“Kush do le të besoj e kushdo le të mohojë”

 Para disa javësh besimtarët mysliman kremtuan në forma të ndryshme muajin e lindjes së të dërguarit Muhamed a.s. Shumica dërmuese e myslimanëve kremtuan dhe kujtuan muajin rebiul ewel, si muaj në të cilin ka lindur i dërguari të cilit i është shpallur Kur’ani Famëlartë. Përjashtimisht, ideologjia ekstremiste vehabiste apo e ashtuquajtura selefiste e bojkotuan këtë nën arsyen se kremtimi i datëlindjes është veprim djallëzor dhe bie ndesh me Islamin, sipas botëkuptimit të tyre të çoroditur. Por tema jonë nuk është në atë se a lejohet apo jo, edhe pse dihet që kremtimi i mevludit është veprim i lejuar dhe i dobishëm. Ne do t’i qasemi qëndrimit Kur’anor direkt në lidhje me disa çështje që komentohen ndryshe nga njerëzit dhe në kundërshtim me citatet Kur’anore. Po flasim për Kur’anin që i zbriti Muhamedit a.s e jo për botëkuptimin e disa individëve mbi Kur’anin. Disa ndryshe flasin për Kur’anin por harrojnë që citatet në Kur’an flasin të kundërtën e asaj që neve nganjëherë na kumtohet.

Libri i Zotit ka qartësuar gjërat në mënyrën më kuptimplote dhe nuk kemi asnjë arsye apo nevojë t’i kthehemi edhe njëherë mendimeve individuale, të kujtdo qofshin ato e kur është në pyetje çështjet jetësore dhe organizative. Derisa Kur’ani ka ndaluar agresionin dhe dhunën ndaj dikujt, ka lejuar njeriun të zgjedhë besimin e tij, të jetoj jetën e tij, atëherë kujt i është dhënë e drejta të ndërhyjë në organizimet individuale dhe kolektive të shoqërisë?! Muhamedi a.s askujt nuk i ka ndërhyrë në jetën e tij, ai nuk ka bërë agresion, nuk ka vrarë robër lufte, nuk ka përdhunuar, nuk ka vrarë, nuk ka keqpërdorur vajzat e mitura, nuk ka imponuar besimin askujt, nuk ka bërë dallime midis të dërguarve, ishte mëshirë për njerëzimin mbarë etj. Kështu ai ishte i frymëzuar dhe mësuar nga Kur’ani Famëmadh. Ndërsa, disa sot, atë e paraqesin ndryshe, duke komentuar, shpifur dhe paraqitur atë ndryshe nga që ishte dhe që e mësonte Zoti xh.sh. Besimtari duhet të jetë në vazhdimësi syçelë dhe i kujdesshëm nga ajo që thuhet dhe transmetohet nga ata që ndryshe e tregojnë dhe pasqyrojnë të dërguarin e mëshirës, dashurisë dhe dhembshurisë

Postime te ngjajshme