Kujdes nga akuzimi për qufër – mosbesim!

Falënderimet tona qofshin për Krijuesin Fuqiplotë; përshëndetjet tona janë për të dërguarit e Tij, në veçanti mbi të dërguarin e fundit, njeriun e paqes, sinqeritetit dhe moralit, Muhamedin a.s. i cili ka thënë: “Ai i cili akuzon muslimanin se është pabesimtar, ose i thotë armik i Allahut, nuk ka dyshim se kjo akuzë vlen për të nëse nuk është e bazuar”. Përmes kësaj thënie të urtë dhe fisnike të Pejgamberit a.s. na tërhiqet vërejtja për ruajtjen e raporteve tona ndërmuslimane. Nga ky hadith mësohemi dhe sugjerohemi që të kemi kujdes në raportet mes besimtarëve islam të cilët në asnjë mënyrë dhe rrethanë nuk kanë të drejtë ta etiketojnë njëri-tjetrin me terme që kanë për qëllim nënçmimin e besimit të muslimanit, si p.sh., t’i thuhet muslimanit: “O pabesimtar dhe armik i Allahut!”

Hadithin që e cituam me lartë na jep të kuptojmë që nëse ndodh që një besimtar ta quaj një tjetër besimtar, pa pasur të drejtë sheriatike, si pabesimtar ose duke përdorur shprehje të tjera që synojnë nxjerrjen e tij prej Islamit, atëherë kjo thënie – akuzë, i kthehet dhe vlen për vetë akuzuesin, i cili në këtë rast është vetë mohues i së vërtetës sepse Islamin e besimtarit e konsideroi pabesim. Edhe nëse ndodh që dikush prej besimtarëve të fyej Allahun, të dërguarit e Tij, melaqet etj., i tilli nuk ka arsye të fyhet, sepse ai me fyerjen që bëri është i dalë vet dhe haptas prej besimit.

Gjithashtu nuk është e lejuar që besimtarin, i cili e ruan besimin në Allahun dhe në të dërguarin e Tij, ta quajmë apo etiketojmë me shprehje të besimeve të tjera, si p.sh, t’i thuhet: “O armik i dinit”, “O fasik”, “O xhahil” e të tjera, por edhe përdorimi i shprehjeve “qafir”, “qufarë” drejtuar jomuslimanëve me qëllim të fyerjes është nuk është etike dhe njerëzore e aq më pak islame. Pra, besimtari musliman në përditshmërinë e tij është etik dhe i virtytshëm. “Morali i Muhamedit a.s. ishte Kur’ani”, por edhe i besimtarëve, të cilët janë pasues të tij. Në tërë veprimtarinë e tij nuk kemi ndonjë rast apo të dhënë që i Dërguari a.s. të mallkonte, etiketonte, fyente apo urrente dikë. Njerëzit të cilët nguten për të dhënë konkluzione të këtilla, e që si duket më shumë merren me fatet e të tjerëve sesa për dertet e tyre personale, shpesh gabojmë kur gjykojnë besimtarin për ‘pabesimtar’, ‘budistë’, ‘fasik’, etj. Rreziku bëhet më i madh kur akuzohen dijetarët me renome në botën islame, të cilët kanë dhënë dhe po japin një kontribut të madh në ofrimin dhe shpjegimin e drejtë të mësimeve islame, të tillët fyhen, etiketohen apo edhe gjykohet për besimin e tyre! Dukuritë e tilla nuk duhet të jenë prezentë në përditshmërinë e besimtarit islam. Zotin e Madhërishëm e lusim të na shtojë dijen, të na forcojë në besim dhe të na ruaj gjuhën dhe mendimet tona eventualisht të paragjykuara.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

59 − = 52