I Dërguari nuk ishte hakmarrës

“Vërtet, Allahu e bekon të dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (Ahzab: 56) I Dërguari i Zotit, Muhamedi (a.s.), është krijesa më e përsosur që meriton respektin e çdo njeriu të ndershëm e objektiv. Ai është pejgamberi dhe njeriu me ndikimin më të madh në gjithë historinë njerëzore. Ka qenë udhëheqës shteti i urtë, komandant i paparë, gjykues i drejtë, bashkëshort i shkëlqyer dhe prind i mëshirshëm. Ka qenë falës, guximtar, trim, mik i ndershëm dhe fqinj besnik. U emërua me emrin Muhamed/i lavdëruar sepse atë e lavdërojnë banorët e qiellit dhe të tokës. Një personalitet i tillë është paraqitur vetëm një herë në historinë njerëzore dhe asnjëherë më nuk do të paraqitet një i ngjashëm me të. Allahu e veçoi me dhënien e mesazhit dhe pejgamberisë dhe e pajisi me virtyte të larta, të cilat nuk mund të shprehen me gjuhë dhe as të shkruhen me pendë. Lindja.

Në kohën kur bota ishte zhytur në errësirën e politeizmit dhe padijes, kur morali kishte rënë në shkallën më të ultë, në vitin 571, më 12 Rebiul Evvel, të Vitit të Elefantit, pak javë pasi që Zoti e shkatërroi Ebrahanë dhe ushtrinë e tij idhujtare, lindi krijesa më e mirë e Zotit në këtë gjithësi. Në një familje me zë, në qytetin më të shenjtë të botës, në Mekë, lindi Pejgamberi i të gjitha kohëve, Muhamedi (a.s.), vula e pejgamberëve. Me ardhjen e tij u ndriçua gjithësia dhe u gëzuan të gjitha krijesat në tokë e në qiej. Pas kësaj dite njerëzimi nuk do të ishte më kurrë sikurse kishte qenë më herët. Kur robëresha ia dha Ebu Lehebit lajmin për lindjen e Muhamedit (a.s.), ai e liroi atë. Prandaj shkatërrimi i ushtrisë idhujtare në vitin që lindi Muhamedi (a.s.) dhe lirimi i robëreshës ditën e lindjes së Muhamedit (a.s.), padyshim se ishin lajmërim se tashmë po afrohej koha që politeizmi dhe skllavëria ndaj njerëzve t’ia lëshonin vendin besimit ndaj Allahut dhe robërisë vetëm ndaj Krijuesit të gjithësisë. Muhamedit (a.s.) i vdiq babai, Abdullahu, para se të lindte. Në moshën gjashtëvjeçare i vdiq e ëma, Eminja, kurse në moshën tetëvjeçare i vdiq edhe gjyshi, Abdul Mutalibi, që përkujdesej për të. Caktimi i Zotit ishte që Muhamedi (a.s.) të edukohej dhe të pajisej me moral dhe etikë nga vetë Krijuesi dhe askush nga njerëzit të mos kishte ndikim tek ai, sikurse kishte ndodhur edhe me Musain (a.s.). Prandaj, Muhamedi (a.s.) thotë: “Zoti im më ka edukuar me edukimin më të mirë.” Ai asnjëherë nuk u ishte lutur dhe nuk i kishte adhuruar idhujt dhe putat që i adhuronin kurejshët. Ai i kishte vlerësuar ata si jo të denjë për t’u adhuruar, pasi ata nuk shihnin, nuk dëgjonin dhe nuk mund të sillnin as dëm e as dobi.

I dërguari i Zotit ishte madhështor. Ai është gërshetim i virtyteve të ndritshme dhe pasqyrë e shëmbëlltyrës së lartë. Fytyra e tij shndriste si hëna e plotë. Ai kishte një pamje të bukur dhe buzëqeshja asnjëherë nuk i hiqej nga buzët. Zoti e kishte pajisur me mençuri e urtësi hyjnore. Ndonëse nuk dinte shkrim e lexim, ai e mësoi gjithë botën dhe, me lejen e Krijuesit të gjithësisë, i nxori njerëzit nga errësira në dritë. Nga një shoqëri e vrazhdë nxori sahabët, gjeneratën më të mirë që njeh historia njerëzore, që e shkruan historinë me shkronja prej drite si të ishin yje. Pejgamberi (a.s.) qe posedues i moralit më të lartë. Ai ka thënë: “Allahu më ka dërguar për ta plotësuar moralin e bukur”. Aishja (r.a.), kur është pyetur për moralin e Pejgamberit (a.s.), ka thënë: “Morali i tij ishte Kurani”. Pejgamberi kishte arritur shkallën më të lartë të dashurisë ndaj Krijuesit. Zemra e tij ishte e lidhur vazhdimisht me Allahun. Kjo ngase gjatë tërë jetës së tij nuk vërejmë gjë tjetër përveç adhurimit të Zotit. Dhe kjo nuk është për t’u çuditur kur kujtojmë fjalët e Krijuesit: “Thuaj: ‘Në të vërtetë namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (Ena’m: 162) Muhamedi (a.s.) nuk ka qenë i motivuar nga të mirat materiale të kësaj bote, apo nga fama dhe lartësimi i emrit të tij, sepse edhe para se të bëhej pejgamber, por edhe pasi e çliroi Mekën, edhe pse kishte mundësi të jetonte në pasuri, ai jetoi në mënyrë modeste. Madje edhe pse i ishin falur mëkatet e shkuara dhe të ardhshme, ai falej dhe lutej duke i kaluar netët në adhurim aq sa i ënjteshin këmbët. Kur Aishja ia kishte përmendur këtë fakt, ai i kishte thënë: “O Aishe, a nuk duhet të jem rob mirënjohës ndaj Allahut?!” Kur kurejshitët i ofruan atij pushtet e pasuri, me kusht që të hiqte dorë nga misioni i besuar, ai tha: “Sikur të më vinin diellin në dorën e djathtë, kurse hënën në dorën e majtë, që të heq dorë nga misioni im, unë nuk do ta bëja këtë”. Mëshirë e dhuruar për botët Muhamedi (a.s.) është dritë dhe mëshirë e dërguar. Ai është dërguar mëshirë për mbarë njerëzimin: “Ne nuk të dërguam ty (Muhamed) veçse si mëshirë për botët.” (Enbija: 107).

Allahu e bëri Muhamedin (a.s.) krijesën më të përsosur dhe shembullin më të bukur për njerëzimin. E zgjodhi të jetë përgëzues dhe qortues, e zgjodhi pishtar drite në rrugën e Zotit. Gjatë jetës së vet, Muhamedi (a.s.) ka disponuar një sjellje dhe moral që e ka mahnitur edhe armikun më të përbetuar të tij, duke e shndërruar atë në mikun e tij më të dashur. Ai ishte cilësuar me epitetin “El Emin”, i besueshmi dhe i drejti. Ai solli nga Allahu dritën e fesë islame. E këshilloi umetin dhe e kreu me ndershmëri misionin që i ishte besuar. Me fjalët e tij të ëmbla dhe me stilin tërheqës, ai e sqaroi me hollësi fjalën e Zotit dhe nuk la vend për dyshim dhe paqartësi. Ai na la, sikurse na thotë: “Ju kam lënë në rrugën e qartë dhe të ndritshme, në të cilën edhe nata është sikurse dita dhe askush nuk devijon nga ajo përveç atij që është i humbur.” Butësia dhe mëshira e tij ndaj besimtarëve Rreth butësisë dhe mëshirës së tij ndaj besimtarëve, Allahu i madhërishëm thotë: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do largoheshin prej teje.” (Ali Imran: 159); “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Tevbe: 128)

Dhembshuria e tij për njerëzimin

Muhamedi (a.s.) ishte ngarkuar me shpalljen më madhështore për të gjithë njerëzit, prandaj ai nuk ishte hakmarrës. Dëshira e tij ishte që t’i largonte nga mendjet dhe zemrat e njerëzve pengesat dhe drynat, që t’i shpëtonte të humburit dhe të hutuarit, prandaj agresorit i përgjigjej me falje, të keqes me të mirë. Kur ishte kërkuar nga i dashuri i Allahut që të mallkonte, ai kishte thënë: “Unë nuk jam dërguar për të mallkuar. Unë jam pejgamber i mëshirës”. Në betejën e Uhudit, sahabët i thanë: O i Dërguar i Allahut, a s’po i mallkon idhujtarët? Ai u qe përgjigjur: “Unë nuk jam dërguar si një mallkues, por si një thirrës dhe mëshirë! O Zoti im! Fale popullin tim se nuk di se ç’bën!” Kur i Dërguari i Allahut kishte shkuar në Taif, për ta thirrur popullin e tij në fenë islame, ata kishin nxitur fëmijët e tyre që ta gjuanin me gurë. Xhebraili, më pas, i thotë Muhamedit (a.s.): “A ta shkatërroj këtë popull, duke i bashkuar këto dy bjeshkë njëra me tjetrën“? Ai thotë: “Unë nuk jam dërguar për ndëshkim, por për mëshirë”. Madje, Pejgamberi (a.s.) lutet duke thënë: “Zoti Im! Sille në rrugë të vërtetë këtë popull. Unë shpresoj që nga ata të dalë një brez besimtarësh.” Edhe me rastin e çlirimit të Mekës, ai, me zemërgjerësi, ua fali banorëve të saj të gjitha veprimet armiqësore duke u thënë: “Shkoni, jeni të lirë!”

Sjellja e tij me hipokritët

Pejgamberi (a.s.) nuk përdori forcën, pavarësisht nga provokimet e munafikëve. Nuk i urdhëroi myslimanët që t’i luftonin apo t’i vrisnin ata, apo prijësit e tyre. Ai nuk ua konfiskoi pasurinë dhe as nuk u mohoi atyre ndonjë të drejtë. Ata gëzonin të drejta të plota si shtetas, siç i gëzonin të gjithë myslimanët e tjerë. Ata merrnin pjesë në xhami, jepnin opinionet e tyre për çështjet e bashkësisë dhe merrnin pjesën e tyre të presë së luftës nga arka shtetërore. Madje i Dërguari i Zotit sillej ndaj tyre me bamirësi dhe i trajtonte me një sjellje fisnike. Me tolerancën, humanitetin, thjeshtësinë dhe çiltërsinë e tij, ai arriti që të bënte për vete edhe armiqtë më të përbetuar. AJNI SINANI

Postime te ngjajshme