HOXHALLARË DHE MËSUES NJËKOHËSISHT, QË PROVUAN EDHE BURGJET E SERBIT

Medreset e Prishtinës, të Shkupit dhe të Tiranës etj, u bënë dhe vatra të përgatitjes së mësuesve shqiptarë në gjuhën amtare për mjaft shkolla të vendit. Vetë specifikat e arsimit në viset shqiptare, ku kishte një nevojë shumë të madhe për kuadro të arsimit, në atë zhvillim të hovshëm që mori shkolla shqipe për disa etapa, lindi edhe nevojën e organizimit të nxënësve të medreseve për të përballuar këto nevoja për kuadër arsimor.Kjo tregon edhe për ndikimin e fuqishëm edukativ të medreseve në përgatitjen e kuadrit, çka u vërtetua katërcipërisht këtej e andej kufirit shtetëror shqiptar, mbasi ish-nxënësit e tyre, duke vazhduar kurse pedagogjike për plotësimin e përgatitjes profesionale, disa edhe shkolla të plota deri fakultete, shërbyen si punonjës të dëvotshëm të arsimit dhe të kulturës shqiptare, me ndërgjegje të lartë profesionale dhe me pretendime cilësore në arsimimin e edukimin e brezërive shqiptare. Kuadro të tillë janë të shumtë. Po ndalemi në ndonjë prej tyre.

Ramadan Govori (Mulla Rama)
Njeriu i thjeshtë dhe i madh Ramadan Govori, ose Mulla Rama, kaloi një jetë të vështirë, të mundimshme e me vuajtje të shumëllojshme fizike e psikike, por qëndroi me dinjitet si fetar, ai atdhetar i papëkulur e i pa-njollosur, duke e mbyllur jetën e tij i nderuar, duke fituar mirënjohjen e popullit për veprat që bëri. Lindi në Herticë të Podujevës më 16.IX.1908. Punoi e studioi pa ndërprerje për të kryer me dinjitet detyrën e tij fetare. Por Mulla Rama nuk mund të qëndronte indiferent ndaj fateve të fesë e të atdheut, nuk mund të toleronte ndaj atyre që kërkonin nëpërkëmbjen e të dyjave. Të parët këtë vendosmëri Lëvizja Nacionaldemokratike Shqiptare (LNDSH), ku u pranua anëtar i Komitetit (si organ udhëheqës i Lëvizjes), duke e emëruar kryetar i organizatës për LNDSH për Llap e Gollak, ku u angazhua me të gjitha forcat, pa asnjë rezervë, deri sa ra në gjurmë të pushtuesit dhe burgoset. E dënojnë me vdekje, por pastaj dënimi kalon në 20 vjet, i cili, pas një amnestie zbutet në 15 vjet. Dënimin e kreu ditë më ditë në burgjet e rënda të ish-Jugosllavisë, duke dhënë prova të një fetari dhe atdhetari të papërkulur, i qëndrueshëm dhe bujar me shokët e miqtë e vet të vuajtjeve.
Mulla Rama, banor i lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë, ndërroi jetë më 23 tetor 1993.

H. Hajdar Ef. Jashari
Lindi në vitin 1909 në fshatin Orizare të Kumanovës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Rezhanovë e pastaj mësimet i vazhdoi në medresenë e Kumanovës, ku mori edhe “ixhazetin” nga dijetari i shquar Nuhi ef.Jusufi.
Më vonë, për shkak të aktivitetit të tij të madh, emërohet edhe mësimdhënës në medresenë e Kumanovës, ku mori titullin myderriz. Në vitin 1946 dënohet me 12 vjet burgim nga ana e sllavo-komunistëve, për shkak të pikëpamjeve të tij patriotike e demokratike.
Pas nëntë vjetësh burgimi të rëndë, ai lirohet për të vazhduar misionin e tij si fetar, atdhetar e liridashës. Për qëndrimet e tij të palëkundura gjithnjë qe halë në sy për pushtetin maqedonas të asaj kohe. Më vonë punoi si imam në fshatin Llojan e pastaj në fshatin e lindjes Orizare, ku kontriboi në edukimin e brezit të ri me kulturë islame dhe traditen shqiptare. Vdiq në vitin 1991 duke lënë prapa shembëlltyrë që e bën të mos harrohet.
 
SADRI PRESTRESHI
Kishte mbaruar medresenë e Pirinazit në Prishtinë si dhe një kurs pedagogjik. Në vitet e para pas lufte punoi imam në një xhami dhe në fillim të vitit 1946 u inkuadrua në Organizatën Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar për rrethin e Sitnicës, me seli në Lipjan, por në shkurt të vitit 1944 u zbulua nga UBE-ja dhe u denua me katër vjet burg të rëndë. Më pas punoi në arsim, si mësues në shkollat fillore. Nga viti 1953 deri më 1969 punoi imam i xhamisë në Miradi të ulët e në Prishtinë dhe prej afro 15 vjetësh si pedagog në medresenë “Alaudin” në Prishtinë.
 
HAXHI HAFIZ JAKUP DUGAGJINI
Lindi në Prizren në vitin 1919. U diplomua në medresenë e atij qyteti, ku prej vitit 1947 dha mësim po aty dhe pastaj punoi myezin dhe imam në xhaminë e Sinan Pashës. Duke jetuar me situatën e vendit, u preokupua dhe u aktivizua në çështjen kombëtare, duke përdorur në këtë rrugë arsimin dhe kulturën shqiptare. Prandaj, duke qenë në Organizatën Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar, si i papajtueshëm me regjimin sllavo-komunist, e arrestojnë dhe vuan një kohë të gjatë në burgjet e ish-Jugosllavisë prej vitit 1950 e deri në vitin 1962. Fillon pune si imam i xhamisë së Imam Pashës në Prizren, duke zhvilluar vaze, ligjërata me efekt të theksuar edukativ për masat, te të cilat gëzon respekt e prestigj të lartë.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

− 3 = 3