Luftëtarët e ISIS,e kanë të vështirë të ri-integrohen në vendet e tyre në Ballkan

Nga Valerie Hopkins & Serbeze Haxhiaj “Financial Times”

Women and children who fled the Islamic State’s last areas of control in Syria at the Al Hol camp in northern Syria on March 28, 2019. The area’s Kurdish-led administration worries that the paucity of international support could help ISIS reconstitute itself. (Ivor Prickett/The New York Times)

Në një fshat në Kosovën rurale, familja e Edona Demollit, është mbledhur për të festuar kthimin e saj nga Siria, ku ajo dhe burri i saj shkuan 6 vjet më parë, për të luftuar përkrah militantëve të ISIS.

“Jam shumë e lodhur”- tregon zonja Demolli, teksa të afërmit gostisin mysafirët me çokollatë dhe tortë me vanilje. Fëmijët e saj luajnë në oborr. “Falenderoj Zotin, shtetin e Kosovës dhe SHBA-në, që më riktheu në shtëpi”- shprehet ajo, duke iu referuar presionit që Uashingtoni ushtroi ndaj vendeve aleate, për t’i pranuar luftëtarët e tyre nga kampet ku gjendeshin në të gjithë Lindjen e Mesme.

Edona Demolli, 31-vjeçe, nënë e 5 fëmijëve, ishte në mesin e 110 kosovarëve që u rikthyen në shtetin e vogël ballkanik në prill të këtij viti, pas shembjes së Kalifatit në mbarë Sirinë dhe Irakun gjatë vitit të kaluar.

Burri i saj u vra gjatë sulmeve të udhëhequra nga SHBA-ja në Alepo, dhe ajo u rimartua. E lumtur që është rikthyer në vendindje, ajo shqetësohet se si do të riintegrohet në shoqërinë kosovare, pas kaq shumë vitesh.

“Duhet të mendoj për dërgimin e fëmijëve të mi në shkollë, dhe për të ardhmen e tyre”- tha ajo. Rasti i saj është emblematik për sigurinë, vështirësitë politike dhe ligjore, me të cilat ballafaqohen shumë vende evropiane, teksa po mendohen nëse duhet t’i pranojnë ish-luftëtarët e ISIS, dhe si t’i riintegrojnë ata kur t’i pranojnë.

Qeveria suedeze, ka sugjeruar ngritjen e një gjykate ndërkombëtare me bazë në Irak, për t’i gjykuar rast pas rasti. Problemi në vendet e Ballkanit është specifik, pasi rajoni është ende duke e marrë veten nga një dhjetëvjeçar luftërash në vitet 1990, dhe ka institucione të dobëta si dhe programe modeste të asistencës sociale.

Rreth 1.000 njerëz nga Ballkani, shkuan në Irak dhe Siri, për të luftuar për ISIS-in, dhe rreth 400 prej tyre ishin nga Kosova. Dhe shteti i ri, është i pari në Ballkan që po organizon kthimin e qytetarëve të saj, në një shkallë kaq të madhe.

Duke rikthyer më shumë se 100 njerëz, “Kosova tregoi më shumë pjekuri, se sa disa shtete shumë të zhvilluara”, thotë Shpend Kursani, autor i një raporti mbi luftëtarët e huaj, dhe studiues në Institutin Universitar Evropian në Firence.

Rikthimi i tyre, “e ngarkon shtetin me trajtimin e tyre në mënyrën e duhur, siç është trajtimi i fëmijëve, që me siguri janë traumatizuar nga lufta, dhe sigurimin që ata të rriten ashtu si fëmijët e tjerë në Kosovë”. “Kjo është një sfidë, dhe unë nuk mendoj se ka politika të mira për këtë”- theksoi ai.

Kosova do të marrë përgjegjësinë e plotë për qytetarët e saj, tha kryeministri Ramush Haradinaj. “Megjithatë, të gjithë ata që rikthehen do të jenë subjekt i ligjit”-shtoi ai. Sipas një ligji të vitit 2015, pjesëmarrja në konfliktet e huaja është një vepër penale, dhe më shumë se 70 njerëz janë dënuar, që kur ISIS nisi të themelojë kalifatin e tij në vitin 2014.

Ata që nuk përballen me akuza penale, përballen me sfidën e madhe të ri-integrimit. Megjithëse në Kosovë 90 përqind e popullsisë është myslimane, është një shtet laik, dhe të rikthyerit, veçanërisht gratë, shmangen nga shoqëria, duke patur pak qasje tek përfitimet financiare, thotë Besa Ismaili, lektore në Fakultetin e Studimeve Islamike të Kosovës, që po krijon një bazë të dhënash me familjet e kthyera.

Kosova ka një plan për rehabilitimin dhe riintegrimin e të kthyerve, thotë Fatos Makolli, Koordinator Kombëtar i Kosovës për Antiterrorizmin. Mesa shihet, Kosova është më mirë se vendet e tjera ballkanike në këtë drejtim. Pas Kosovës, Bosnja ka numrin më të madh të luftëtarëve të rikthyer në Ballkan.

Nga 300 boshnjakë që u bashkuan ISIS, 80 janë ende në pritje në dy kampe në Siri, ndërsa familjet e tyre kërkojnë kthimin e tyre. “Ka disa luftëtarë të huaj meshkuj në paraburgim në Siri. Por ne nuk e dimë se çfarë do të bëhet me këta njerëz nëse kthehen”- thotë Vlado Azinoviç, ekspert i sigurisë, dhe lektor në Shkollën e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës.

Të paktën Kosova, po angazhohet seriozisht për këtë çështje, shton ai. “Ekzistojnë një numër çështjesh komplekse, dhe unë jam shumë i shqetësuar se askush nuk po i kushton vëmendje”- shtoi ai.

Në Kosovë, babai i zonjës Demolli, Gani Berisha tha se vajza e tij kishte nevojë për mbështetje. Kur ajo ishte në Siri, ai dhe familja e tij u shmangën nga fqinjët. Tashmë që ajo është kthyer, burri i saj i dytë është arrestuar dhe është marrë në pyetje.

Por askush nuk u ka ofruar ndonjë ndihmë, për t’i kthyer fëmijët në shkollë. “E di që do të duhet një kohë e gjatë që ajo ta marrë veten, dhe të kthehet në normalitet, po ashtu edhe fëmijët, pasi nuk kanë shkuar në shkollë për vite të tëra”-shtoi ai. Rreziqet janë të mëdha, thotë zonja Ismaili.

“Ju nuk duhet ta miratoni atë që ata kanë bërë, por duhet të kontaktoni me ta, për të parandaluar radikalizimin e mëtejshëm, dhe fëmijët e tyre kanë nevojë të krijojnë një lidhje me vendin”- përfundoi ajo.

Përktheu:Alket Goce

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

22 + = 24