Feja nuk është kërbaç për t’i grah njerëzit sikurse shtazët

Sot feja islame është shndërruar në sinonim të dhunës, padrejtësisë dhe tiranisë ndaj njerëzve. Por pse ndodhë kjo, kur feja është mëtuar të jetë mëshirë dhe mirësi për njerëzimin! Si mund të jetë mëshirë diçka nga e cila njerëzit po heqin, po vuajnë dhe po jetojnë në ankth dhe frikë! Ky paradoks shpjegohet vetëm me faktin se djajtë kanë marrur fenë peng duke e bërë veten përfaqësues të saj, edhe pse nuk iu intereson fare për fenë, e aq më pak për besimtarët e sinqert. Këta djajë që përfaqësojnë ideologji dhe rryma të islamit politik, e kanë shndërruar fenë në kërbaç me të cilin po grahin besimtarët sikurse të jenë shtazë. Sot të ashtuquajtur ruajtës të fesë, përzihen dhe fusin hundët në jetën private të njerëzve, dhe krejt duke u arsyetuar me fe. Duke mos lëshuar nga goja përmendjen e Kur’anit dhe Sunetit, këta individ mundohen të shndërrohen në autoritet të vetëm dhe absolut fetar. Të këtillët duan ta monopolizojnë fenë me qëllim të manipulimit të ndjenjave të njerëzve dhe respektit që ata kanë për Kur’anin dhe profetin Muhamed. Me fenë e shndërruar në kërbaç, matrapazë u grahën shqiptarëve deri në Irak e Siri, për t’i bërë pjesmarrës në një luftë vampirësh të etur për gjak. Është tragjedi kur shohim se si vrasjet, plaçkitjet, perdhunimet dhe tmerre të tjera arsyetohen duke keqpërdorur Kur’anin dhe Sunetin. Duhet ta kuptojmë se mësimet islame në tërësi thërrasin në vlera të mirëfillta, duke porositur për dashuri, harmoni, paqe, dhembshuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Islami nuk është kërbaç për t’i grah njerëzit sikurse shtazët, ata që e bëjnë këtë janë vetë më të ulët, madje se shtaza. Editorial – Foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 83 = 93