I dashur tek Zoti është ai që e do vendin e vet

Këtë vit u shënua njëmbëdhjet vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ky përvjetor ishte sivjet edhe më i veçantë, meqë festuam me ushtrinë tonë të re. I madh e i vogël iu gëzuan festës së pavarësisë, ngase data 17 shkurt ngjallë kujtime dhe emocione të veçanta që na kujtojnë rrugëtimin tonë si popull për liri. Përkujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të kombit duhet të na shërbej si frymëzim për sakrifikimin tonë për kombin dhe vendin. Zoti i Madhërishëm me urtësin e Tij ka zgjedhur që të na krijoj shqiptarë, të flasim shqip dhe të jemi mëkëmbës të këtyre trojeve arbërore. Andaj është nder dhe detyrë e jona si shqiptarë dhe si besimtar që ta duam vendin dhe kombin, me të cilat na begatoi i Madhi Zot. Ai i cili ia kthen shpinën vendit dhe kombit, ka përbuzur dhuntinë e Zotit. Nuk mund të jemi besimtar të mirë, nëse nuk e duam vendin tonë dhe nuk punojmë për të mirën e tij. Andaj themi se; i dashur tek Zoti është ai që e do vendin e tij. Për këtë duhet punuar, dhe duhet kontribuar secili, që atdheun dhe kombin ta avansojmë në piedestalët më të lartë. Besimi i vërtet promovon dashurinë dhe respektin. Nuk mund të jetë i dashur e i respektuar, ai që nuk e do, e nuk e respekton vendin, kombin, gjuhën dhe prejardhjen e tij. Krahas vlerave të mirëfilta njerëzore, Foltash gjithmonë është angazhuar dhe do të angazhohet në promovimin e vlerave kombëtare, përkatësisht, identitetit tonë kombëtar, shqiptarë. Të bëhemi shqiptarë e besimtar të mirë, të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve që dhanë jetën që ne sot të jetojmë, dhe të festojmë të lirë, e krenar.

Editorial – Foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

− 4 = 3