që të thërrasin në të keqen! Pikë!”.

mr. Rejhan Neziri

#foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

89 + = 95