KUJDES GJATË VOZITJES, JETA ËSHTË E SHENJTE

ZHURMË e çjerrë rrotash, kërcitje hekurishtesh, krismë xhamash që bëhen copë e çikë, ulërima njerëzish . . . Këto nuk janë të panjohura për këdo që ka përjetuar një aksident. Agjencia e të Dhënave për Popullsinë raporton se në mbarë botën «çdo vit humbin jetën në aksidente rreth 1,2 milionë njerëz dhe plagosen deri në 50 milionë të tjerë». Sidoqoftë, shumë aksidente mund të shmangen nëse i kushtohet vëmendje sigurisë dhe nëse tregohet gjykim i shëndoshë. Le të shohim se si. Kufizimi i shpejtësisë, rripi i sigurimit dhe celulari Në disa rrugë shpejtësia e lejuar mund të duket tepër e ulët. Megjithatë, kalimi i shpejtësisë zakonisht nuk ju kursen edhe aq kohë. Për shembull, për një distancë 50 km, rritja e shpejtësisë nga 90 në 110 km në orë, do t’ju kursejë rreth 6 minuta. A ia vlen të rrezikoni jetën për kaq pak kohë?

Rripi i sigurimit është bërë enkas për sigurinë. Një agjenci qeveritare në Shtetet e Bashkuara thoshte se vetëm në atë vend, rripi i sigurimit ka shpëtuar më shumë se 72.000 jetë nga viti 2005 deri në vitin 2009. A e zëvendëson atë jastëku i ajrit? Jo. Ky të mbron kur përdoret bashkë me rripin e sigurimit. Nëse nuk e vini rripin, jastëku i ajrit nuk ka shumë dobi, madje mund të kthehet në rrezik. Prandaj, bëjeni zakon të vini rripin e sigurimit dhe kërkojuni ta vënë edhe atyre që janë me ju në makinë. Kujdes edhe një gjë tjetër: kurrë mos e përdorni celularin për të folur a për mesazhe ndërsa i jepni makinës.

Gjendja e rrugës dhe mirëmbajtja e makinës
Forca e fërkimit të gomave është më e vogël kur rrugët janë të lagura, me pluhur, rërë ose zhavorr. Po ta ngadalësoni shpejtësinë, ka më pak të ngjarë të rrëshqitni gjatë frenimit. Nëse udhëtoni shpesh në rrugë të mbuluara me borë ose akull, mendoni seriozisht të blini goma dimri. Ato kanë lule më të thella dhe forcë fërkimi më të madhe. Kryqëzimet janë një rrezik për të gjithë shoferët. Një ekspert i kësaj fushe sugjeron: kur ndizet drita jeshile, mos hyni vetëtimthi në kryqëzim. Nëse pritni vetëm pak, mund të shmangni karambolin me ndonjë makinë që nuk e ka respektuar dritën e kuqe. Për shmangien e aksidenteve është thelbësore të mbahet makina në gjendje të mirë. Imagjinoni ç’mund të ndodhë nëse frenat nuk mbajnë kur jeni në timon. Që t’u paraprijnë problemeve mekanike, disa shoferë e çojnë rregullisht makinën te një mekanik i aftë për t’i bërë shërbime, kurse të tjerë ia bëjnë vetë. Sido që të jetë, sigurohuni që makinës t’i bëhen kontrollet dhe riparimet e nevojshme. Zbatimi i rregullave të trafikut, vënia e rripit të sigurimit, mbajtja e makinës në gjendje të mirë dhe mospërdorimi i alkoolit kur i jepni makinës, mund t’ju mbrojnë jetën juve dhe të tjerëve. Këto sugjerime do t’ju ndihmojnë t’i shmangni aksidentet vetëm nëse i zbatoni.
MOS I JEPNI MAKINËS TË PËRGJUMUR
«Njerëzit duhet të mbajnë mend se, kur i jep makinës i përgjumur, është pak a shumë si të ngasësh i dehur.» Kështu u shpreh një zyrtar i Fondacionit Kombëtar për Gjumin në Shtetet e Bashkuara për të treguar sa e rrezikshme është t’i japësh makinës i përgjumur. Shenjat e mëposhtme tregojnë se kur është e pasigurt t’i jepni makinës.*
● Mezi përqendroheni, pulitni sytë shpesh ose ju rëndojnë qepallat
● Gati ju varet koka
● Ju hapet goja vazhdimisht
● Kujtoni si në tym kilometrat e fundit
● Ju shpëtojnë pa vënë re daljet ose shenjat e trafikut
● Dilni nga korsia, nuk ruani distancën e sigurisë ose goditni gungat fosforeshente në asfalt
Nëse vëreni këto shenja, lërjani timonin një tjetri ose ndaloni në një vend të sigurt e merrni një sy gjumë. Më mirë pak vonë, sesa të rrezikoni jetën tuaj dhe të të tjerëve.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

− 4 = 1