Kujdestaria dhe “yryshi” në rrjetet sociale

 Është evident fakti që disa të vetëshpallur gardianë të Islamit pothuajse i kanë vu vetes detyrë që të kujdestarojnë tërë ditën e natën që të mbrojnë Islamin i cili në realitet jo që nuk ka nevojë të mbrohet, por edhe nuk ka autorizuar askënd që të luaj rolin e gardianit apo kujdestarit të fesë. Është tepër irituese gjuha e ulët dhe e vrazhdët, e cila në rrjetet sociale edhe më tutje vazhdon të përdoret nga një pjesë e qytetarëve tanë, brenda dhe jashtë vendit. Mjafton një shfletim i shkurtër i komenteve, e sidomos në raport me çështje të caktuara të temave fetare, e të cilat të çojnë tek fyerjet më barbare duke filluar me nënë, baba, motra, fis të ngushtë dhe të gjerë, si dhe tek shumë e shumë fraza të tjera, të cilat nuk i përkasin asnjë njeriu normal dhe mirë të edukuar, e më së paku një besimtari të devotshëm të Zotit. Aq më brengosësh është edhe gjuha kërcënuese e natyrës së inkuizicionit, e shoqëruar deri me vdekje, ndaj të gjithë atyre të cilët nuk pëlqejnë me mendimet e tyre meskine.

Prijësit fetar, pa dallim, e kanë obligim para Zotit dhe para njerëzve që të kultivojnë besimtar racional dhe rezonues, të cilët edhe kur zhvillojnë debat dhe polemikë atë e bëjnë mbi bazën e argumentit, dhe jo të tillë emocional, dhe yryshgji. Nga fjalori i sotëm i një pjese të qytetarëve besimtar në raport me tematika fetare, dhe jo vetëm të një komuniteti të caktuar, tregon se prijësit tanë fetar me ithtarët e tyre, nuk kanë qenë në nivelin e kërkuar. Një besimtar i mirë, përveç edukimit shpirtëror vertikal, ai duhet të ketë edhe edukim të përgjegjësisë horizontale ndaj gjithë njerëzve pa dallim.

Postime te ngjajshme