Gruaja nga Gollaku vdes në Siri, la atje burrin dhe 5 fëmijët

Edhe një grua, nënë e pesë fëmijëve ka vdekur në zonat e luftës së Shtetit Islamik në Siri, duke shënuar kështu viktimën e dytë grua nga Kosova që vdiq për një javë në vatrat e luftës. Bëhet fjalë për Nazmije Demollin nga Hajkobilla e Prishtinës, cila para 5 viteve kishte shkuar në Siri me katër fëmijët dhe burrin e saj Arbenin. E ndjera para dy muajve është bërë nënë. Ajo la jetim 5 fëmijë të cilët gjenden në kampet e luftës me babanë e tyre Arben Demollin. Express, iu sjellë rrëfimin e familjarëve të çiftit rreth kësaj çështjeje.

Në vitin 2014 Nazmije Demolli nga Gollaku u nis bashkë me burrin e saj Arbenin dhe katër fëmijët për në zonat e luftës në Siri. Por, pas 5 viteve qëndrim në Shtetin Islamik, gruaja e Arbenit, Nazmija, bëhet sërish nënë e fëmijës së pestë. Të gjithë këta gjenden në zonat e luftës.

Por, dy muaj pas lindjes së foshnjës, Nazmija është vrarë nga ana e militantëve të Shtetit Islamik duke lënë kështu jetim pesë fëmijët e saj atje.  Mësohet se bashkëshorti i Nazmijes, Arbeni gjendet në Siri me fëmijët e tij.

Gazeta Express, dje ka qëndruar në familjen e Arbenit. Ata kanë treguar se lajmin për vdekjen e Nazmijes e kanë marrë nga familjarët e saj.

Thonë se nuk i dinë rrethanat e vdekjes së saj. Kontakt me Arbenin, familjarin e tyre, nga familja Demolli thonë se nuk kanë. Kjo ngase me shkuarjen e tij në Siri, ata i kanë shkëputur të gjitha lidhjet me të.

“Ne kemi ndi për vdekjen e saj nga familja e saj. Unë jam idhnu me ta që kan shku. Kontakt me ta asnjëherë nuk kemi pas. Veç nga familja e asaj (Nazmijes), ndonjëherë kemi marrë ndonjë lajm. Fëmija sigurisht tash janë me babanë e tij’, ka treguar për Gazetën Express, vëllai i Arbenit

E në familjen Demolli janë 7 anëtarë të familjes të cilët kanë shkuar zonat e të ashtuquajtrit shtetit Islamik në Siri, që tani ka humbur shumë territor. Arbeni, gruaja e tij tashmë e vrarë, 5 fëmijët si dhe djali i axhës së Arbenit i cili ka shkuar vite më parë në Siri por që është vrarë atje.

Ndërkohë Gazeta Express, gjatë kësaj jave ka raportuar edhe për vdekjen e një gruaje tjetër në zonat e luftës në Siri. Bëhet fjalë për Filloreta Kastratin e rreth të 30-ve nga fshati Karaçevë i Komunës së Kamenicës.

Ajo para disa viteve ishte martuar me një bashkëvendës të sajin nga po e njëjta komunë, për të vazhduar bashkë me të e familjen për në Shtetin Islamik (IS). Burri i saj vritet pas një kohe të qëndrimit atje.

Që nga ajo kohë, Filloreta, edhe pse ishte në zona të rrezikshme ku po zhvillohej luftë e ashpër, bashkë me dy fëmijët e saj, njërin 5 vjeç e tjetrin 3, vazhdimisht kishte arritur që ta kontaktonte familjen, prej të cilëve kërkonte ndihmë që të kthehej në Kosovë. Ajo kontakt me familjen kishte pasur deri një ditë para se të vritej.

Gazeta Express ka qëndruar në familjen e së ndjerës në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës ku ka biseduar me babanë e saj, Lulzimin.

Ai ka treguar se lajmin për vdekjen e vajzës e ka marrë nga një grua tjetër, e cila gjendet në Shtetin Islamik. Prindi i saj thotë se ka pasur kontakt me vajzën e tij disa herë. Ajo u tregonte se është shëndosh bashkë me dy fëmijët e saj dhe se vazhdimisht kishte kërkuar që të kthehej në Kosovë.

Ndërkohë, më shumë se 150 burra, gra dhe fëmijë nga Kosova ende janë në vatrat e luftës. Këtij numri i shtohen edhe 60 fëmijë të tjerë të cilët kanë lindur në vitet e fundit dhe të cilët së paku njërin nga prindërit e kanë me shtetësi të Kosovës.

 

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

− 8 = 2