Fjala më e mirë është ajo të cilën folësi i saj e thotë drejtë, kurse dëgjuesi ka dobi prej saj

Drejtësia dhe korrektësia në fjalë është kusht themelor, ndërkaq bukuria është shkak i përzgjedhjes. Secili njeri ndoshta nuk është i aftë dhe i zoti të thotë fjalë të bukura, mirëpo secili është i obliguar të thotë fjalë të drejta e të vërteta. Po kështu, secili njeri ndjen kënaqësi kur e dëgjon fjalën e drejtë dhe të bukur. Bile, bile edhe ai që rrenën e ka bërë zanat të tijin dhe i cili rrenat i merr për të vërteta ose të vërtetat për rrena, ka dëshirë dhe priret të dëgjojë fjalë të drejta e të vërteta. Në fjalën e rreme ka mashtrim dhe pabesi. Kur një fjalë merret vesh se është e rreme dhe kur dëgjuesit e saj kuptojnë se janë mashtruar, ata preken thellë dhe ndihen të ofenduar. Mirëpo pastaj edhe rrenacakun e nxjerrin nga lista e njerëzve të ndershëm. Rrenacaku, me situatat e rreme dhe jo të vërteta, para se t’i mashtrojë të tjerët, e ka mashtruar vetveten. Për këtë arsye, të keqen dhe paturpësinë më të madhe rrenacaku në fakt ia bën vetvetes.

Fjala mbinë dhe rritet në kopshtin e zemrës, zihet e piqet në kuzhinën e trurit dhe gostitet në kuvendin e miqve të ndershëm. Lezeti apo shija e fjalës varet nga zengjinllëku dhe sinqeriteti i zemrës. Cakun që dëshiron ta arrijë njeriu nëpërmjet fjalës, në fakt është nijeti apo qëllimi drejt të cilit është orientuar zemra. Në qoftë se caku i fjalës dhe nijeti i zemrës janë të njëjtë, atëherë ajo fjalë është e vërtetë; në qoftë se karakteri i fjalës është i arsyeshëm dhe i ligjshëm, atëherë ajo fjalë është e drejtë; në qoftë se shprehja dhe stili i fjalës i jep hare dhe kënaqësi dëgjuesit të saj, atëherë ajo fjalë është e bukur.

Aristoteli kështu e përkufizon fjalën e mirë: “Fjala më e mirë është ajo të cilën folësi i saj e thotë drejtë, kurse dëgjuesi ka dobi prej saj”. D.m.th. për të qenë një fjalë e mirë, ajo duhet të jetë edhe e dobishme. Një fjalë mund të jetë e hidhur, mirëpo nuk guxon të jetë e gabuar, jo e drejtë. Për ta shprehur një ngjarje të dhimbshme fillimisht mund të heqim dorë nga bukuria e fjalës, më pastaj në qoftë se ka nevojë edhe nga vërtetësia e saj (siç është rasti ku mund të lejohet rrena). Mirëpo kurrë nuk hiqet dorë nga drejtësia dhe korrektësia e fjalës.#foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

76 − = 71