Mënyra e drejtë e predikimit të Islamit

nga Msc. Veton Tulla & Msc. Hysni Skura, Universiteti Bedër, Departamenti i Shkencave Islame

Feja mund të përkufizohet si tërësia e rregullave dhe parimeve, të cilat janë dërguar nga Zoti, për ta udhëhequr njerëzimin drejt lumturisë, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Feja bën të mundur për njerëzit zbatimin e vlerave të larta, të cilat janë fshehur në natyrën e tyre që të përjetojnë, në këtë mënyrë, një ndriçim të veçantë.

Idetë të cilat, në një mënyrë a në një tjetër nuk përputhen me fenë, padyshim që mbeten njëdimensionale dhe zvogëlojnë kapacitetin për të shpjeguar ekzistencën si një e tërë. Nga ana tjetër, një fe, e cila nuk çon në rezultate që e aftësojnë njeriun të bëhet më i zgjuar, çon në humbjen e vlerave të jetës në vend të pikësynimit të dëshiruar, domethënë hapjes dhe kapërcimit të horizonteve të njerëzve.[1]

Sipas dijetarit të njohur islam Imam Esh-Shatibij[2], shtylla bazë e fesë është përfitimi nga kjo jetë dhe nga jeta tjetër. Prandaj ruajtja e besimit, e jetës, e pasurisë, e pasardhësve dhe e mendjes janë objektivat kryesore të fesë.[3]

Me shfaqjen e mjeteve të komunikimit masiv dhe të transportit, bota është kthyer në një “fshat” të madh. Në një ambient të tillë, është bërë e lehtë të ndikosh mbi njerëzit, duke u mbështetur te fuqia dhe rëndësia e medias. Duke u nisur nga ky fakt, për fat të keq, në shumë vende të botës, kohët e fundit ka pasur përpjekje për ta portretizuar Islamin si fe e terrorit. Pra duke patur përballë një situatë të tillë është detyrë për çdo predikues mysliman, që të komunikojë të vërtetën dhe ti informojë audiencën (xhematin) e tij rreth të vërtetave të Islamit.

 

Kuptimi dhe karakteristikat e Islamit

Fjala “Islam” rrjedh nga fjala “silm”, që do të thotë pajtim, paqe, nënshtrim dhe shpëtim. Islami është fe e unitetit. Është për t’u theksuar fakti se Islami është një fe e bazuar në besimin vetëm te Zoti i Plotfuqishëm dhe i Gjithëmëshirshëm. Uniteti, si term i bazuar në vizionin botëror në këndvështrimin e jetës dhe në sistemin shoqëror, presupozon bashkimin e njerëzve vëllezër dhe motra, barazi në të drejtat themelore dhe eliminimin e diskriminimit në bazë të gjuhës, ngjyrës, racës ose familjes dhe farefisit. Islami ka shfuqizuar çdo gjë që i përkiste periudhës së injorancës, të gjitha karakteristikat e saj në periudhat paraislame si p.sh.: egoizmin, brutalitetin, shtypjen dhe padrejtësinë, ai i çrrënjosi në masë të gjerë. Në përputhje me Islamin, parimi “peshku i madh e ha të voglin” u zëvendësua me “duaje fqinjin tënd”; “jeta nuk është një luftë, por një proces bashkëpunimi”; parimi “të tjerët duhet të punojnë, ndërsa unë të rri” me fjalën “ndihmë”, “shtypja” u zëvendësua me “drejtësinë”, “mungesa e humanizmit” i la vendin “mëshirës”; parimi sipas të cilit njerëzit janë lindur të lirë dhe të barabartë dhe se njerëzit kanë të drejtë të integrohen në shoqëri u vendos; parimi i padrejtësisë sipas të cilit “e drejta është me të fortin” u çrrënjos dhe u vendos parimi “fuqia është me të drejtin”, “i drejti është më i fuqishmi” zuri vend dalëngadalë dhe shoqëria besoi tek e vërteta dhe drejtësia që i përkasin Krijuesit dhe jo në ligjet e rastësishme dhe vetjake të një minoriteti fitimtar apo të diktatorëve të përkohshëm.

Islami ka deklaruar gjithmonë se njerëzit gëzojnë respekt pa iu nënshtruar diskriminimit social-politik, materialo-shpirtëror, kulturoro-racial e të çfarëdo lloji tjetër dhe i ka nderuar ata me një status të tillë mbi të gjitha krijesat. Kur’ani deklaron: “Dhe sigurisht ne i kemi nderuar bijtë e Ademit”.[4]

Prandaj, sipas Islamit, edhe nëse dikush është jobesimtar, pasuritë e tij/saj, jeta dhe nderi nuk mund të cenohen. Shëndeti fizik dhe mendor, si dhe e drejta për të formuar familje janë të drejtat e pamohueshme të çdo individi. Në të njëjtën mënyrë, asnjë e drejtë tjetër nuk mund të shkelet. Edhe në gjendje lufte, gratë, fëmijët dhe të moshuarit, të cilët nuk janë në gjendje të luftojnë, nuk preken. Në përputhje me Kur’anin e Shenjtë dhe me drejtësinë, që rrjedh nga ai, bëhet e ditur se vrasësi i një njeriu të vetëm është një vrasës i urryer, sikur të jetë vrasësi i gjithë njerëzimit. “Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Izraelit se kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve….”[5]

Në këndvështrimin Islam, të drejtat e njeriut nuk mund të shkelen edhe sikur kjo të jetë në të mirë të komunitetit. Të drejtat e një njeriu janë të shenjta sikurse edhe të drejtat e njerëzve të tjerë.

 

Përfaqësimi dhe komunikimi islam

Islami e konsideron njeriun si krijesën më të nderuar, e cila është e pajisur me ndërgjegje dhe vullnet, dhe e quan lirinë e besimit si një të drejtë të pamohueshme. Islami punon për eliminimin e pengesave që qëndrojnë mes Zotit dhe intelektit njerëzor, ndërgjegjes dhe vullnetit si parime themelore. Është për t’u theksuar fakti se kur Islami kuptohet siç duhet, çdokush mund të ndjekë linjën e quajtur “përfaqësim dhe komunikim”, linjën e praktikimit dhe komunikimit islam në mënyrën më të mirë të mundshme. Për shembull, në shumë ajete kur’anore deklarohet se nuk ka detyrë tjetër përveç asaj që u është ngarkuar profetit islam dhe profetëve të tjerë, që është komunikimi i qartë i fesë.[6] Për më tepër, Zoti i drejtohet Profetit duke i tërhequr vërejtjen, që të ketë kujdes, duke i kujtuar se ai nuk është dërguar për të bërë presion mbi njerëzit: Prandaj këshilloji (njerëzit o Muhamed), se ti je vetëm këshillues; dhe nuk je ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!”[7] Nuk ka dhunë në fe.[8]

Garantimi i lirisë së besimit dhe ndërgjegjes, posedimi i së drejtës për të jetuar në atë mënyrë, që secili dëshiron, dhe institucionalizimi i drejtësisë në një mënyrë të tillë që çdokush të mund të përfitojë, janë norma nga të cilat mund të përfitojnë jo vetëm myslimanët, por gjithashtu edhe jomyslimanët. Si një parim bazë, ekzistenca e më shumë se një besimi dhe të jetuari përcakton kornizën e përgjithshme të pluralizmit. Zoti nuk dëshiron që të gjithë njerëzit të jenë ekzaktësisht njëlloj në aspektin e besimit dhe jetesës, sikur të kishin dalë nga i njëjti kallëp. Ka diferenca mendore mes njerëzve të cilat na lejojnë të dallojmë se cila bashkësi është më e mirë se të tjerat.

 

Objektivat e ligjshëm, metodat e ligjshme dhe fjalët e buta

Islami parashtron nevojën e arritjes së një objektivi të ligjshëm përmes metodave dhe rrugëve të ligjshme. Prandaj ai nuk e pranon në asnjë mënyrë dhunën, torturën, anarkinë, apo terrorin si metoda. Për më tepër, ai bën thirrje, që njerëzit t’u drejtohen me fjalë të buta edhe tiranëve, si faraoni kur bëhet fjalë për komunikimin e fesë. Kur’ani tregon për urdhrin, që i është dhënë Musait dhe Harunit si vijon: “Shkoni te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!...”[9]

Në dy nga ajetet, të cilët përcaktojnë se si duhet të jenë marrëdhëniet me të krishterët dhe hebrenjtë, thuhet:

“Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm me mënyrën më të mirë, por jo me keqbërësit e tjerë. Dhe thoni: “Ne besojmë në atë që na është zbritur neve dhe në atë që ju është zbritur juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është një – dhe ne Atij i nënshtrohemi si myslimanë”.[10]

Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!…[11]

Do të ishte me vend të përmendim një ajet tjetër, i cili përdoret për përcaktimin e mënyrës së komunikimit të fesë ndaj gjithë njerëzve, duke përfshirë edhe pasuesit e Librit (të krishterët dhe hebrenjtë). “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë![12]

Një ajet tjetër, i cili flet për sjelljen e butë që Profeti dhe pasuesit e tij duhet të kenë ndaj njerëzve si një “mëshirë nga Zoti” dhe u kujton se duhet të jenë të durueshëm edhe nëse njerëzit e tyre më të afërt i braktisin, thotë:

“Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.”[13]

 

Kuptimet e fjalës “irhab” në Kur’an

Siç dihet nga myslimanët, fjalët lavdëruese në Kur’an zënë një vend të konsiderueshëm. Veçanërisht fjalët, që përdoren vetëm në kontekstin e lavdërimit dhe nderimit kanë një domethënie shumë të veçantë. Fjala irhab është një shembull i fjalëve të tilla. Ajeti në të cilën përdoret kjo fjalë në Kur’an është ai në vijim:

“Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerë, përveç tyre, të cilët ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh. Çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e Allahut, do t’ju shpërblehet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi..[14]

Prandaj ata që besojnë në Kur’an dhe që e kanë atë si pikë orientimi, duhet t’i përmbahen kësaj fjale me respekt dhe me dinjitetin që ajo kërkon. Kuptimi letrar i fjalës irhab i përmendur në ajete është “frikësimi”. Megjithatë kjo është një frikë natyrore, e cila shfaqet ndaj mundësisë së cenimit dhe e cila shkakton një formë frenuese e ajo nuk është cenimi i vetvetes.[15]

Komentuesit e Kur’anit e kanë interpretuar fjalën “irhab” të theksuar në ajetin e mësipërm në kuptimin e të qenët të pajisur me armët e nevojshme (si kuajt e luftës) kundër armikut në mënyrë, që të krijojnë një forcë frenuese në përputhje me rrethanat e rastit.[16]

Rashid Rida thekson se fjala irhab nuk do të thotë të shpallësh luftë, por përkundrazi, të parandalosh luftën; prandaj ajo nënkupton mbrojtjen e shoqërisë dhe jo shkatërrimin e saj. Ai gjithashtu e interpreton ajetin e lartpërmendur si “përgatitje e armëve të luftës në shkallën më të lartë të mundshme në mënyrë që të parandalohen armiqtë (të njohur ose jo) të shpallin luftë ose të sulmojnë”.[17]

Në hadithe, irhab nënkupton frenim[18], përmbajtje dhe në komentimet e haditheve është interpretuar si e tillë[19].

Dijetarët e Legjislacionit Islam gjithashtu e përdorin fjalën irhab në kuptimin e mjetit frenues.[20]

Si rezultat, kur ne e studiojmë strukturën e fjalës irhab, përdorimin e saj si dhe kuptimin që i është dhënë në librat e hadithit, në komentimet në librat e Legjislacionit Islam dhe në fjalorë të ndryshëm, dalin në dritë faktet e mëposhtme:

  1. Fjala irhab e cila përmendet në Kur’an është e lidhur me çështjen e idad-it; ajo është një fjalë që ka kuptimin e të qenët gati për të mbrojtur vlerat e shenjta të dikujt. Ajo bazohet në parandalimin e shkeljeve, në përballimin e tiranisë dhe në tërheqjen e vërejtjes atyre të cilët kanë prirje kriminale. Kjo çështje është njohur dhe pranuar nga shoqëritë dhe nuk bie në kundërshtim me vlerat njerëzore.
  2. Dijetarët myslimanë përdorin fjalën irhab në veprat e tyre me kuptimin e “dekurajimit të armikut përpara ose gjatë luftës”, për t’i demoralizuar ata shpirtërisht dhe psikologjikisht.

Përveç këtyre dy formave të cituara në Kur’an, nuk ekziston asnjë kuptim tjetër i fjalës irhab si në Kur’an ashtu edhe në Sunet, si dhe nuk mund të gjendet asnjë i tillë në vepra të tjera të shkruara, të cilat burojnë nga Kur’ani dhe Suneti. Prandaj nuk do të ishte korrekte që fjala irhab e përmendur në Kur’an, të interpretohet si vrasje e njerëzve të pafajshëm në vende publike, në vendosje bombash në trup, me gjakderdhje, me zjarrvënie, duke shkaktuar dëme në banesa apo prona, në përhapje frike me qëllim vendosjen e kaosit në një shoqëri të caktuar. Nuk do të ishte korrekte, gjithashtu, që të përdorej Kur’ani si argument për mbështetjen e këtyre akteve.

Duke shtuar këtu edhe një fakt domethënës, i cili duhet të merret në konsideratë: Të gjithë fjalorët klasikë arabë përmbajnë vetëm fjalën ihafa (frikësim) si përkufizim i fjalës irhab. Megjithatë është vërejtur se në disa fjalorë të përpiluar në gjysmën e dytë të shek. XX, përkufizimi i fjalës irhab është ndryshuar dhe modifikuar. Me qëllim ose jo, veçanërisht në fjalorët e përgatitur nga jomyslimanet, fjala irhab është përkufizuar si “terrorizëm”[21].

Çështja e ekstremizmit dhe radikalizmit është më aktuale se kurrë. Tabloja e botës sot na dikton qartë nevojën që këtë temë ta trajtojmë në këndvështrime të ndryshme dhe me të gjitha dimensionet e saj, duke propozuar zgjidhje praktike, të cilat ruajnë përputhshmërinë me realitetin.

Një rol të rëndësishëm në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit luajnë liderët fetarë me predikimet e tyre në faltore dhe aktivitetet e shumëllojshme të thurura rreth mesazheve, që transmetohen në mësimet e ndryshme fetare.

Institucionet përkatëse kanë luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e një atmosfere të tillë mes anëtarëve të ndryshëm të shoqërisë. Por, siç na dikton edhe aktiviteti i Profetit Muhamed (paqja e bekimet e Zotit qofshin mbi të), zgjidhja ideale arrihet në momentin kur, çdo anëtar i komuniteteve të ndryshme, e ka fort të qartë qëndrimin karshi fenomeneve shoqërore që e detyrojnë atë të reagojë.

Në bashkësinë islame, pikërisht këtu imami dhe xhamia luajnë një rol kyç, sepse nëpërmjet tyre besimtarët ushqehen me informacione të ndryshme fetare e shoqërore.

Kështu është e nevojshme që, hytbeja e ditës së xhuma, vazi (ligjërimi) përpara saj po ditën e xhuma, apo mësime të tjera feje gjatë javës, të jenë ndër aktivitetet e çdo xhamie. Kjo, pasi xhamia nuk është vetëm vend adhurimi dhe faljeje, por edhe vend edukimi e socializimi. Ndër pikat që duhen pasur parasysh gjatë predikimeve veçojmë[22]:

1 – Ligjërimi është art më vete dhe, për të arritur rezultat, kërkohet që ligjëruesi të jetë i qartë në disa pika. Është e nevojshme që predikuesi të jetë i vëmendshëm dhe i qartë, sepse nëse nuk ka një mesazh ushqyes, atëherë audienca e tij nuk arrin të marrë një formim të shëndoshë.

2 – Një pikë tjetër që audiencës i tërheq vëmendjen dhe shpeshherë i bën të ndihen krenarë për persona apo fraksione të caktuara, është ligjërimi që ka kritikën si qëllim në vetvete. Ndryshe nga sa mund të mendohet, gjuha kritike nuk është tipar primar në predikimet fetare, sepse lë gjithmonë vend për keqkuptim, sidomos nëse kjo është e vazhdueshme. Edhe sipas doktrinës fetare, kritika e vazhdueshme është pozitive, por vetëm nëse ia drejtojmë vetes sonë.

3 – Bashkëngjitur me këtë pikë mund të sjellim në vëmendje edhe shmangien e çështjeve, që hapin diskutime të panevojshme, ose edhe më keq, trajtimin e çështjeve politike. Xhamitë në ditët e sotme janë objekte multifunksionale, të cilat krahas funksionit të vendfaljes, shërbejnë edhe si vatra të përfitimit të edukatës morale dhe fetare. Ky është edhe qëllimi për të cilën të gjithë ne si besimtarë grumbullohemi në to. Përfshirja e ambienteve të xhamive në aktivitete apo debate jashtë tipareve të tyre aktuale, nuk do të bëheshin shkak vetëm se për përçarje.

4 – Ligjëratat duhet të jenë të natyrës përgëzuese dhe inkurajuese. Imami duhet të përcjellë te audienca e tij qasje pozitive për të gjithë ata që kanë mendim të ndryshëm nga ai i yni. Këtë e mbështesim me hadithin e profetit të Zotit, ku porosit: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos largoni/mos qortoni.[23]

5 – Ligjëruesi duhet të njohë shumë mirë burimet e fesë islame. Literatura klasike, që përbën kulturën e dijes së qytetërimit islam, duhet patjetër të njihet mirë. Por, nga ana tjetër, nëse do të përjashtonim besimin dhe adhurimet, çështjet e marrëdhënieve civile kanë gjithnjë nevojë për një interpretim të drejtë e bashkëkohor. Në këtë këndvështrim, Islami nuk është statik dhe veçanërisht shkenca e jurisprudencës islame, si natyrë, është shumë dinamike. Ajo mbetet statike në momentin që nuk trajtohet në përputhje me rrethanat dhe kohën. Raste klasike përbëjnë fetvatë e dhëna nga dijetarë të mëdhenj, por që janë në rrethana krejtësisht të ndryshme dhe jashtë realitetit të vendit ku ne predikojmë. Ndonjëherë, ato, në vend të zgjidhjes, hapin më tepër probleme. Prandaj, kumtuesit e fesë, në këtë rast imamët e xhamive, kanë mbi supe një barrë shumë të rëndë, që kërkon një përgjegjshmëri dhe seriozitet maksimal. Krahas ruajtjes së kritereve të përcaktuara nga institucioni më i lartë i fesë, nëse është e nevojshme, ligjëruesi duhet të konsultohet me persona më të informuar për të kryer në formën e duhur detyrën e lartë të transmetimit të fesë.

6 – Krahas këtyre, imami i xhamisë ka për detyrë të ketë nën kontroll gjendjen e xhematit të xhamisë ku ushtron detyrën, në mënyrë që t’i paraprijë konflikteve të mundshme. Ai duhet ta edukojë xhematin e tij me një shpirt dhe botëkuptim të tillë që ata të jenë të gatshëm të pranojnë mendimin ndryshe dhe të respektojnë të tjerët, duke forcuar kështu frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit.

7 – Xhamia është më efektive në kryerjen e misionit të saj në momentin që organizon edhe aktivitete të ndryshme sociale. Përfshirja aktive e pjesëtarëve të xhematit të xhamisë, bën që gjithsecili të ndiejë që po jep kontributin e tij dhe kjo shton ndjenjat pozitive karshi të tjerëve, duke sjellë stabilitet e harmoni.

Si përfundim, mund të thuhet se çdokush është i rrezikuar nga ekstremizmi dhe radikalizmi. Prandaj kjo çështje nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë. Shkaqet që çojnë në të janë:

  • Mosnjohja e drejtë e çështjeve të fesë.
  • Sipërfaqësia në të kuptuarit e teksteve pa u thelluar në njohjen e qëllimeve, shkaqeve dhe urtësive që fshihen pas tyre.
  • Preokupimi me çështje sekondare dhe anashkalimi i çështje primare dhe madhore.
  • Pasimi i teksteve të paqarta dhe anashkalimi i teksteve të qarta.
  • Mungesa e një edukimi dhe arsimimi pranë predikuesve, imamëve të kualifikuar dhe të miratuar nga institucioni më i lartë i fesë.

 

Përfundim

Si përfundim themi se Islami e konsideron njeriun si krijesën më të nderuar, e cila është e pajisur me ndërgjegje dhe vullnet, dhe e quan lirinë e besimit si një të drejtë të pamohueshme. Feja Islame punon për eliminimin e pengesave që qëndrojnë mes Zotit dhe intelektit njerëzor, ndërgjegjes dhe vullnetit si parime themelore. Dhe kjo sigurisht që arrihet nëpërmjet një edukimi dhe formimi shumëdimensional mbi parimet dhe dispozitat fetare. Është për t’u theksuar fakti se kur Islami kuptohet siç duhet, çdokush mund të ndjekë linjën e quajtur “përfaqësim dhe komunikim”, linjën e praktikimit dhe komunikimit islam në mënyrën më të mirë të mundshme, gjë e cila rrjedhimisht do të çonte drejt një jetese në harmoni dhe paqe me këdo që na rrethon.

Është përgjegjësi profesionale dhe morale për çdo predikues të Islamit (myfti, imam, vaiz, muezzin etj.) që njerëzve që e rrethojnë t’jua shpjegojë fenë në mënyrën më të mirë të mundshme duke mos u shkëputur nga dy burimet kryesore që janë Kurani dhe Tradita profetike dhe sigurisht duke ndërthurur këto mësime më një metodologji të përshtatshme me audiencën e tij.

Referencat:

Çapan, Ergyn, Një Vështrim Islam mbi Terrorin dhe Sulmet Vetëvrasëse, Prizmi, Tiranë, 2006.

Kur’an, përk. i Hasan Nahit, botimet AIITC, Tiranë, 2011.

Ibn el Mendhur, Lisan el arab, r-h-b: Ragib, Mufredat, r-h-b: Zabidi, Taxh el Arus, r-h-b.

Taberi, Xhami el Bejan, 6/42: Razi, Mefatih, 15/192: Alusi. 10/26: Yazir, Hak Dini Kur’an Dili.

Rashid Ridha, Tefsir el Mener, 10/66.

Bazzar, Mesned, 6/30; Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/493.

Azim Abadi, Aun el Me’bud, 8/159.

Sarahsi, mebsut, 10/42: Ibn el Kudama, el Kafi; Bahuti, Kesh’shaf el Gina, 3/65; Ebu Is’hak, esh Shirazi, Muhedh-dheb, 2/231; Ibn el Abidin, 6/305.

Oxford Wordpower, New York: Oxford University Press, 1999: Hans Wehr, A Dictionary of Modern Written Arabic, Beirut, 1960; English Arabic Glossary, Encyclopedia Britanica, 11/650-651.

Buhariu, 3:72.

http://www.dritaislame.al/natyra-e-predikimit-dhe-aktivitetet-ne-xhami-si-faktore-parandalues-te-ekstremizmit/, 23.11.2017

[1]. Çapan, Ergyn, Një Vështrim Islam mbi Terrorin dhe Sulmet Vetëvrasëse, Prizmi, Tiranë, 2006, f. 45.

[2]. Ndërroi jetë në vitin 790.

[3]. Çapan, po aty, f. 45.

[4]. Kur’an; Surja el- Isra, 17/76.

[5]. Kur’an; Surja Maide, 5/32.

[6]. Kur’an; Surja Nahl 16/35, 82; Surja Ali Imran 3/20; Surja Maide 5/92, 99; Surja Rra’d 13/40; Surja Ibrahim 14/52.

[7]. Kur’an; Surja Gashije, 88/21-22.

[8]. Kur’an, Surja Bekare, 2/256.

[9]. Kur’an; Surja Taha, 43-44.

[10]. Kur’an; Surja Ankebut, 29:46

[11]. Kur’an; Surja Al Imran, 3:64

[12]. Kur’an; Surja Nahl, 16:125

[13]. Kur’an; Surja Al Imran, 3:159

[14]. Kur’an; Surja Enfal, 8:60

[15]. Ibn el Mendhur, Lisan el arab, r-h-b: Ragib, Mufredat, r-h-b: Zabidi, Taxh el Arus, r-h-b.

[16]. Taberi, Xhami el Bejan, 6/42: Razi, Mefatih, 15/192: Alusi. 10/26: Yazir, Hak Dini Kur’an Dili.

[17]. Rashid Ridha, Tefsir el Mener, 10/66.

[18]. Bazzar, Mesned, 6/30; Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/493.

[19]. Azim Abadi, Aun el Me’bud, 8/159.

[20]. Sarahsi, mebsut, 10/42: Ibn el Kudama, el Kafi; Bahuti, Kesh’shaf el Gina, 3/65; Ebu Is’hak, esh Shirazi, Muhedh-dheb, 2/231; Ibn el Abidin, 6/305.

[21]. Oxford Wordpower, New York: Oxford University Press, 1999: Hans Wehr, A Dictionary of Modern Written Arabic, Beirut, 1960; English Arabic Glossary, Encyclopedia Britanica, 11/650-651.

[22]http://www.dritaislame.al/natyra-e-predikimit-dhe-aktivitetet-ne-xhami-si-faktore-parandalues-te-ekstremizmit/, 23.11.2017

[23]. Buhariu, 3:72.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 79 = 83