FENOMENI I FALJES SË GJAKUT PËR TË LËNDUARIT DHE TË VDEKURIT NË AKSIDENTE RRUGORE !

FENOMENI I FALJES SË GJAKUT PËR TË LËNDUARIT DHE TË VDEKURIT NË AKSIDENTE RRUGORE !
Accident në gjuhën angleze do të thotë: ”Një incident i pafat që ndodh papritur dhe pa dashje, duke rezultuar në mënyrë tipike në dëmtime ose lëndime”.
Të gjithë ne, kur jemi në rrugë dhe në mesin e mijëra makinave, është shumë e pritshme që në një apo formë tjetër të na godas ndodhia e aksidentit. Aksidenti mund të ndodhë edhe kur ne jemi duke ecur në këmbë; të rrëzohemi, të goditemi nga ndonjë objekt i shkëputur i ndërtesave të larta, të na godas ndonjë makinë në shpejtësi, të pësojmë nga vërshimet e papritura ose erërat e forta etj.etj. Me fjalë tjera natyra e aksidenteve nuk është gjithmonë e njëjtë.
Por, kush duhet të bëjë studimin dhe vlerësimin e shkakut të aksidentit kur ai ndodh?
Në vendet ku ekziston rendi dhe ligji, fjalën e kanë organet kompetente; policia, prokuroria dhe gjykata. Aksidenti rrugor sidomos, ndryshon njëri prej tjetrit. Vozitësi mund të rrëshqas pa dashje për shkak të motit të keq; borës, shiut të madh, gropave të papritura, ose për shkak të mungesës së sinjalizimeve të duhura të trafikut, të cilat në vendin tonë mungojnë me të madhe, shpërthimi i gomës, shfaqjen e papritur të ndonjë shtaze, dhe si pasojë të shkaktojë aksidentin. Ai gjithashtu mund ta godas edhe këmbësorin për fajin e tij, i cili mund të dalë befasisht dhe i pa përkujdesur në rrugë.
Falja nga familjarët, nënkupton mos-hakmarrjen ndaj shkaktarit të aksidentit, dhe kjo është gjë e mirë dhe për tu përshëndetur, sepse hakmarrja vetëm sa i rrit dhimbjet dhe dëmet njerëzore, prandaj në shoqëritë bashkëkohore, atje ku ekziston dhe respektohet ligji dhe drejtësia, hakmarrja nuk njihet as si term. Ndryshe, hakmarrja është gjetur si mjet primitiv në kohëra dhe shoqëri ku ka munguar dhe mungon ligji, si dhe atje ku nuk zbatohet drejtësia barazisht. Prandaj, falja e të gjallëve për të pësuarit në aksidente, në asnjë mënyrë nuk do të duhej të nënkuptonte edhe lirimin e dikujt nga vlerësimi i organeve kompetente ligjore. Sepse, asnjëherë nuk është i njëjtë aksidenti i shkaktuar nga kujdesia e plotë e shoferit, si dhe aksidenti i shkaktuar pa dashje dhe nga kujdesi i plotë i shoferit. Nëse drejtuesi i makinës, në zonën e kufizuar të shpejtësisë prej 20-40 km në orë, bënë vozitje me shpejtësi 100 km në orë dhe godet makinën tjetër apo këmbësorin, kuptohet se ndaj tij në asnjë mënyrë nuk duhet të ushtrohet hakmarrje, hakmarrja duhet të harrohet nga mendjet tona, por jo të falet edhe nga përgjegjësia ligjore. Nëse dikush drejton makinën nën ndikimin e alkoolit apo të narkotikëve, duke lënduar e vrarë njerëz në rrugë, pse të mos e merr dënimin e merituar të drejtësisë ligjore?! Sepse, nëse ne vazhdojmë ti falim shkaktarët e aksidentit dhe ti publikojmë me bujë në media, atëherë sikur në opinion është krijuar dhe po krijohet bindja se, edhe nëse dikush shkakton aksidentin qoftë edhe nga pakujdesia e tij, gjithmonë do të ketë e do të gjinden njerëz që ndërmjetësojnë dhe i falin ata… !!!
Kurse, prijësit fetar, për të mos krijuar bindje të gabuar në opinion, në rastin e ndërmjetësimit në të tilla raste, masës së pranishme duhet tua bëjnë me dije se; ne po ndërmjetësojmë për të zbutur dhembjen dhe për të mos pasur reagime hakmarrëse nga ana e të dëmtuarave, dhe për këtë mirëkuptim ju jemi shumë mirënjohës, por, me këtë akt të vullnetshëm të palëve, askush të mos mendoj se do ti shpëtoj vlerësimit të organeve të drejtësisë, prandaj gjithmonë bëni kujdes të madh dhe të shtuar në komunikacion dhe kudo që jeni, sepse edhe sipas librit të Zotit:” ….të behësh shkaktarë i mbytjes së një frymë të pafajshme është sikur të mbytësh gjithë njerëzinë…”.

Dr. Xhabir Hamiti

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

− 7 = 1