Kur feja shndërrohet në armë kundër njerëzimit

 Kur’ani dhe tradita e profetit Muhamedit janë baza e mësimeve islame. Njëherit këto dy burime të fesë, janë burime të cilat fatkeqësisht më së shumti edhe keqpërdoren sot. Injorantët fetar të vetëshpallur dijetar të fesë dhe oportunistët dashakeq, duke u thirrur në Kur’an dhe traditë profetike, mëtojnë legjitimimin e absurditeteve të tyre të cilat i veprojnë në emër të fesë, por gjithnjë për qëllime të caktuara të tyre. Duke mos lëshuar nga goja përmendjen e Kur’anit dhe Sunetit, disa mundohen të shndërrohen në autoritet të vetëm dhe absolut fetar. Të këtillët duan ta monopolizojnë fenë me qëllim të manipulimit të ndjenjave të njerëzve dhe respektit që ata kanë pë Kur’anin dhe pejgamberin paqja qoftë mbi të. Dhe pas manipulimit dhe shpëlarjes së trurit, besimtarët do t’u nënshtrohen individëve dhe grupeve, duke menduar se po i nështrohen Zotit dhe se po e pasojnë Muhamedin paqja qoftë mbi të. Personat që vetëm formalisht thirren në Kur’an dhe Sunet, në vazhdimësi kanë ushqyer urrejtje ndaj prijësve fetar që thërrasin dhe praktikojnë islamin e vërtet dhe burimor.

Si në Kosovë, një ashtu edhe jashtë saj, hoxhallarët e mirëfilltë janë kërcënuar dhe linçuar nga persona që janë thirrur formalisht në Kur’an dhe Sunet. Këta individ duke pasur kinse dertin e fesë, kanë akuzuar hoxhallarët e mirëfilltë se janë novator (bidatçi), hipokrit, e deri tek akuzimi për mosbesim, duke i quajtur hoxhallarët dhe studiuesit e islamit, të pafe dhe pabesimtar. Kjo ka qenë metodologji djallëzore e njerëzve të sëmurë, që t’i largojnë nga skena njerëzit kompetent, për t’i hapur rrugë vetës, që vetë të prejnë e vetë të qepin petkun që do ta vishnin popullata e pafajshme, por e indoktrinuar. Këta thirrës formal i kanë shpallur luftë jo vetëm besimtarëve, por gjithë botës së qytetruar. Është tragjedi kur shohim se si vrasjet, plaçkitjet, perdhunimet dhe tmerre të tjera arsyetohen duke keqpërdorur Kur’anin dhe Sunetin.

Duhet ta kuptojmë se mësimet islame në tërësi thërrasin në vlera të mirëfillta, duke porositur për dashuri, harmoni, paqe, dhembshuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Andaj le të dihet se ata që në emër të fesë bëjnë thirrje për dhunë, vrasje, linçime dhe perçarje, ata nuk janë pasues të Kur’anit dhe Sunetit, ata janë armiqtë dhe dëmsjellësit më të mëdhenjë të islamit, myslimanëve dhe njerëzimit në përgjithësi. Andaj t’i themi ndal indoktrinimit, t’i themi ndal radikalizmit dhe ekstremizmit, dhe të punojmë për të mirën e vendit, kombit dhe popullit tonë. /foltash/

Postime te ngjajshme