KIPRED prezanton shembujt e Suharekës dhe Podujevës kundër ekstremizmit

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) organizon tryezën e rrumbullakët në të cilën do të prezantohet Raporti i Politikave “Parandalimi i Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm: Mësimet nga Shembujt Pozitivë të Komunave të Podujevës dhe Suharekës”.

Komunat e Podujevës dhe të Suharekës janë shembujt më pozitivë në Kosovë në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, dhe prej tyre mund të nxirren mësime të dobishme për trajtimin e kësaj problematike në nivelin lokal dhe në atë nacional.

Për këtë arsye, dhe me qëllim të dekonstruktimit të ndërlidhjes së parametrave socio-ekonomik me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, në këtë punim, fillimisht janë analizuar të dhënat socio-ekonomike të këtyre komunave, dhe ato janë trajtuar në mënyrë krahasimore me të dhënat socio-ekonomike të komunave me nivelin më të lartë të rasteve të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, domethënë, me ato të Kaçanikut dhe të Hanit të Elezit.

Më pas, është analizuar roli i udhëheqësive komunale, i partive politike, Policisë së Kosovës, bashkësive komunale islame, mediave dhe shoqërisë civile të komunave të Podujevës dhe Suharekës në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe është nxjerrë një numër i përfundimeve dhe rekomandimeve përkatëse.

Ky raport i politikave është pjesë e programit të Konzortiumit të OJQ-ve (ATRC, KIPRED, BIRN, SPRC, KCBS dhe D+) “Me Demokraci Pjesëmarrëse për një Kosovë pa Radikalizëm”.

Postime te ngjajshme