Islami tradicional në Kosovë dhe në gjithë rajonin, asnjëherë nuk është shquar frikësues në Emër të Zotit

KONCEPTI I INTERPRETIMIT TRADICIONAL TE ISLAMIT NE TROJET TONA DHE NE BALLKAN Sintagma e Islamit tradicional në Ballkan, nënkupton përmbledhje të formave fetare, kulturore dhe civilizuese të islamit, të cilat kanë jetuar dhe mbijetuar në perandorinë osmane, në atë austro-hungareze, në mbretërinë jugosllave, si dhe në Jugosllavinë socialiste. Islami tradicional në Ballkan është autokton. Është Islam me rrënjë kulturore vendore. Ndryshe, Islami tradicional në Ballkan ka disa elemente sinkretike, i cili është i hapur ndaj islamit popullor, i hapur ndaj sufizimit-misticizmit si dhe rendeve të dervishëve, dhe i cili që nga viti 1878 është profilizuar në kontekstin e shteteve shekullare, të cilat janë formuar në Ballkan. Me të drejtë, nisur nga resurset e islamit tradicional në Ballkan, studiuesit tanë të fesë kanë kultivuar e zhvilluar shpjegime shumë të frytshme, të cilat nuk kanë rënë në konflikt me shtetet shekullare në Ballkan. Sigurisht se për neve, nuk janë të panjohura llojet e shteteve komuniste, të cilat nuk kanë ofruar hapësirë të mjaftueshme për liritë fetare, mirëpo pavarësisht kësaj dijetarët, hoxhallarët e ndritur dhe autoritete e Islamit në Ballkan ju kanë shmangur shpjegimeve dhe komentimeve konfliktuoze, duke promovuar gjithnjë opsionin e paqes dhe pajtimit. Me këtë mëtoj të them se studiuesit mysliman të Ballkanit e kanë kuptuar vlerën e madhe të komentimit paqësor të Islamit si dhe të mos kundërshtimit të shteteve, të cilat i kanë respektuar të drejtat thelbësore të qytetarëve. Në këtë formë ulematë, hoxhallarët dhe mistikët e Ballkanit i kanë ruajtur resurset e përhershme shpirtërore të Islamit tradicional në Ballkan. Kjo rrugë ndjekëse dhe qasje e matur është treguar e drejtë dhe e frytshme. Nisur nga kjo, është me rëndësi që edukimi ynë në medresetë dhe në fakultetet tona të jetë i profilizuar me drejtim të ruajtjes dhe afirmimit të resurseve shpirtërore tradicionale të Islamit në vendin dhe rajonin tonë. Edhe Kosova është pjesë e Islamit tradicional të Ballkanit. Islami tradicional nuk nënkupton një Islam të dytë apo të tretë, por nënkupton një formë dhe qasje të veçantë të pasimit të mësimeve islame në përputhshmëri me kulturën, traditat dhe pozicionimin gjeografik dhe politik të një vendi. Mësimet e formës së Islamit tradicional në Kosovë kanë qenë gjithmonë larg elementeve të radikalizmit dhe ekstremizmit. Ato janë kategorizuar me gjuhë të butë, ofruese dhe integruese me ithtarët e vet dhe jo kërcënuese ndaj pjesëtarëve të besimeve të tjera. Forma e interpretimit tradicional të mësimeve islame tek ne nuk nënkupton censurimin e mendimeve të tjerëve, mirëpo përjashton çdo fraksion, sekt apo çdo orientim i cili në emër të Islamit krijon huti dhe paqartësi në mesin e besimtarëve, me cytjet dhe mësimet e agjentëve dhe agjenturave të jashtme fetare politike. Islami tradicional në Kosovë dhe në gjithë rajonin, asnjëherë nuk është shquar për përdorimin e kërcënimit apo të luftimit të tjetrit në emër të Zotit, sikur që kjo ka ndodhur dhe po ndodhë edhe sot me lëvizjet politike fetare në Lindjen e Mesme. Prof.dr. Enes Kariq Perktheu Xhabir Hamiti#FOLTASH

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

63 + = 72