Ish-luftëtarët e ISIS,ja pse nuk ripranohen nga vendet evropiane

Nga Michael Birnbaum “The Washington Post”

Udhëheqësit evropianë, kanë kritikuar prej gati 2 dekadash Shtetet e Bashkuara për kampin në Gjirin e Guantanamos në Kubë, ku të burgosurit mbahen pa afat jashtë sistemit normal të drejtësisë amerikane.

Por përballë asaj se çfarë duhet bërë me shtetasit evropianë që shkuan të luftojnë përkrah Shtetit Islamik, dhe që tashmë kanë përfunduar në kampet siriane, ata po hezitojnë t’i rrikthejnë në shtëpi qytetarët e tyre, ku edhe mund të gjykoheshin si duhet.

Tre muaj pas rënies së kalifatit të ISIS, rreth 2.000 luftëtarë të huaj janë të burgosur në Siri dhe Irak, dhe rreth 800 prej tyre besohet se janë evropiane, sipas të dhënave që disponojnë zyrtarët amerikanë. Dhe këtu nuk përfshihen mijëra gra dhe fëmijë me shtetësi të huaj.

Udhëheqësit evropianë, kanë bërë shumë pak për të riatdhesuar qytetarët e tyre, edhe pse autoritetet amerikane dhe kurde u janë lutur të pranojnë qyyetarët e tyre. Zyrtarët e sigurisë, paralajmërojnë se mosveprimi mund të bëjë të mundur sulmet e ardhshme terroriste, dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, i cilësojnë të rënda kushtet në kampe si pasojë e mbipopullimit.

“Liderët evropianë, e kanë marrë parasysh çfarë mendojnë qytetarët e vendeve të tyre, ndaj tremben. Opinioni publik, është kryesisht kundër kthimit të luftëtarëve evropianë. Zemërimi është rritur pas sulmeve terroriste në Paris në vitin 2015 dhe Bruksel në vitin 2016, ku disa nga autorët kishin qenë me herët pjesë e ISIS”- thotë Koen Metsu, një deputet belg që është marrë me çështjet e sigurisë.

“Evropianët që iu bashkuan Shtetin Islamik, e dinin praprakisht se çfarë do të bënin atje”- thotë ai. Edhe rikthimi i fëmijëve të luftëtarëve, nuk gjen mbështetje tek publiku. Franca dhe Holanda, kanë pranuar ditët e fundit rikthimin e fëmijëve jetimë, pasi ata nuk janë më të ndikuar nga mendimet e prindërve të tyre.

Javën e kaluar, Belgjika tha se do të bëjë të njëjtën gjë. Ndërkohë, Britania synon t’u heqë shtetësinë simpatizantëve të dyshuar të Shtetit Islamik. Disa luftëtarë dhe simpatizantë janë dënuar në mungesë, për shkak se ndodhen në Siri.

Por autoritetet nuk duan t’i rikthejnë njerëzit në shtëpi, për të kryer atje dënimet e tyre. Ndërkohë, vendet evropiane kanë filluar të transferojnë ndjekjet penale në gjykatat e Irakut. Proceset gjyqësore janë të shpejta, avokatët kanë një qasje minimale dhe ndëshkimet janë të ashpra, shpesh kapitale.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut vetëm javët e fundit, 11 qytetarë francezë janë dënuar me vdekje. Franca, që e kundërshton dënimin me vdekje, sinjalizoi se nuk do të ndërhyjë aspak në këto gjyqe, duke thënë se e respekton sovranitetin e Irakut.

Ndërkohë SHBA-ja, ka nisur të rikthejë qytetarët e saj në shtëpi. Këtë muaj, 6 fëmijë dhe 2 gra u kthyen nga kampi i Al-Hol. Tre burra dhe një grua, po presin gjyqin në SHBA. Tre të tjerë kanë firmosur një marrëveshje për pranimin e fajësisë. Dhe një person nga Virxhinia po apelon një dënim prej 20 vjetësh, për shkak se kishte siguruar mbështetje materiale ndaj një organizate terroriste.

Zyrtarët amerikanë, janë duke shënuar një progres më të madh se sa homologët e tyre evropianë. “Nuk është zgjidhje lënia e atyre njerëzve në kampet e Sirisë verilindore. Kjo është një barrë për popullin sirian atje”- u tha gazetarëve javën e kaluar përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për Sirinë, Xhejms Xhefri.

“Është absolutisht e domosdoshme, që vendet të ndërmarrin veprimet e nevojshme, për të ripranuar qytetarët e tyre”- theksoi ai. Në kampin e Al-Hol, ndodhen më shumë se 73.000 njerëz, teksa kapaciteti normale është vetëm  për gjysmën e tyre.

Sipas autoriteteve kurde mes tyre ndodhen 3.200 gra dhe 7.900 fëmijë të huaj. Forcat kurde që menaxhojnë kampin, ankohen se janë të detyruara të shpenzojnë më shumë para për armiqtë e tyre të mundur, sesa mbi popullatën e tyre të dërrmuar nga lufta.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, ka thënë se dëshiron të tërheqë trupat amerikane nga rajoni. Kjo lëvizje, mund të kërcënojë funksionimin e kampeve, pasi ushtria amerikane ka qenë një burim thelbësor mbështetjeje për kurdët.

Ndërkaq, dënimet e evropianëve për akuzat e terrorizmit, kanë prirjen të jenë jenë më të lehta sesa në SHBA. Politikanët evropianë, paralajmërojnë se është e vështirë mbledhja e provave në terren mbi veprimtarinë e ish-luftëtarëve të ISIS.

Disa vende si Suedia, nuk e kriminalizuan udhëtimin e shtetasve të tyre drejt Sirisë, duke e bërë të vështirë akuzimin e tyre. “Përpjekja për t’i rikthyer ata këtu, është një vetëvrasje politike, pasi publiku nuk i dëshiron”- thotë Manjus Ranstorp, ekspert kundër terrorizmit në Universitetin Suedez të Mbrojtjes. “Ata kanë kryer krime, por problemi është se nuk mund t’i vërtetojmë dot krimet e tyre”- theksoi ai.

Përktheu:Alket Goce

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

53 − 45 =