Kujtojmë të kaluarën e njerëzve të mëdhenj të Kombit:


XHELADIN REKALIU, NJË PATRIOT I DEVOTSHËM I LLAPIT

Më 17 janar 1999, u shua e ndërroi jetë atdhetari dhe patrioti i devotshëm i çështjes kombëtare, Xheladin Rekaliu. Xheladini që tërë jetën me përkushtim fanatik ia kushtoi çlirimit kombëtar dhe lirisë së shqiptarëve në Kosovë, vdiq nga një sëmundje e rëndë më 17 janar 1999, vetëm 6 muaj para ngjarjeve të bujshme të 1999-ës, çlirimit të Kosovës nga Serbia, të cilin aq shumë e deshi dhe e priti dhe për çka aq shumë sakrifikoi, gjatë jetës së tij. Kush ishte Xheladin Rekaliu?

Xheladini lindi më 1948 në fshatin Gegaj të Podujevës, në një familje me tradita dhe histori mbresëlënëse që fillon nga Rilindja Shqiptare, gjegjësisht nga Lidhja e Prizrenit e vazhdon deri me çlirimin e Kosovës nga pushteti i Serbisë. Hajdin Rekaliu (gjyshi i Xhelës) kishte katër fëmijë. Jetishin, Faikun, Tefikun dhe vajzën Naxhijen e cila është nëna e luftëtarit të lirisë së UÇK-së, Remzi Demollit, i vrarë në luftë, ballë përball me ushtrinë serbe, në betejën tashmë të njohur të fshatit Kastrat (Obrançë) më 27 dhjetor 1998.

Babai i Xhelës, Jetishi, ishte martuar me mbesën e Salih Hoxhës, Bahrien, nga fshati Llaushë i Besianës i cili është i njohur për veprimtari politike e kombëtare gjatë sundimit të MSKS, që ishte arrestuar shumë herë nga pushteti i asaj kohe edhe pse kishte qenë një kohë deputet (posllanikë) në mbretërinë Serbe. Xheladini kishte edhe dy motra, Sevdijen e Mevludën. Xhela u martua me Remzije Sh. Gjatën nga fshati Bajçinë në vitin 1965, vajza e Shaqir Gjatës, familje e njohur për angazhim atdhetar gjatë Luftës së Parë e Dytë Botërore. Shaqir Gjata, kishte të mbaruar shkollën tetëvjeçare që i kishte krijuar mundësi t’i përcillte zhvillimet e rrjedhat politike. Më vonë edhe vet ai ishte pjesëmarrës e anëtarë i Komitetit Rinor Nacionalist për Mbrojtjen e Kosovës. (KRNMK), që vepronte në atë kohë në Kosovë. Shaqiri së bashku me Ismajl e Adem Ymer Thaçin nga fshati Zakut, Çazim A. Stubllën nga Lluzhani, dhe Ejup Hoxhën nga Lluzhani nën drejtimin e Imer Berishës më 16 nëntor 1944, të armatosur bashkë me ushtar të tjerë, kishin shkuar së bashku në Drenicën heroike për ta ndihmuar luftën e cila bëhej, kundër pushtimit serb të Kosovës që udhëhiqej nga Shaban Polluzha e Mehmet Gradica. (Shih vep. E cituar! Fehmi Pushkolli, Nuhi Gashi patriot dhe mësues, f. 68. Prishtinë. -Kujtime; dhe intervistë me Sheqir Gjatën; dorëshkrim 1990, e bërë nga Avdi Gjata).

Sevdija, motra e madhe e Xheladinit, martohet me Shefkiun nga fshati Bajçinë që është djalë i shtëpisë së Rexhep A. Gjatës që në odën e tyre në shtator të vitit 1967 ishte marrë vendimi për organizimin e fillimin e demonstratave të vitit 1968. Trembëdhjetë vite më vonë, mu nga kjo familje, gjatë vitit 1983-84. Avdi H. Gjata dënohet me 8 vjet burg, pasi ishte anëtar i lëvizjes për organizimin e demonstratave të vitit 1981, 82, 83 për krijimin e Republikës së Kosovës, rrënimit të pushtetit jugosllav komunist, angazhim kombëtar,veprimtari ‘armiqësore’ e nacionaliste’ e veçanërisht për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Gjatë luftës së fundit çlirimtare në komunën e Vushtrrisë nga paramilitarët e ushtria serbe, Xhelës i vriten motra Sevdija dhe djali i saj Meriton Gjata me 2 maj 1999, i cili ishte ushtar i rregullt në radhët e UÇK-së. Xheladini, pas vetes i la gjashtë fëmijë: Fitorja, Ardiana, Mimoza, Muhamedi, Valmira dhe Ardiani. Ai, ishte fëmija i parë i familjes së Jetish Rekaliut dhe djali i vetëm i kësaj familjeje tashmë të njohur për këtë anë të Kosovës.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

36 − 35 =