KË SHKOLLË ISLAME T`A PASOJMË SI PJESËTAR TË BESIMIT ISLAM NË VENDIN DHE TROJET TONA

Në botën islame ekzistojnë shkolla dhe doktrina të ndryshme të cilat janë themeluar në emër të mësimeve islame. Por, janë dy shkollat apo drejtime kryesore të cilat dominojnë në gjithë komunitetin e gjerë mysliman; sunite dhe shiite.
E në gjirin e këtyre dy ndarjeve kryesore të trungut të gjithfarshëm mysliman, ekzistojnë edhe nënndarje dhe degëzime tjera të shumta.
Në kohën e të dërguarit Muhammedit (a.s.) nuk ekzistonte një fragmentizim i tillë, sepse nuk kishte hapësirë, por edhe nuk ekzistonte mundësia që dikush të fliste kundër asaj që thoshte dhe vepronte vet pejgamberi.
Mendimet dhe qëndrimet e kundërta përmes interpretimeve mbi Islamin, natyrisht që lindën vetëm atëherë pas largimit të tij nga kjo botë.
Me zgjerimin e Islamit jashtë kufijve të Gadishullit Arabik, u zgjeruan edhe qëndrimet kontradiktore rreth formave dhe mënyrave të interpretimit të tij. Ky diversitet i mendimeve nuk kishte lindur për shkak të librit të shpallur Kuranit, por si rezultat i transmetimeve kontradiktore për modalitetet e praktikumit të Islamit nga ana e të vet dërguarit Muhammed (a.s.)
Rreth viteve 700 të erës sonë ishte themeluar shkolla e parë juridike islame e njohur me emrin “medh-heb hanefij” ( 699-767), pas së cilës pasuan të tjerat me radhë si ajo “malikite” (711-795), “shafiite” (767-820) dhe “hanbelite” ( 780-855).
Të gjitha këto emërtime të drejtimeve juridike fetare, emrin e tyre e kanë marr në bazë të themeluesve të tyre.
Secila nga këto shkolla fetare islame gëzonte reputacionin e vet në nivel lokal, pastaj rajonal dhe më gjerë, varësisht dhe në bazë të mbështetjes të cilin e gëzonte nga sunduesi pushtetar i kohës.
Jashtë Mekës dhe Medinës u themeluan edhe qendra të reja të mendimit dhe interpretimit të Islamit, si ajo e Damaskut në kohën e emevitëve(662-750), e Bagdadit në kohën e abasidëve (750-1517) dhe e Andaluzisë -Spanjës (732-1492). Kjo e fundit ishte ajo e cila mbajti primatin më të gjatë kohor nga gjitha shkollat e lartpërmendura dhe ishte nga më të frytshmet e gjitha kohërave.
Me largimin e myslimanëve nga Andaluzia-Spanja në vitin 1475, dhe me lindjen e Perandorisë Osmane ( 1299-1922), qendra e mendimeve dhe dekreteve fetare “ fetvave” u transferua gradualisht në Stamboll, të cilën e kryesonte titullari më i lartë i saj i njohur me emrin “ Shejhul Islam”.
Sipas historisë islame universiteti më i vjetër në shoqërinë myslimane është themeluar në qytetin F`es të Marokut të sotëm në vitin 859 të erës sonë, i njohur me emrin “ Universiteti el-Kareviin”, ndërsa në vitin 972 universiteti i el-Az-harit në Kajro, i cili edhe sot është i njohur botërisht.
Nga këto dy universitete, të cilat janë edhe tani janë aktive kanë dalë koka të ndritura të dijetarëve të shumtë të të gjitha konfesioneve fetare pa dallim.
Këto ishin disa nga qendrat më të njohura edukative dhe arsimore me të kaluar të hershme.

Qendrat islame gjatë historisë, ndikimin e tyre e kanë shtrirë duke u bazuar në mbështetjen dhe shtytjen që i ka dhënë, siç u theksua edhe më lart pushteti dhe pushtetari sundues.
Nëse perandori, sunduesi apo mbreti i shoqërisë myslimane i ka takuar një shkolle të caktuar juridike fetare, atëherë ndikimi dhe pesha e asaj shkolle ka qenë më e fuqishme sesa shkollat tjera simotra. Kështu vazhdon edhe sot.
Vendet myslimane me ekonomi të zhvilluar shpenzojnë para të shumta për të zgjeruar sa më shumë versionin e tyre lokal të interpretimit të fesë islame, edhe pse në shumë raste ai mund të jetë në disfavor të vetë myslimanëve.

Edhe sot ekzistojnë shumë universitet islame në botë. Më i njohuri prej tyre është ende universiteti i el-Az-harit në Kajro, por i cili për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike përmes së cilës dekada me radhë po kalon shteti i Egjiptit, ky universitet nuk është duke e pasur më ndikimin e tij të mëhershëm në shoqërinë e gjithëmbarshme myslimane, edhe pse akoma është më i fuqishmi dhe më kredibili
Rivalitetin më të madh, në 5 dekadat e fundit këtij universiteti dhe të universiteteve tjera islame i ka shkaktuar Arabia Saudite, e cila në vitin 1961 ka themeluar universin ndërkombëtar Islamik në Medine, i ka joshur studentët e botës islame gjithandej, që të jenë pjesë e tij përmes ofrimit të bursave shkollore dhe akomodimit falas.
Prandaj sot,thuajse nuk ka pjesë të botës myslimane që të mos ketë kuadro të dala nga ky universitet. Edhe në trojet shqiptare, për dallim nga e kaluara e hershme kur shqiptarët studionin për fenë islame në Sarajevë, Kajro, Bagdad dhe Tripoli-Libi, sot dominojnë kuadro të dala kryesisht nga universiteti islamik i Medinës.
Në fakt , Arabia Sauditekrahas Universitetit Islamik në Medine, për shqiptarët i ka hapur dyert edhe në Universitetin e el-Kasimit, të Riadit dhe të Mekës.
Kurse Universiteti Islamik i Kuala Lumpuers në Malajzi, ishte dhe vazhdon të jetë përzgjedhje shumë e vogël e studentëve tanë, e kjo sigurisht për shkak të largësisë gjeografike.
Ndërsa Turqia, vetëm në 20 vitet e fundit është bërë adresë e studentëve tanë, të cilët po përzgjedhin universitete të ndryshme në këtë vend për të studiuar fusha të ndryshme, përfshirë edhe ato të studimeve islame.
E në dhjetë vitet e fundit, në vendet e Evropës janë hapur disa fakultet për studimin e Islamit si;në Paris, Osnabruck- Gjermani dhe në Insbruk- Austri etj.
Në Evropën Juglindore, në të cilën bëjmë pjesë edhe ne, primatin e studimeve islame vazhdon t`a mbaj Fakulteti i Shkencave Islame në Sarajevë(1977), pastaj Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë (1992), Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup (1997)dhe Universiteti Beder(2011) në Tiranë.

Kë të marrim si model ?

Në këtë gjendje ekzistuese të multi- shkollave dhe sekteve fetare islame, të krijuara që nga e kaluara e hershme historike islame dhe të vazhduara deri më sot, ne në raport me to duhet të jemi vigjilent, në mënyrë që me kohë të bëjmë dallimin mes mësimeve fetare objektive dhe atyre ideologjike dhe fetaro-politike.
Gjithashtu neve duhet të kultivojmë besimin në Zot në bazë të rrethanave dhe ambientit në të cilin jetojmë dhe veprojmë, duke mos pasuar domosdoshmërisht ide dhe ideologji të jashtme të ngjyrosura me fenë, të cilat nuk i përpin qytetari dhe shoqëria e jonë.
Të jesh besimtar i besimit Islam nuk është asnjëherë kusht të pasosh apo të anëtarësohesh në organizata dhe organizime të jashtme fetare.
Shkollimi dhe arsimimi jashtë vendit nuk është dobësi, përkundrazi, por dëmi shkaktohet vetëm atëherë kur studiuesi i laureuar jashtë vendit nuk është i vetëdijshëm për të bërë dallimin mes parimeve bazike fetare si dhe atyre ideologjike dhe sektare, të prodhuara në nivele lokale dhe rajonale, kryesisht mbi baza fanatike dhe gjeopolitike.

Dy dijetar të shquar në botën islame; Abdelfattah Mourou nga Tunizia dhe Shejh Ahmed el-Kubejsi nga Bagdadi, bashkëjetues të kohës së sotme moderne, kanë lëshuar së fundi disa deklarata publike, përmes së cilave kanë apeluar tek bota myslimane jashtë vendeve arabe, që të mos i pasojnë ata për formën dhe mënyrën e interpretimit të mësimeve islame, derisa të vetëdijesohen për gabimet që i kanë bërë në këtë fushë.
Sipas tyre, bota arabe, sot për sot, ka dështuar që të jetë model për të tjerët në këtë drejtim , sepse në emër të të njëjtit religjion –Islamit ka shkaktuar urrejtje, përçarje dhe vëllavrasje të pa të pa ndodhura më herët në historinë e myslimanëve.
Kështu duhet të veprohet, derisa të ketë një qasje e re e cila unifikon njerëzit rreth besimit, dhe jo qasje e cila i përjashton, stigmatizon dhe përbuzë të tjerët në emër të të njëjtit Zot dhe të të njëjtit të dërguar.
Sot, në këtë mjegulli të pa parë të qëndrimeve, formave dhe mënyrave të ndryshme të interpretimit fetar, kultivimi i besimit në Zot më së miri është të bëhet nga mësuesit vendor, konformë nevojave të shoqërisë në të cilën jetojmë, rrethanave dhe ambientit gjeografik dhe gjeopolitik të cilave u takojmë.
Me trup dhe këmbë në dheun tënd, ndërsa me veprime sipas mendjeve dhe interpretimeve jashtë atdheut pa filtrim dhe analizën tyre, fryti i pritur do të gjysmak, e në shumtën e rasteve i dëmshëm e me pasoja edhe vdekjeprurëse.
Pema e kultivuar në dheun tënd është gjithmonë më e frytshme dhe më e shijshme.

Autor: Xhabir Hamiti, Prishtinë, 10.01.2019

Postime te ngjajshme