I ashtuquajturi Kalifat merr fund, besimtarët të kujdesshëm nga ideologjia e saj

Nga Ben Wedeman & Kareem Khadder “CNN”

Ajo është e mbuluar nga koka deri te këmbët në të zeza. U identifikua si Um Basam, nëna e Basam. Më tha se ishte 25 vjeçe, nëna e katër fëmijëve, një vejushë nga qyteti i Alepos. Të gjitha përreth saj, ishin gra të tjera me histori të ngjashme, me fëmijët e strukur pranë tyre.

Disa orë më parë kishte rënë shi. Fëmijët e vegjël po qanin. Përreth kishin rrobat, çantat, pak ushqime, mbi baltë. Edhe me këtë mjerim, Um Basam nuk hezitoi të deklaronte përkushtimin e palëkundur ndaj të ashtuquajturit Shteti Islamik, tani që ai është në grahmat e fundit.

Duke folur në arabishten e dikujt që është i arsimuar, ajo shpjegoi me qetësi dhe me bindje se përse mbeti e përkushtuar ndaj idesë së ISIS. “Ne donim vetëm të jetonim në paqe, të visheshim sipas fesë, të mos dilnim jashtë, të mos shihim njerëz, dhe të qeveriseshin nga ligji i të Plotfuqishmit”- shpjegoi ajo.

Um Basam dhe qindra gra dhe fëmijë të tjerë u transportuan pasdite, nga periferia e Baguz, fortesa e fundit e ISIS-it në Siri. Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të enjten se ISIS-i ka humbur 100 për qind të territorit të tij në Siri.

Por një zyrtar i Forcave Demokratike Siriane të mbështetura nga SHBA, konfirmoi për CNN se luftimet vazhdojnë ende. Zyrtari tha se më shumë se 1 mijë civilë kanë braktisur enklavën e fundit të ISIS brenda orëve të fundit, duke iu bashkuar me më shumë se 10 mijë të tjerëve që kanë ikur javët e fundit, duke u mbyllur në paraburgimet e SDF.

Ata do të përfundojnë në ato, që mund të përshkruhen si kampet e internimit për ish “shtetasit” e ISIS. Um Basam, pranoi se ISIS-i kishte bërë gabime. “Po, ka pasur edhe teprime. Por ishte ende Shteti Islamik, dhe ishte kjo ajo që ne dëshironim”- u shpreh ajo.

Basam se burri i saj, të cilën ajo e përshkroi si një “menaxher” të ISIS, ishte vrarë në një sulm ajror në Raka dy vjet më parë. Po në lidhje me videot e postuara nga ISIS, që tregojnë në detaje të tmerrshme prerje kokash, djegie dhe ekzekutime masive?

“Po, ato ishin të tmerrshme dhe tronditëse. Por ky është ligji i të Plotfuqishmit!”. Po vrasjet në masë masive apo skllavërimi i grupit fetar minoritar Jazidi? Po masakra e myslimanëve shiitë?

“Të gjithë ne e dimë që libri dhe ligji i të Plotfuqishmit, thotë se cilido që lufton sunitët, kushdo që vret sunitët, dhe nuk qeveris me ligjin e të Plotfuqishmit, atëherë ata duhet të vriten. Ky është ligji i të Plotfuqishmit. Ne nuk mund ta ndryshojmë këtë gjë”.

Ideologjia e shtrembëruar e ISIS-it, ka infektuar edhe më të rinjtë. Mahmudi 15-vjeçar, vjen nga rethinat e Alepos. Kur e pyetëm se si kishte përfunduar në lindjen e largët të Sirisë, ai u përgjigj:”Sheriati na solli në Baguz, Islami na solli këtu”.

Kur u pyet nëse Shteti Islamik ishte duke u zhdukur, ai u përgjigj:”A nuk e keni lexuar Kur’anin? A nuk i dini ajetet e Kur’anit që thonë se Shteti Islamik, do të përjetojë vështirësi, dhe pastaj Zoti do t’i japë atij fitoren?”.

Mahmud, thotë se beson se i ashtuquajturi Kalifat i ISIS-it, do të rikthehet së shpejti. E njëjtja ndjesi, u konfirmua nga një grua tjetër e veshur në të zeza, që foli ulur prapa një kamioni. “Zoti po na vë në provë. Të padrejtët do të largohen, të drejtët do të mbeten. Ndoshta jemi të padrejtë”- tha ajo. Shteti që e quajti veten Islamik, mund të jetë gati të vdesë. Por ideja e tij radikale, jeton ende.

Përktheu:Alket Goce

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 28 = 30