Kur’ani, dritësuesi i njerëzimit!

 Duhet t’i edukojmë fëmijët dhe rininë tonë me dashuri dhe respekt për Kur’anin Famëlartë dhe përmbajtjen e tij të pandryshueshme ndër shekuj; ajet-ajet, sure-sure, mesazh-mesazh! Duhet të angazhohemi edhe më shumë për leximin e vazhdueshëm të Kur’anit dhe kuptimin e domethënieve të larta të tij!

Leximi me qëllim rritjen me Kur’an, zhvillimin e mendjes dhe horizonteve me Kur’an, dritësimi dhe pastrimi me Kur’an, e ndihmon njeriun për të gjetur ekuilibrat e jetës! Është mëse e duhur që në shtëpitë tona, Kur’ani të ketë hapësirë më të madhe sesa ajo që i jepet veprimeve, që shpesh humbin kohën dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por të heshtur, ndikojnë në mpirjen e mendjes dhe verbimin e zemrës! Kur’ani është Fjala e All-llahut, Zotit të Vetëm të botëve! Nëse nuk i japim vëmendjen Fjalës së Tij, kujt t’i japim vëmendje!? Në këtë katrahurë, ku është katandisur njerëzimi, Kur’ani është garanci hyjnore për të mos devijuar, për të jetuar me dinjitet dhe krenari legjitime, si njeri i vërtetë, mëkëmbës i denjë i Krijuesit Mëshirëplotë!

“Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?”! Subhanallah, sa e sa herë e lexoj këtë ajet (i 53-ti i sures Fussilet), aq më tepër më shtohet bindja dhe besimi i patundur se, përtej zullumeve me të cilat njeriu e përlyen veten, përtej përhapjes së anarshisë dhe mendimeve shkatërrimtare e poshtëruese të gradës së mëkëmbësisë, me të cilën është fisnikëruar Njeriu; aq më tepër Krijuesi e tërheq njeriu drejt dashnisë së Tij, me një argument, a një tjetër, herë në veten e tij, herë në natyrë, herë me një sprovë, herë me një befasi, herë me një fjalë, herë me një shkëndijë, pas së cilave shfaqet Drita e pashuar e udhëzimit! Ajo dritë, që të mbush zemrën me frymë dhe ta ndryshon jetën, aq sa, mbetesh i paaftë për t’u shprehur! Elhamdulilah për bekimin e vulosjes së Kur’anit me dëshminë e mbrojtjes hyjnore: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”! – (Kur’ani, El-Hixhr: 9).

Imam Muhamed B. Sytari Shkodër,  Mars 2019

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

9 + 1 =