Gjykimi kritik për lajmet, para se të përhapen, është obligim

shkruan: prof.dr. Milazim Krasniqi
Për të mbetur e pacenuar, për të mbetur plotësisht e pastër, natyra njerëzore ka nevojë që të furnizohet me përmbajtjen esenciale, për hir të së cilës është krijuar ashtu e përsosur. Pra, natyra njerëzore ka nevojë për shpalljen (vajhin.) Nëse, natyra e pastër e njeriut furnizohet me shpalljen, shpallja e bën fitrën dëshmuese, e fuqizon njohjen e realitetit dhe të asaj që është paralajmëruar me anën e shpalljeve. Duke e pasur aftësinë e njohjes së realitetit të programuar dhe aktive, fitra me anën e shpalljes, fiton fuqi që të përballojë çdo lloj provokimi që i bëhet nga projektet që kanë autorësi të njeriut, po edhe nga provokimet e djallit, armikut të përhershëm të njeriut. Pra, nëse njeriu i ka në mendje e në zemër udhëzimet, urdhrat, mesazhet, aksiomat e Shpalljeve Hyjnore, ai është i aftë të dallojë të vërtetën nga e pavërteta, të mirën nga e keqja, të drejtën nga e shtrembëta. Ato mësime nga Shpalljet shndërrohen në mendjen dhe në zemrën e tij, si diga që pengojnë infiltrimin ose kontrabandimin e përmbajtjeve të dyshimta, neveritëse, të shëmtuara. Fjala vjen, mjafton që lexuesi ta mbajë në mend ajetin 6 të shures El Huxhurat, që ta ketë të qartë se nuk duhet të pranojë e as të bartë informata pa i verifikuar:
“O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjellë ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.”
Pra, kërkohet që besimtarët të jenë të aftësuar që të shqyrtojnë në mënyrë kritike përmbajtjen e lajmeve e rrjedhimisht të mos veprojnë me lajme të rreme dhe të mos i përhapin ato. Nëse i përmbahemi këtij urdhëri, minimalisht do të dimë të mbrohemi nga lajmet e rreme dhe të mos i përhapim ato. Natyrisht, ka edhe shumë këshilla e urdhëresa të tjera hyjnore, që i referohen mënyrës së komunikimit, të kumtimit e të sjelljes së mirë, të cilat e ndriçojnë me mësime të duhura natyrën tonë njerëzore dhe na ndihmojnë ta realizojmë ashtu si kërkohet prej nesh nga Zoti, misionin si njerëz në këtë jetë.

foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 24 = 32